Përurohen 13 salla seancash në Gjyk. e Tiranë‏s, Naço: Rritet efektiviteti

546
Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço ka marrë pjesë ditën e sotme në ceremoninë e përurimit të 13 sallave të reja të gjykimit dhe hapësirave shtesë në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Tiranë.
“Për fat të mirë, sot kemi mundësinë të japim së bashku një lajm pozitiv që lidhet me sistemin gjyqësor, i cili padyshim do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efektivitetit në Gjykatën e Tiranës. Me një investim prej rreth 340 milion lekë, nga buxheti i shtetit, u mundësua në një kohë shumë të shpejtë vënia në funksionim e 13 sallave të reja të gjykimit, ku ushtrojnë detyrën rreth 80-gjyqtarë”, u shpreh në nisje të fjalës ë tij Ministri Naço.
Sipas tij, kjo është një premisë pozitive që lidhet me krijimin e kushteve të domosdoshme për funksionim efikas të sistemit të drejtësisë.
“Shtimi i sallave të gjykimit do të evitojë maksimalisht praktikën jo normale të zhvillimit të proceseve gjyqësore në zyrat e gjyqtarëve. Përmirësimi i infrastrukturës, i shoqëruar dhe me ndryshimet e mëtejshme ligjore do të sjellë rritjen e aksesit të publikut në proces duke respektuar parimet procedurale, garantimin e solemnitetit gjatë procesit gjyqësor, forcimin e mekanizmave të kontrollit, arritjen e standardeve më të mira ndërkombëtare. Krijimi i kushteve të përshtatshme për zhvillimin e proceseve gjyqësore ndikon dhe në përmirësimin e perceptimit të publikut për sistemin e drejtësisë duke rritur mundësinë e pjesëmarrjes së publikut në seancë gjyqësore, duke evituar zvarritjet e proceseve gjyqësore si dhe duke monitoruar zhvillimin e seancave gjyqësore”, tha Naço
Gjithashtu z. Naço ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj drejtuesit të projektit JuST të USAID, z. John Carver, për rolin dhe kontributin e vazhdueshëm, që ai dhe projekti që ai drejton ka dhënë për reformimin e sistemit gjyqësor në Shqipëri.
Ministri Naço shprehu vlerësimin për asistencën e partnerëve ndërkombëtarë, ndërsa e vuri theksin në implementimin e teknologjisë së fjalës së fundit, në sistemin gjyqësor.
“Objektivi ynë i ardhshëm, mbetet që sistemi i regjistrimit audio të plotësohet edhe me sistem video, në mënyrë që jo vetëm të dëgjojmë se çfarë thuhet, por edhe të shohim se si zhvillohet një seancë gjyqësore, duke bërë të mundur shmangien e çdo sjelljeje joetike dhe rritjen e solemnitetit brenda një seance gjyqësore. Për plotësimin e këtij objektivi, si Ministër i Drejtësisë në emër të qeverisë Shqiptare, por besoj se dhe në emër të të gjithë trupës gjyqësore, do t’i kërkoja USAID dhe Projektit Just, vijimin e mbështetjes së tyre për të jetësuar arritjen e këtij objektivi ambicioz”, u shpreh ndër të tjera Ministri Naço
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i drejtësisë shqiptare u shpreh se sistemi i drejtësisë mbetet prioritar për ecurinë e proceseve integruese dhe zhvillimin demokratik të vendit.
“Reformimi rrënjësor i të gjithë sistemit është tashmë një nevojë parësore dhe e domosdoshme, e cila synon të sjellë një sistem drejtësie të pavarur, profesional, të përgjegjshëm, i cili duhet të gëzojë besimin e publikut, por dhe të partnerëve ndërkombëtarë, si dhe të jetë në funksion të qytetarit”, tha Naço.
Sigal