Përse zoti kryeministër nuk e shkarkoni ministrin e Financave, Canin për paaftësi?!

538
Kohë më parë u shkarkua nga doganat drejtoresha e Përgjithshme, Elisa Spiropali dhe shkaku kryesor ishte dështimi në dogana. Edhe pse qeveria shqiptare kishte ftuar për të menaxhuar kontrollin në dogana një kompani angleze, sërish gjendja e doganave nuk u përmirësua. Korrupsioni dhe kontrabanda janë fenomene që nuk u luftuan. Në 5 mujorin e parë të këtij viti ka patur 800 tonë cigare më pak të zhdoganuara në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Po kështu, është shtuar edhe kontrabanda e karburantit, ku të ardhurat prej saj kanë rënë në mënyrë drastike. 
Qeveria detyrohet të rishikojë buxhetin e 2015 
Qeveria e ka bërë publike faktin që është e nevojshme që të bëhet rishikimi i buxhetit të vitit 2015, për shkak se nuk janë realizuar të ardhurat, nga doganat, dhe tatimet. Për shkak të mungesës të së ardhurave, rrezikohen projektet që ishin planifikuar në buxhetin e 2015. Qeveria, paralelisht, është munduar që të marrë një borxh të jashtëm, prej 300 milionë euro shtesë, veç 1,2 miliardë borxh që ka marrë deri tani, për të plotësuar gropën e zezë në të ardhurat e munguara të buxhetit. Të gjitha këto janë tregues që ministri i Financave, Shkëlqim Cani ka dështuar totalisht në punën e tij. Rishikimi i buxhetit në mes të vitit, do të thotë se do të shkurtohen buxheti në Arsim, në Shëndetësi, në politikat sociale, në investimet publike, etj.
Ministri Cani pranon dështimin në dogana
Ministri i Financave Shkëlqim Cani dje në prezantimin e drejtoreshës së re të Doganave, e vlerësoi të papranueshme gjendjen në doganat shqiptare, duke pranuar dështimin e punës së tij, edhe në dogana. Ministri Cani: “Ka një mosrealizim në të ardhurat nga doganat, për të cilin duhet nxjerrë përgjegjësia, secili duhet t’i dalë zot detyrave të veta”. Por ministri Cani pranoi se dështimi është edhe në fusha të tjera të veprimtarisë, sikurse kontratat me shoqëritë që ofrojnë shërbimin e skanimit, të markimit të karburanteve, të pullave fiskale, edhe puna për zhdoganimin e cigareve.
Ministri Cani i paaftë, përse nuk shkarkohet?
Dështimi total i të ardhura në buxhetin e shtetit, nga doganat, tatimet dhe taksat janë produkt i paaftësisë të vetë ministrit të Financave Shkëlqim Cani. Jo vetëm që kanë dështuar të ardhurat e buxhetit, por edhe më keq. Është rritur shumë edhe borxhi publik i jashtëm dhe i brendshëm. Për shkak të pabesueshmërisë të statistikave që jep INSTAT, sepse është një organizëm që varet drejtpërdrejtë nga Kryeministria dhe çdo të dhënë që publikon e infiltron së pari nga vetë zyra e kryeministrisë, askush në Shqipëri nuk mund të dijë me siguri sa është sot borxhi i Shqipërisë. Vetë qeveria, disa herë është detyruar, që të pranojë që borxhi është 73 %, por me siguri, borxhi është shumë herë më lart nga kjo shifër zyrtare. Ka dështuar plotësisht edhe sistemi i tatimit, dhe kjo ka ngjallur edhe pasiguri te investitorët e huaj, gjë që u konstatua edhe nga evtë kancelarja gjermane Merkel në vizitën e saj në Tiranë. Dhe kjo, së pari, është përgjegjësi politike e ministrit të Financave, Shkëlqim Cani. Atëhere, çfarë pret akoma kryeministri Rama, që nuk e shkarkon ministrin e paaftë të Financave, Shkëlqim Cani, derisa vetë ministri Cani nuk ka ndjeshmëri politike që të dorëhiqet? 
Sigal