Përurohet Zyra e Shërbimeve Unike, Rama: Luftë korrupsionit

599
Sigal

VLORE– Ofrimi i të gjithë shërbimeve të Policisë së Shtetit ndaj qytetarit në një sportel të vetëm, synon të luftojë korrupsionin. Këtë e ka shprehur kryeministri Edi Rama gjatë akvititetit të përurimit të zyrave të shërbimeve unike në Drejtorinë e Policisë së Vlorë. Kreu i qeverisë tha se ofrimi i shërbimeve nga një sportel i vetëm jo vetëm ofron shërbim cilësor, por edhe u kursen kohë qytetarëve.
 
“Shërbimi i Policisë së Shtetit ndaj qytetarit, tashmë është një shërbim i unifikuar, dhe ofrohet në një sportel të vetëm, në të gjitha zyrat e policisë së shtetit në mbarë vendin. Kjo shmang kalimet nga një zyrë në tjetrën, duke u kursyer kohë qytetarëve dhe duke shmangur kështu edhe korrupsionin. Ka një afat standard për çdo procedurë nga 3 ditë për vërtetimet deri në maksimumi 60 ditë për licencat”, u shpreh kryeministri Rama.

Ministri Tahiri në fjalën e tij theksoi se përmes këtyre zyrave krijohet mundësia për të grupuar të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit në një pikë, për të garantuar shërbim në kohë, shërbim me cilësi, luftë ndaj korrupsionit.
 
Rama: Qytetarët kërkojnë shërbime cilësore, do modernizojmë sistemin
Duke vënë theksin në cilësinë e ofrimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, kryeministri tha se Ministria e Brendshme ka ndërmarrë nismën e modernizimit të sistemit të ofrimit të shërbimeve të policisë ndaj qytetarit. Kreu i qeverisë tha se me hapjen e këtyre zyrave, qytetarët e Vlorës do të kenë jo vetëm një godinë të re të Policisë për të marrë shërbimet e nevojshme, por edhe do të përfitojnë një shërbim më cilësor ndaj tyre.
 
“Sot është një ditë e mirë për Policinë e Shtetit sepse jemi këtu në një tjetër çelje të dyerve të një strukturë tërësisht të transformuar. Jo vetëm transformim fizik i një godine, por transformimi i një shërbimi, që deri dje bëhej në rrugë. Qytetarët prisnin në rrugë, në shi, në diell, pa radhë, duke kërkuar mikun që do t’u mundësonte një kontakt. Dhe vazhdonte odiseja për të marrë një të drejtë që u takonte. Tashmë në pjesën e parë të godinës, është hapësira që u kushtohet shërbimit ndaj qytetari. Ministri i Brendshëm ka ndërmarrë një betejë jashtëzakonisht të vështirë në disa plane, siç është një prej tyre modernizimi i shërbimit të komunikimit dhe shërbimit të Policisë së Shtetit ndaj qytetarit. Tashmë ky është një shërbim i unifikuar, ofrohet në një sportel të vetëm, në të gjitha zyrat e policisë së shtetit në mbarë vendin. Kjo shmang kalimet nga një zyrë në tjetrën, duke u kursyer kohë qytetarëve dhe duke shmangur kështu edhe korrupsionin. Ka një afat standard për çdo procedurë nga 3 ditë për vërtetimet deri në maksimumi 60 ditë për licencat”, tha kryeministri Rama.
 
Rama: Qytetarët të denoncojnë vonesat e korrupsion në kutinë e shërbimeve online
Kryeministri Rama ka prezantuar ditën e sotme nga Vlora një tjetër nismë në dispozicion të qytetarëve për të denoncuar të gjitha rastet abuzive, korruptive apo të vonesave në marrjen e shërbimeve. Në faqen online të kryeministrisë dhe të gjitha ministrive nëpërmjet shërbimit “Kutia e shërbimeve online”, qytetarët mund të denoncojnë rastet korruptive.
 
“Kutia e shërbimeve online në faqen e kryeministrit dhe në faqen zyrtare të çdo ministri do të jetë mundësia, që çdo qytetar i këtij vendi të ankohet drejtpërdrejt për vonesat në marrjen e shërbimit. Ne e dimë shumë mirë që korrupsioni është një monster që ka dhjetëra e qindra pamje, por dimë po ashtu se pamja e tij e fshehtë qëndron pas vonesave në marrjen e shërbimit. Për këtë arsye ne kemi hartuar dhe kemi vënë në shërbim të qytetarëve një program të ri bashkëpunimi për të luftuar korrupsionin. Çdo qytetar është i ftuar që të denoncojë rastet abuzive”, tha kryeministri Rama.
 
Tahiri: Krijojmë ura komunikimi e bashkëpunimi mes qytetarëve e policisë
Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, morën pjesë sot në përurimin e zyrave të shërbimeve unike në Drejtorinë e Policisë së Vlorës. Ministri Tahiri theksoi se përmes këtyre zyrave krijohet mundësia për të grupuar të gjitha shërbimet e Policisë së Shtetit në një pikë, për të garantuar shërbim në kohë, shërbim me cilësi, luftë ndaj korrupsionit.
 
“Sfida e përbashkët mbetet të vazhdojmë dhe t’i japim brendi këtij institucioni të Policisë së Shtetit ndaj korrupsionit që kanë cënuar dinjitetin e shqiptarëve. Kjo është mënyra që të shmangim korrupsionin, për të garantuar luftën ndaj korrupsionit, ndaj jemi të bindur se kemi ende shumë rrugë për të ndryshuar perceptimin e shqiptarëve ndaj Policisë së Shtetit, por e vetëm nuk mund të arrijmë, kjo është arsyeja pse jemi duke ndërtuar këto ura komunikimi, ku çdo qytetar është i ftuar të bëjë me dije vonesën e shërbimit të policisë me të cilin është duke u përballur”, tha ministri Tahiri.

Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm nënvizoi se kjo zyrë unike, ofron bashkëpunim me publikun duke krijuar marrëdhënie natyrale kundër krimit të organizuar.