Përvjetori i pavarësisë së Kosovës dhe mirënjohja e përjetshme për SHBA dhe BE

703
Prof. Dr. Lush SUSAJ
Presidenti i SHBA George W. Bush, më 11 qershor të vitit 2007, nga Tirana është shprehur se: “Pavarësia është qëllimi. Kjo është çka populli i Kosovës duhet të dijë”. Në këtë rrugë të shtet formimit dhe faktorizimit të shqiptarëve në rajon, SHBA-të ishin të parët që e njohën zyrtarisht shtetin e pavarur të Kosovës. Deklarata e njohjes është bërë nga Sekretarja Amerikane e Shtetit, Kondoleza Rajs, ku thuhet se: “Presidenti Bush i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së paraqitur nga Kosova për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve”. Ndërsa në përvjetorin e 10-të të pavarësisë së Kosovës, për Presidentin e Kosovës, Z. Hashim Thaçi, ka mbërritur një letër urimi e dërguar nga presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Në këtë letër ndër të tjera thuhet se: “Gjatë dhjetë vjetëve të kaluara, Kosova ka bërë hapa të mëdhenj në forcimin e sovranitetit të saj dhe të demokracisë multietnike. Teksa mbetet punë për t’u bërë, ne duartrokasim përparimin tuaj. Derisa shteti juaj po hyn në dekadën e dytë të shtetësisë, Shtetet e Bashkuara janë të vendosura ta ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e themelit të parimeve të përbashkëta demokratike, bashkëpunimit rajonal dhe sundimit të ligjit. Në këtë mënyrë, Kosova do të bëjë hapa të mëtejmë drejt integrimit në Komunitetin Perëndimor të Kombeve”. Në këtë përvjetor të rëndësishëm, mbështetja e hapur dhe e drejtpërdrejtë e Presidentit dhe e qeverisë së SHBA për Kosovën, është urimi dhe mbështetja më e madhe për shtetet tona në rajon dhe rritjen e stabilitetit dhe rrolit të shqiptarëve. Falë kësaj mbështetje, me datën 17 Shkurt 2018, Kosova hodhi edhe një tjetër historik në drejtim të funksionalizimit dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Për herë të parë u deklarua edhe uniteti i mendimit dhe veprimit me aleatët euroatlantik të shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri të Kosovës. Në këtë mënyrë, falë mbështetjes së SHBA dhe BE u krijua edhe Ushtria e Kosovës si institucioni më i lartë i sigurisë dhe i integrimit të Kosovës në NATO dhe në BE. Për nga konteksti dhe rëndësia historike, kjo mbështetje që erdhi në përvjetorin e 10-të të Pavarësis së Kosovës, ka të krahasuar vetëm me notën e Presidentit Wilson që pati mbërritur në Konferencën e Paqes në Paris me 6 Mars 1920, në të cilën shkruhej se: “Integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!”. Falë kësaj mbështetje dhe vëmendje të vazhdueshme të SHBA dhe BE, shqiptarët kanë sot territoret, shtetet dhe sovranitetin e tyre të pacenueshme. Nga këtu buron mirënjohja e përjetshme e shqiptarëve ndaj SHBA dhe BE. Nga këtu buron edhe përcaktimi i palëkundur i shqiptarëve në gjeopolitikën dhe platformat Euro-Atlantike të zhvillimit. Në këtë mënyrë, në më pak se 100 vjet shohim se si përsëritet historia e mbrojtjes së vendosur të interesave të Shqiptarëve nga SHBA dhe BE. Në këtë kontekst, për më shumë informacion, vlen të rikujtojmë edhe një herë ngjarjet shtet-formuese që kanë ndodhur në vitet 1919-1920 e që kanë të bëjnë me takimin e delegacionit të përbërë nga imzot Luigj Bumçi, At Gjergj Fishta dhe Mehdi Frashëri me Papa Benediktin XV, në Vatikan dhe më pas edhe me delegatët e Konferencës së Paqes në Paris. Sipas kujtimeve të imzot Luigj Bumçit, në shkurt 1919, shqiptarët u këshilluan nga Ministri i Jashtëm i Italisë Sonino që në delegacion të kishte edhe përfaqësues nga Shqipëria e Veriut dhe e Mesme. Në atë kohë, për shkak të mungesës së theksuar të gjithë-përfshirjes dhe përfaqësimit politik e shtetëror të shqiptarëve, mosmarrëveshjet dhe përçarjet kishin arritur deri në atë pikë sa ishin italianët ata që do të ndërhynin e do të mësonin drejtuesit tanë politikë e shtetërorë se si të vepronin për gjithë-përfshirjen, përfaqësimin dhe unitetin kombëtar, për të mos lejuar copëtimin e mëtejshëm të vendit nga shtetet fqinjë. Në të tilla rrethana, qeveria e Durrësit pati vendosur që si Kryetar i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris të ishte Ipeshkvi i Lezhës, Imzot Luigj Bumçi, i cili pati zgjedhur si sekretar të tij françeskanin e njohur At Gjergj Fishta. Ndërsa nga Shqipëria e Mesme mori pjesë intelektuali i njohur Mustafa Kruja. Në përbërje të këtij delegacioni u përfshinë edhe intelektualë të tjerë si Luigj Gurakuqi, Dr. Mihajl Turtulli, Lef Nosi, Mehdi Frashëri dhe Mehmet Konica. Në situatën e rëndë që ndodhej çështja jonë kombëtare, delegacioni shqiptar, në mbledhjen e zhvilluar me 22-23 Dhjetor 1919 pati autorizuar Imzot Luigj Bumçin që të ndërhynte tek Vatikani për të ndihmuar në zgjidhjen e drejtë të çështjeve të ngatërruara e delikate të kohës. Pas këtij autorizimi, Imzot Luigj Bumçi së bashku me intelektualin e njohur Mehdi Frashëri, u nisen dhe arritën në Vatikan me 28 Dhjetor 1919. Ndërsa takimi i tyre me Papa Benediktin XV është zhvilluar me datën 1 Janar 1920. Sipas kujtimeve të Imzot Bumçit, ky takim ka qenë i shkurtër dhe shumë frutdhënës për zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare. Mbas takimit të delegacionit me Papën, Imzot Luigj Bumçi dhe At Gjergj Fishta, u nisën për në Paris ku edhe atje bënë një paraqitje dhe mbrojtje të shkelqyer të situatës dhe të interesave afatgjata të shqiptarëve në Konferencën e Paqës. Falë Imzot Luigj Bumçit (që njihte disa gjuhëve të hueja) dhe oratorisë dhe prezencës së jashtëzakonshme të At Gjergj Fishtës përkrah tijë, u mundësue komunikimi i gjerë i delegacionit shqiptarë me shumicën e delegatëve të shteteve pjesmarrëse. Në këtë mënyrë, delegacioni shqiptarë, bëri një përformancë të shkëlqyer duke bindur shumicën e delegatëve të konferencës në lidhje me realitetin që shqiptarët janë vërtetë pjesë e Europës së qytetëruar. Në takimin e datës 1 Janar 19120, përveç mbështetjes së Vatikanit, Imzot Luigj Bumçi i pati kërkuar Papa Benediktit XV edhe ndërhyrjen Vatikanit pranë qeverisë së SHBA për të siguruar mbështetjen Presidentit Wilson dhe të politikës së SHBA për njohjen dhe faktorizimin e kufirit dhe të shtetit të pavarur Shqiptarë. Në ato ditë të vështira, Imzot Luigj Bumçi dhe delegacioni që ai kryesonte arritën që të sigurojnë mbështetjen pa rezerva, jo vetëm të të Vatikanit dhe Papa Benediktit XV, por edhe të Presidentit Wilson dhe të qeverisë së SHBA. Kjo mbështetje u pa dhe dëgjua nga të gjithë me datën 6 Mars 1920, ditë kur mbërriti në Paris nota e Presidentit Wilson në të cilën ishte shkruar: “Integriteti territorial dhe sovraniteti i Shqipnisë, me kufijtë e vitit 1913, janë të paprekshëm!”. Në këtë vazhdimësi historike, kujtojmë faktin se si, shteti i parë që e ka njohur integritetin dhe sovranitetin e shtetit shqiptarë ka qenë Vatikani. Njohja është bërë përmes dekretit papnor të datës 12 Nëntor 1920. Në atë periudhë, duke qenë i vetëdijshëm për gjeografinë, gjenezën dhe përkatësin evropiane të shqiptarëve, menjëherë pas njohjes nga ana e Vatikanit, Papa Benedikti XV, i pati shkruar një letër mikut të tij, imzot Luigj Bumçit, e ku ndër të tjera i thoshte: “Tashti që populli juaj fisnik ka mundur të fitojë lirinë dhe ka hyrë në rrugën e përparimit të vërtetë, është e arsyeshme që nëpërmjet përfaqësuesit tonë të ripërtërijmë edhe njëherë e më të forta ato lidhje që për sa shekuj e bashkuan Shqipërinë me Kishën e Shenjtë”. Madje përmes këtij dekreti (dekretit papnor të datës 12 Nëntor 1920) është emëruar edhe Delegati i Parë Apostolik për Shtetin e Pavarur Shqiptar, Imzot Ernesto Cozzi. Për lexuesin, në mënyrë të përmbledhur kujtojmë faktin se si kombi që sipas Jorgës ia detyron ekzistencën e vet origjinës dhe lidhjeve me botën latine, në vitin 1912 u bë shtet i pavarur falë mbështetjes dhe vendimit politik të botës perëndimore (Austro-Hungarisë, Gjermanisë, Italisë, etj), në vitin 1920 u mbrojt, u faktorizue, u njoh dhe u ndërkombëtarizua falë mbështetjes pa rezerva të politikës Euro-Atlantike, Vatikanit dhe SHBA, ndërsa në vitet 1999, 2008 dhe 2018 u plotësua edhe me lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e shumëpritur të Shtetit të Pavarur të Kosovës që sot ka kushtetutën, parlamentin, ushtrinë dhe politikat euroatlantike të zhvillimit. Këto realitete dhe ngjarje historike, duhen lexuar e kujtuar sa më shumë për të kuptuar e për të mos harruar kurrë faktin, që e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja shoqërore, ekonomike dhe politike e shqiptarëve i përkasin gjeopolitikës dhe platformave euroatlantike të progresit, të stabilitetit dhe të zhvillimit të qëndrueshëm demokratik. 
Sigal