Përshkallëzohet tensioni Tiranë-Athinë, Greqia dërgon tanket në kufirin me Shqipërinë

102

Mësohet se bëhet fjalë pikërisht
për stërvitjen e Brigadës së 8-të sulmuese të ushtrisë greke, në përbërje të së
cilës janë efektivët më elitarë të këmbësorisë. Për këtë stërvitje ushtarake
bie në sy fakti se pothuajse në të gjitha mediat greke, është publikuar
pothuajse i njëjti tekst njoftimi, që ndonëse nuk përmend në asnjë rresht
Shqipërinë, nënkupton qartë një paralajmërim serioz që Athina zyrtare ka
vendosur t’i bëjë Tiranës.

“Video na kujton se në çdo drejtim
ushtria jonë është e pranishme në të gjithë territorin e Greqisë. Edhe aty ku
nuk ka asnjë problem të madh ushtarak, sepse nuk ka asnjë armik, por ka shumë
udhëheqës sfiduese dhe miqtë të afërt me Ankaranë. Greqia nuk ka nevojë për të
bërë një përballje ushtarake me asnjë. Por ata që e interpretojnë durimin e
Greqisë si një dobësi, është e këshillueshme që të ‘pushojnë’ retorikën e tyre
kundër Greqisë”, – citohet nga mediat greke.

PARALAJMËRIMI
Rreth një muaj më parë ishte kreu i diplomacisë greke, Niko Kotzias, ai që paralajmëroi Shqipërinë të tregojë kujdes me çështjen çame, duke i kujtuar asaj se nuk mund ta nënvlerësojë Greqinë, për shkak të krizës që ajo po kalon. Deklaratat e drejtpërdrejta të ministrit të Jashtëm të Greqisë u bënë në një intervistë në median greke, ku ndër të tjera Kotzias nuk harroi të përmendë edhe epërsinë ushtarake të Greqisë ndonëse me Shqipërinë është aleate në NATO. “Greqia ia kalon në të gjitha drejtimet. Ka dhjetëfishin e GDP-së, sisteme të shumëfishta mbrojtjeje dhe sigurie, shumëfish forcë ekonomike. Ata janë të varur sa i përket ekonomisë, remitancave të emigrantëve, investimeve, tregtisë. Kemi edhe përfaqësim asimetrik në arenën ndërkombëtare. Ndaj është mirë që të bashkëpunojnë, të bëhen realistë dhe të ndihmojnë në krijimin e marrëdhënieve të përfitimit të përbashkët. Të zgjidhim çështjet e hapura bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe traditën europiane”, – paralajmëroi Koztias.
Pikërisht këto deklarata i paraprinë edhe stërvitjes së Brigadës së 8-të të këmbësorisë që Greqia sapo ka nisur në kufirin me Shqipërinë, duke i dëshmuar edhe nga afër epërsinë ushtarake.
EMIGRANTËT
Kujtojmë se pak ditë më parë në pikën kufitare të Kakavijës, pala greke ka kthyer mbi 100 shqiptarë, mes tyre gra, fëmijë e të moshuar. Argumenti i përdorur ka qenë mungesa e dokumentave dhe fakti i mosdisponimit të një shume prej minimum 100 euro në ditë për të hyrë në zonën Shengen. “BalkanWeb” ka siguruar edhe një foto të pasaportës së një shqiptari, ku bie në sy “damkosja” e saj me dy kryqe nga pala greke.
Në prononcime për “News24”, qytetarët shqiptarë të kthyer në kufi janë shprehur të irrituar për këtë qëndrim të palës greke. “Jemi kthyer pa arsye, dokumentat i kemi të rregullta, nuk po marrim vesh asgjë. Na kthyen pa shpjegime duke na vendosur dhe nga dy kryqe në pasaportë”, – janë shprehur ata. Në fakt kthimi i shqiptarëve në kufi nga pala greke nuk është një fenomen i rrallë. Kujtojmë se më herët argumenti “klasik” që përdorte pala greke ka qenë prishja e kompjuterave që ka fiksuar në memorie rradhët kilometrike të emigrantëve shqiptarë që prisnin me orë të të tëra për të kaluar në tokën helene.
Rikthimi i “fshesës” greke dhe “provokimet” e saj me stërvitjet ushtarake në kufi duken se vijnë si një formë “paralajmërimi” serioz të Athinës zyrtare ndaj deklaratave të forta dhe qëndrimeve të prera të kryeministrit, Edi Rama për çështjen çame, Himarën dhe anulimin e ligjit të luftës.