Pesë pyetje për Albana Vokshin dhe jo vetëm për të

1073
Sigal

Jorgo Mandili

Jo më shumë se dy- tre ditë më parë Albana Vokshi, kryetarja e komisionit parlamentar për mediat dhe arsimin, pasi i bëri “pretencën” ministres së arsimit për dështimet e saj në reformat arsimore, duke u ndalur tek mbyllja e disa klasave kolektive, për “rrjedhje” të nxënësve, për politizim të arsimit dhe një lumë akuzash të tjera sipas devizës “shpif shpif se diçka do ngelet, përfundoi me solemnitet se :”Kur të vijmë ne në pushtet, PD-do ta ketë …Prioritet arsimin”!? Mirë moj Albanë, a nuk ishit ju në pushtet dhe bëtë gjëmën në arsim, sidomos gjatë viteve 2005-2013, plot 8 vjet në pushtet? U vërsulët si barbarë drejt dijes dhe shkollave me sloganin “I ka ndërtuar komunizmi, o burra t’i shkatërrojmë, se do të ndërtojmë të reja më të mira!”

Dhe konkretisht:

–Shkatërruat të gjithë infrastrukturën arsimore dhe edukative të shtrirë në të gjithë Shqipërinë: çerdhe, kopshte, shkolla, universitete e institute, duke i kthyer nga institucione edukimi në ngrehina të rrënuara.

Pyetja e parë -Si thoni Albanë, a ju ka shkuar në mend si prioritet ringritja e kësaj infrastrukture arsimore dhe edukative më e mirë dhe më cilësore se e kaluara?

-Si rrjedhojë e miopisë intelektuale, talljes dhe papërgjegjshmërisë publike për hapjen e universiteteve publike për interesa klienteliste, elektorale, politike, krahinore etj., hapët plot 12 ngrehina që ju i quani universitete, që nuk janë as në nivelin e gjimnazeve klasikë të së kaluarës, qoftë nga niveli i stafeve akademike-shkencore, qoftë nga mësimdhënia apo nga baza materiale etj.

Pyetja e dytë – A e keni guximin Albanë ta vendosni si prioritet në programin tuaj reduktimin e 12 universiteteve publikë sipas standardeve evropiane – një universitet për një milion banorë?

-Masivizimi marramendës i arsimit të lartë në të tre nivelet e tij: Bachelor, Master dhe Doktoraturë, masivizim, i cili nga ana e vet çoi në abuzivizmin me dhënien e gradave shkencore dhe titujve akademikë, pasojë e të cilit ishte lindja e një tregu të ri akademik-shkencor -“trafikut të punës shkencore” duke manipuluar e plagjiatuar të dhëna, analiza, raporte. U krijua arradha e pseudo-profesorëve çerek të ditur që “shpikën” një treg tjetër të ri -shitblerjen e dijes; shitjen e provimeve studentëve dhe blerjen e gradave e titujve nga pedagoget, gjë që çoi në një korrupsion galopant në të gjitha nivelet por, sidomos, në atë universitar dhe pasuniversitar. Korrupsion, që çoi në degjenerimin moral të studentëve dhe pedagogëve, certifikim të paaftësisë së tyre etj. Fillesat, një gjëmë e tillë i ka me Genc Pollon e që vazhdoi me Myqeremin. Të kujt ishin këta moj Albanë?.

Pyetja e tretë -A do keni guximin ju Albanë të vendosni në programin tuaj për arsimin si prioritet një Veting për stafet universitarë të ngjashëm me atë të gjyqtarëve. Për verifikimin e pasurisë, perfomancës profesionale dhe morale?.

-Një e keqe tjetër e heshtur që ka ndikuar në zhbërjen e arsimit përveç korrupsionit, është edhe nepotizmi – një dukuri dukshëm më e pështirë, që “përkatësisë familjare, fisnore, partiake dhe miqësore në përzgjedhjen e lidershipit akademik (drejtor shkollash, drejtor D.A.R.-esh, rektorë, dekanë etj., kuadro politike të arsimit) dhe në punësim të stafit akademik, ua përshtat të gjitha kriteret, vlerat dhe meritat, që do të duhej të përcaktojnë atë përzgjedhje dhe atë punësim. Institucionet arsimore duke filluar nga çerdhet e deri te universitetet, nga D.A.R-et e deri në dikasteret e M.A.S.-it, janë “vendet më ekzotike” për politikanët dhe pushtetarët për të punësuar të afërmit, miqtë, shokët, familjarët (djalë, vajzë, nuse, dhëndër, krushq, burrë e grua, nipër e mbesa etj) e militantët e tyre.

Pyetja e katërt – Si mendoni ju Albanë a do ta keni prioritet kur të vini në pushtet luftën këtij nepotizmi për t’i kthyer arsimit dinjitetin e dikurshëm?

-Në kohën tuaj lulëzuan qindra shkolla dhe dhjetëra universitete private.- zbatuat dhe sistemin arsimor të Bolonjës, më me përkushtim dhe më besnikërisht në arsimin e lartë, se edhe vetë ato vende të zhvilluara që e iniciuan atë. Zbatimi i këtij sistemi neo-liberal që u zbatua prej jush me mendjelehtësinë dhe papërgjegjshmërinë më të madhe, i ka sjellë dëme të shumta arsimit të lartë duke prevaluar sasia në dëm të cilësisë. duke i dhënë prioritet fitimit në dëm të humanizmit.

Pyetja e pestë -Si e mendon ti Albanë, si parimore e idealiste që je në luftën kundër korrupsionit, a do të jetë prioritet mbyllja e këtyre bizneseve private që janë kthyer në “rrjepore” të xhepave të prindërve shqiptarë?

 

Kam edhe shumë pyetje të tjera Albanë, por le të mjaftohemi me kaq. Edhe këto janë të mjaftueshme për të treguar se, para se të denoncosh dhe të akuzosh duhet së pari, të jesh i moralshëm, së dyti, të jesh i besueshëm. Ju nuk keni as moralin e as besueshmërinë në ato që deklaroni. Se ju shkatërruat, erdhët në pushtet nuk ndërtuat, ikët nga pushteti duke lenë mbeturina”haxhiqamiliste” dhe filluat akuzat duke i kërkuar llogari pozitës për ato që latë ju të rrënuara. Kjo nuk është e moralshme. Kjo është hipokrizi! Kjo ju bën akoma më të pabesueshëm si opozitë kur dilni në podiume e tribuna e llomotisni broçkulla e thashetheme si “kakopinoja” sokakëve të Gjirokastrës.

Që të bëheni të besueshëm njerëzit duan alternativën tuaj me vizionin, mjetet dhe njerëzit që do ta realizojnë. Por, pasi ju të keni bërë “katarsisin” e qeverisjeve tuaja. Me “kakopino”, me “erotismues” salianjër, me nokër diabolikë e murrizër vagabondë (rrugeçër), me berishër nekrofilik e lulër hipokritë,qajeni pushtetin!

II

Albanë, mos mendo se të kritikoj ty dhe forcën tënde politike për të mbrojtur palën që është në pushtet. Jo! Kurrë! Nuk jam as socialist apo rilindës. Ashtu si edhe ju zonjë nuk jeni e djathtë. E majta dhe e djathta e vërtetë ka ideal e ideologji. Ju të dy krahët jeni pa ideal e pa ideologji. Ideali dhe ideologjia juaj është paraja pushteti… Ju (politikanë, pushtetarë, deputetë, gazetarë, opinionistë, profesorë, rektorë, akade-miq, etj) keni shkëmbyer të vërtetën me kuletën. Jam një taksapagues si qindra mijëra të tjerë, i shqetësuar për arsimimin e nipërve dhe mbesave të mia. A do t’u sigurojë ky arsimim të ardhmen e tyre? Dhe këtë siguri e kërkojmë nga ju si pozitë dhe opozitë. Ndaj dhe paguajmë taksa e tarifa. Që të mos haheni ju si “qentë” në parlament e jashtë tij, pa e vrarë mendjen për cilësinë e të “mirës publike”, që duhet t’u garantoni qytetarëve tuaj, duke bashkëpunuar pozitë-opozitë. Sepse edhe ju qeverisni me oponencën tuaj duke korrigjuar qeverinë. Prandaj, nuk jam dakord me ju, se jeni hipokritë duke e “demonizuar” qeverinë për çdo gjë. Ky “demonizim”, dmth mohimi absolut i çdo gjëje që realizon maxhoranca, pa dhënë alternativën se si do ta bënit ju më mirë, është një strategji e gabuar. Se ju kthehet në bumerang. E mërzitët dhe e lodhët popullin me “babalet e bobolet!”. Por nuk jam edhe me ata që glorifikojnë Rilindjen. Sepse Rilindja nuk ka Rilindur vete, në radhë të parë dhe pastaj të rilindte moralin dhe intelektin e rrënuar të një populli të rraskapitur nga ju (klasa politike) me anarkinë e injektuar ne çdo qelizë të shoqërisë. Pritshmëritë, nga Rilindja,ishin të mëdha. Aq sa edhe tani zhgënjimi është akoma më i madh. Rilindja nuk e rilindi arsimin. Në vend të një revolucioni kopernikas në arsim për një edukim të Ri, moral të Ri, Universitet të Ri ajo preferoi kozmetikën e atyre vjetërsirave që latë ju. Sepse në krye të saj u vendos mediokriteti dhe paaftësia. Një ministre që e karakterizon një kompleksitet inferioriteti për të guxuar të monitorojë, kontrollojë apo të bëjë reforma radikale për të ndryshuar realitetin e shëmtuar, sidomos në arsimin e lartë

III

Albanë, arsimi është një projekt inteligjent dhe për menaxhimin e tij kërkohen njerëz inteligjentë, që nga kryetari i komisionit parlamentar e deri tek kreu i dikasterit, sepse arsimi nuk është një grumbull mbeturinash projektesh e reformash që kanë arritur pikën e vdekjes, por është një projekt për integrimin e individëve në realitetin shoqëror – historik, duke pasur parasysh interesat, ekuilibrat dhe perspektivën e shoqërisë. Këto qasje nuk janë dëshira subjektive të ndonjë formacioni politik apo qeverie të radhës, as të formuluara nga ndonjë komision “ad hock” apo agjencive të huaja të çdo fushe qofshin, por domosdoshmëri objektive e përballimit nga arsimi të ndryshimeve të shpejta që po ndodhin në shoqëri, shkencë,teknologji, ekonomi e kulturë. Jashtë këtij kuptimi dialektik të lidhjeve, madhësive, varësive dhe ndikimeve të ndërsjella të mësipërme nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë ecje përpara, zhvillime, ndryshime e shndërrime të reja, rrënjësore e thelbësore, sasiore e cilësore të vazhdueshme në fushat përkatëse për përgatitjen e produkteve humane të shek XXI.

Sfida që qëndron sot para arsimit është përgjigja që duhet t’i japë kësaj pyetje kruciale: do të “prodhojë” arsimi ynë, qytetarë të formuar me normat dhe standardet e demokracisë së të drejtës, të cilët e konsiderojnë shërbimin e tyre për shoqërinë si problem madhor të jetës së tyre apo “servilë të regjimit”, individë standardë pa origjinalitet dhe pa identitet individual e mendor, turma që ndjekin verbërisht të parin e tyre? Kjo është dilema “shekspiriane” që lidhet drejtpërsëdrejti me të ardhmen e shoqërisë shqiptare. A do të jetë e ardhmja jonë ajo e një shoqërie të lirë, liberale e tolerante? Apo si deri tani e një shoqërie të gënjeshtërt:

-që nuk prodhon dot demokraci funksionale, por një “totalitarizëm demokratik?

–që nuk ndërton dot një kapitalizëm njerëzor me prosperitet ekonomik, por një kapitalizëm të egër, të zbatuar në mënyrë skllavopronare, anti-human, me polarizim të skajshëm midis të varfërve dhe të pasurve?

–që nuk prodhon dot intelekt, virtyt, qytetari, elita intelektuale, politike e akademike, por mediokritet, korrupsion, nepotizëm e paaftësi?

–që nuk garanton dot drejtësi dhe barazi sociale, me një shtet ligjor si mbrojtës i demokracisë, sigurisë dhe lumturisë?

-A do të marrë fund kjo amulli shkretuese dhe ne të jetojmë si të gjithë të ngjashmit tanë në Evropë nëse jemi vërtetë evropianë?

Prandaj si qytetar, ju kërkoj juve si kryetare e komisionit parlamentar, i kërkoj ministres së Arsimit dhe kryeministrit të japë përgjigje (këto përgjigje i kërkojnë të gjithë taksapaguesit),

 

Çfarë kërkohet nga ju Albanë dhe pse? Duke qenë se ju jeni më e pranishme në denoncime e më e shkathtë në artikulime, bëj të paktën një punë të dobishme. Merr nismën për miratimin e një Doktrine moderne në arsim duke sensibilizuar të gjithë shoqërinë që nga vendimmarrësit, biznesmenët e deri tek qytetarët e thjeshtë për domosdoshmërinë e një arsimi cilësor. Dhe kjo, sepse ka munguar dhe vazhdon të mungojë vizioni, organizimi dhe bashkëveprimi i të gjitha qarqeve të specializuara arsimore, shkencore e pedagogjike me ato afariste ku problemet e arsimit dhe shkencës e zgjidhjet praktike të tij nëpërmjet reformave të reja arsimore e shkollore t’i nënshtroheshin analizës, diskutimit debateve të herë pas hershme të gjera e të hapura ku të merrnin pjesë të gjithë subjektet politike, ekonomike, shkencëtarë, akademikë, profesorë, mësues e prindër, të interesuar për arsimin e shkollën, për gjendjen, nivelin, efektshmërinë dhe fatin e tyre në të ardhmen dhe mbi bazën e këtyre veprimtarive të hartohet një platformë arsimore strategjike e miratuar në Kuvend dhe e paprekshme nga çfarëdo forcë politike që do të fitonte pushtetin. (Ministri i Arsimit, madje duhet të jetë një individ me integritet të larte shkencor, profesional e moral jashtë partive dhe mundësisht nga Diaspora) Kjo platformë, kjo strategji duhet të kthehet në një dokument shtetëror, e cila do të përbënte Doktrinën e Reformës për modernizimin e sistemit Arsimor. Nëse një nismë të tillë do ta merrnit ju Albanë si më ë guximshmja në atë forcë politike apo të gjithë bashkë (klasa politikë) do ta realizonit në praktikë një projekt të tillë në arsim, atëherë me të vërtetë do të kishim arsye, përse do t’u ishim historikisht mirënjohës. Deri më sot të gjitha forcat politike e kanë humbur këtë shans historik. Aq më tepër Rilindja. Por lërini mënjanë mëritë, akuzat ë shpifjet, lakminë për pushtet e para për hir të së ardhmes së fëmijëve dhe nipërve të popullit të shkretë. Se tuajt i keni siguruar në tre breza ndoshta. Na siguroni edhe tanët. Por…jo si Vetingu i politikanëve, artikulimi më i çuditshëm i kryetarit tuaj .”sycophantic”, ditët e fundit. E, na befasoi si në kohën e çadrës me Republikën e Re. Por këtë radhë me Vetingun e vetvetes- -“HARIKIRI” para popullit të vet që deri më tani e kanë nëpërkëmbur, vjedhur, gënjyer, mashtruar e vrarë? Zot na ruaj mendtë! Çfarë na dëgjojnë veshët! Vërtete kaq budallenj jemi bërë apo dukemi, që ky sharlatan tallet kaq hapur me ne? Kaq i pacipë është? Kaq naiv je o lule, saqë ne ta besojmë se ju mund të bëni “Harikirin”? Zot ruaju mendtë politikanëve tanë se po u ikin! Do të tregojnë kusaritë, korrupsionin, paratë, vrasjet e të gjitha mëkatet që kanë bërë? Zoti im, e padëgjuar ndonjëherë! Por, të paktën mos na çmend neve se boll jemi çmendur prej tyre këto 27 vjet. Mos vallë e mendojnë veten si më të mençurit e më të diturit e të gjithë njerëzve, duke e instaluar kështu gjithë qenien e tyre brenda budallallëkut të vet?”

Apo nuk është kështu Albanë? Vërtet a duhet ta besojmë edhe këtë Vetingun tuaj si Republikën e Re, që u artikulua në çadrën tuaj? Besimi, Albanë, është recetë e injorancës. Dhe një popull i shkolluar (që di shkrim e lexim), por i paditur (analfabet funksional), sundohet më lehtë. Mos vallë kjo është arsyeja që arsimin e keni zhytur në llumin e padijes gjatë këtyre 27 vjetëve? Bindemi në vërtetësinë e kësaj teorie, po të kujtojmë fjalët e Lordit Braungham se “Arsimi e bën një popull të lehtë për ta udhëhequr, por të vështirë për ta sunduar, të lehtë për ta qeverisur, por të pamundur për ta skllavëruar”. Por, dyshojmë se mund të jeni kaq të thellë. Besojmë më tepër tek mediokriteti tuaj për një vizion perspektiv të arsimit dhe tek paaftësia menaxhuese e drejtuesve politikë të Ministrisë së Arsimit. Gjithsesi, nëse vërtet ë keni seriozisht prioritet arsimin, Albanë, keni mundësinë që ju,dhe klasa politike të ndërmerrni veprime dhe nisma konkrete. Do presim me shpresën tuaj dhe të Zotit, që prioritetet në arsim të konkretizohen me Doktrinën për një Arsim Modern.

-A do të kemi ndonjëherë një projekt inteligjent për një Doktrinë të Re Edukimi, me strategji të mirëpërcaktuar, që të prodhojë intelekt e qytetari nëpërmjet dijes dhe Virtytit? -Një Doktrinë Edukimi tek e cila shoqëria njerëzore ka kërkuar shpëtim që nga koha e Platonit?

-Një Doktrinë që u bë pishtari i Rilindjes Evropiane, për ndriçimin e mendjes dhe shpirtit, për liri ndërgjegjeje dhe drejtësi shoqërore?

-A do të kenë mundësi nipërit tanë të marrin një diplomë të konvertueshme me ato të universiteteve evropiane?

Topi është në fushën tuaj, Albanë.