Përse e mbështes Edi Ramën

726
Prof. Alqi Naqellari
Protestat e në Shqipëri janë bërë modë. Këtë modë e përdorin përgjithësisht Partitë Politike, por së fundi, gjithnjë e më shpesh, po e përdorin të ashtuquajturat, shoqëria civile dhe ambientalistët. Po vazhdon një protestë që kërkon transparencë për Marrëveshjen e Detit me Greqinë, janë bërë protesta për luftën e Kosovës, për çështjen Çame, janë bërë protesta për armët kimike, për Bankën Qëndrore, për plehrat, për ambientin, për mbrojtjen e kafshëve etj, etj, etj. Në këto protesta marrin pjesë militantët e partive që kanë përfituar prej tyre, idealistët e pandreqshëm, rebeluesit e zakonshëm që protestojnë vazhdimisht, pavarësisht se kush i organizon protestat, të detyruarit, organizuesit etj. Megjithëse marrin pjesë grupe apo shtresa të ndryshme shoqërore vërehet një dukuri e përgjithshme: gjithnjë e më pak protestues po shikojmë në sheshe. Gjithkush pyet veten dhe kërkon arsyen: pse është kjo dukuri, pse e kemi këtë fenomen sidomos në vitet e fundit? Çfarë ka ndodhur me qytetarët shqiptarë që nuk protestojnë? Çfarë ka ndodhur me grupet shoqërore të prekura nga skamja, varfëria e papunësia? 
01
Pse në protesta shkojnë më pak njerëz
Do ishte e mira që këtyre pyetjeve t‘u përgjigjeshin Partitë Politike, shoqatat e shoqërisë civile dhe të ambientalistëve, sepse ato kanë dalë të prijnë qytetarët kundër qeverisjes. Por, këto forca politike dhe shoqërore nuk japin ndonjë përgjigje konkrete, përkundrazi në fjalimet e tyre rrisin artificialisht shifrat e pjesëmarrësve në protesta, rrisin kërcënimet dhe fjalorin sharës të tyre. Në këtë artikull unë do jap mendimet e mia modeste, pa bërë shteruesin e argumentit, se përse gjithnjë e më pak njerëz shkojnë në protesta. Që të shkosh në një protestë e para, duhet të marrësh në konsideratë, se kush e organizon protestën dhe e dyta, çfarë alternativash do japin ata që e organizojnë këtë protestë për problemin që mblidhen. Opozita organizoi në muajin janar një protestë ku ftoj gjithë shqiptarët të dilnin në shesh, pa dallim partiak. Në bulevard për protestë u grumbulluan nga e gjithë Shqipëria, erdhën me mjete të vogla dhe me autobusë. Qeveria nuk pengoi askënd të vinte në Tiranë për të protestuar. Në këtë protestë nuk besoj se ishin më shumë se nja 30 mijë veta. Folësit këtë shifër e dhjetë dhe pesëmbëdhjetëfishuan, aq sa një ish-lider historik tha se në shesh ishin 500 mijë shqiptarë. A janë të besueshëm këta njerëz që organizuan këtë protestë? Për mua nuk janë të besueshëm. Është pikërisht Basha, lideri i Opozitës mbi të cilin rëndojnë disa akuza si firmosja e Marrëveshjes së Detit me Greqinë, vrasja e 4 protestuesve të zakonshëm në 21 janar para Kryeministrisë, shpërdorimi i qindra milionë eurove në rrugën Durrës- Kukës të konstatuara nga Kontrolli i Shtetit, dështimi si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, zhgënjimi që u bëri protestuesve të çadrës etj, etj. Po kështu si për Bashën mund të rendis arsye edhe për Fatmir Mediun që kur ishte Ministër i Mbrojtjes plasi skandali në Gërdec ku humbën jetën 26 veta dhe nuk u dënua askush. Si mund ta besoj Vangjel Dulen që u këput në mes duke mbrojtur “të drejtat e minoritarëve” dhe duke mos thënë asnjë fjalë për çështjen çame? Kështu mund të vazhdoj me të gjithë të tjerët. Nuk ka asnjë arsye pse t’i shoqërosh dhe t’i mbështesësh më, janë të pa besueshëm. Nëse në vendin e Bashës do ishte Astrit Patozi, Majlinda Bregu etj. atëherë do kishte motiv për të dalë në protestë, por PD-ja i largoi nga radhët e saj njerëzit më të mirë. 
02
Përgjigja e pyetjes së dytë: Çfarë alternativash japin këto parti? 
Unë nuk kam parë asnjë alternativë. Protestat e organizuara kanë qënë pa motiv, me motive banale, të protestojmë për varfërinë, të protestojmë për papunësinë, për mjekësinë, për arsimin, për koncesionet, për privatizimet, për Ramën e Tahirin, për ….detin.. Ky i fundit ishte motivi më qesharak që kam dëgjuar ndonjëherë. Të protestojnë për detin ata që ia falën detin Greqisë, dhe pa pikë turpi një ish i tyre del dhe thotë marrëveshja do bëhet kur të kalojë mbi trupat tona, një tjetër ish-lider del dhe thotë nuk keni ku veni atë marrëveshje do firmosni. Turp e për faqe të zezë, more dallkaukë! Po si mund të jenë të besueshëm këta lloj tipash, por me këta tipa Qeveria e Edi Ramës do fitojë edhe nja 4 Mandate të tjera, pa lëvizur fare nga vendi . Çfarë alternativash ofroi Basha në fushatë? Ofroi alternativa absolutisht të pa realizueshme, sepse kaloi çdo cak të premtimeve, sepse edhe gënjeshtra në premtim ka një kufi. Basha e tejkaloi këtë kufi dhe u bë plotësisht i pa besueshëm. Do ulim taksat, do ulim TVSH-në, do vendosim taksën e sheshtë, do heqim pagesën e librave, do t’u japim drekën falas gjimnazistëve, do ulim pagesat e studimeve për studentët, do luftojmë koncesionet etj. Të gjitha këto janë të pa realizueshme sepse falimenton qeveria, nëse bëhen. Nuk dha ndonjë alternativë për dy nga problemet më kryesore që ka sot shoqëria shqiptare: Rritja ekonomike reale dhe ulja e papunësisë, formalizimi i shtetit dhe zbatimi i ligjit. Basha mendon se duke i shpallur luftë kanabisit do fitojë përkrahjen nga qytetarët. E gënjen mendja, do fitonte mbështetje, nëse do propozonte të legalizohej kultivimi i kanabisit industrial ashtu siç po bën Greqia dhe Italia. Është kanabisi që ka mbushur kanalet e qarkullimit me euro dhe që ka forcuar lekun shqiptar. Eliminimi tij do sjellë pasoja të rënda për ekonominë. Prandaj Basha para se të zërë në gojë Tahirin, le të zërë në gojë ata që kanë vjedhur taksat e shqiptarëve. Për këto probleme mund të shkruash me qindra artikuj, por unë do ndalem me kaq dhe do them nja dy fjalë për shoqërinë civile dhe ambientalistët. Shoqërinë civile e shpikën si të tillë vetë Partitë Politike, sepse punonjësit përfaqësohen nga sindikatat e tyre. Nuk ka ndonjë shtresë të caktuar shoqërore që të përfshihet në këtë grupim. Në këtë mënyrë këto shoqata nuk janë përfaqësuese të vërteta të popullit, sepse askush nga populli nuk i ka pranuar si të tilla. Në emër të popullit mund të flasë një deputet dhe vetëm për një grup të caktuar njerëzish dhe askush tjetër. Në këtë mënyrë ato janë shndërruar në shtojca të turpshme të partive, të cilat i ndërsejnë sa herë që kanë nevojë. 
03
Po çfarë problemesh trajtojnë këto shoqata?
Janë ngritur së fundi dhe kërkojnë të mos ndërtohet Hidrocentrali në Vjosë, të mos ndërtohet Hidrocentrali në Valbonë, të mos ndërtohet Hidrocentrali në Osum. Përgjithësisht të mos ndërtohen Hidrocentrale në lumenj, sepse e duam natyrën shqiptare të virgjër, të pa prekur. Unë do t’iu thosha këtyre ambientalistëve; çfarë e gjeti Kukësin e Tropojën nga Liqeni Fierzës, pati humbje apo përfitime, çfarë e gjeti Gramshin dhe gjithë zonën nga Liqeni Banjës, pati humbje apo përfitime, nga Ulza, Shkopeti etj. Të gjithë kanë përfituar më shumë sesa kanë humbur. Çfarë do humbasë Skrapari nga Hidrocentrali në Osum? Asgjë nuk do humbasë vetëm do fitojë çdo ditë energji. Sportistët e raftingut le ta zëvendësojnë këtë sport me garat me kanoe. Nuk mund të mbahet peng një burim energjie me pretekstin se po na ulet numri turistëve. Sa i përket turistëve e kam thënë dhe do ta them që Shqipëria nuk është vend që të bazohet te Turizmi, është vend që ka pasuri minerare dhe mbitokësore si asnjë vend tjetër i Ballkanit. Një pasuri që ja ka falur zoti por që për fat dalin këta njerëz dhe kërkojnë që për qefin e tyre, për “adrenalinën e tyre” ne të sakrifikojmë zhvillimin ekonomik dhe punësimin. Për Hidrocentralin nuk ankohen Skrapalinjtë, vendasit, por ankohen Tiranasit, ca shoqata pa emër. Hajde mere vesh këtë punë, i zoti e shet tellalli se jep.

– Përse të mos ndërtohet hidrocentrali mbi Vjosë, çfarë do humbasin vendasit? Përgjigja ime është; Vendasit nuk do humbasin asgjë vetëm do fitojnë. Do përmbyten ca toka por hidrocentrali do ti japi zhvillim të gjithë zonës. Do bashkojë dy krahët e Vjosës, Kalivaçin me Shkozën, do zbuti klimën, do shkurtojë rrugën për në Memaliaj, do rregullojë regjimin ujorë të Vjosës në rrjedhën e poshtme të tij dhe nuk do ketë më përmbytje në zonën e Vlorës, në Novoselë e më gjerë, do krijojë industrinë e akuakulturës dhe do japë çdo ditë energji elektrike. Prandaj Edi Rama nuk duhet të tërhiqet nga shfrytëzimi i këtyre resurseve natyrore.

-Të mos ndërtohen komplekse turistikë në Nartë të Vlorës, në Himarë, në Lukovë, në Plazhin e Gjeneralit, në Karavasta etj. Këto komplekse turistike janë të nevojshme dhe të domosdoshme, sepse do futin Turizmin cilësor, do vijnë turistë nga veriu i Evropës, do kemi turizëm elitar. Në Strugë ku ka aeroport çdo vit vijnë nga Holanda direkt me mijëra turistë, në një kohë që Vlora është nja dhjetë herë më e madhe se Struga dhe ka det. Vlora ka më pak turistë elitarë se sa ka Struga dhe Ohri. Pse të mos ketë Komplekse që ndërtohen, pse të mos të ndërtohet aerodromi dhe të ketë linja direkte me vendet nordike ku të tërhiqen të gjithë turistët nga Danimarka, Holanda, Belgjika, Norvegjia, Gjermania etj. Nga turistët e sotëm pjesa më e madhe e tyre në Shqipëri vijnë nga Kosova dhe Maqedonia.

-Të mos ndërtohen termocentrale me qymyr dhe naftë se ndotin ajrin. Ambientalistët le të ngrihen pse nuk është vënë në punë TEC-i Vlorës dhe jo pse u ngrit, ku shkuan milionat e eurove. Të ngrihen dhe të ulërijnë pse nuk punon TEC-i Fierit, Korçës etj. A e dinë këto shoqata se jemi nga vendet e fundit për sa i përket energjisë në Evropë, ia kalojmë vetëm Malit të Zi dhe Maltës që është një ishull pa asnjë lumë as sa Osumi.

-Të mos ndërtohen linja të Grumbullimit e të përpunimit të Plastikës, të grumbullimit e përpunimit të letrës, të aluminit etj. Të mos ngrihen inceneratorë se na ndotin ambientin. Për këto probleme kam shkruar nja dy herë dhe nuk ia vlen të bëj një analizë të thellë. Por dua të theksoj se nuk ka asnjë arsye që nga Kina dhe Turqia të importojmë produkte letre dhe plastike, produkte alumini, mjafton të importojmë fabrika dhe uzina dhe produktet t’i prodhojmë në vend. Deri sa është lënda e parë nuk ka arsye pse të mos zhvillohet kjo degë e industrisë, vetëm punësime do kemi, vetëm fitime a asnjë humbje.

-Të mos ndërtohen fabrikat e përpunimit të bakrit, të kromit e të hekurit se na humbet historia dhe na ndotet ambienti. Kjo është kërkesa më e turpshme që kam dëgjuar. Mos e bëj ti fabrikën, bëje nga ana tjetër e malit që unë të shikoj burgun ku kam kaluar nja dhjetë vjet. Mos e bëj Fabrikën e përpunimit të Kromit në Durrës se më ndot ambientin. Këto janë ca përralla të këtyre njerëzve me mëndje të tredhur, që e shikojnë qytetërimin dhe zhvillimin si një e keqe dhe jo si një ecuri, si një domosdoshmëri. Qeveria Rama nuk duhet të tërhiqet, të vazhdojë përpara, pavarësisht nga mendimet dhe protestat e tyre. Kinezët e Turqit e marrin bruto mineralin tonë dhe e përpunojnë në vendet e tyre, sepse është i pasur edhe me flori. Ne e kemi këtu dhe e përbuzim se duam ajër të pastër. 

-Të mos ndërtohen Kulla në Tiranë, të mos betonizohet Tirana, duam lulishte e jeshillëk. Të mos ndërtohet Kulla pas 15 katërshit, të mos ndërtohet Kulla te teatri, të mos ndërtohet kulla në fund të Bulevardit të ri, të mos ndërtohet kulla te Banka, të mos ndërtohet…. Çfarë janë këto? Kush ka alergji nga zhvillimi? Dhjetë kulla do sjellin vetëm punësim e mirëqenie, qytetërim, do sjellin progres dhe nuk do ndotin as ambientin, dhe nuk do t’i bëjnë dëm askujt. 

04
Por çfarë kanë dashur këto shoqata? 
Asnjëherë nuk kanë dashur progresin, asnjëherë nuk kanë dashur mbetje e tym. Harrojnë këto që mbetjet dhe tymi janë tregues të një shoqërie në zhvillim të një shoqërie industriale dhe jo primitive. Qeveria duhet të vazhdojë punën, le të flasin këta tipa. Nga këta tipa unë kam dëgjuar çudira, nga këta tipa me zë të çjerrë, që a thua se u preu barku për artistët. Edi Rama nuk duhet të tërhiqet duke mbajtur në konsideratë moton “Shqipëria mbi të gjitha” duhet të shpalosë vendosmërinë e tij që siç bëri Tiranën ta bëjë edhe Shqipërinë. Tiranën nuk e bëri Lali Eri që po merr lëvdata nga katër anët, Lali Eri di të bëjë mirë reklama. Tiranën, duam apo nuk duam ne, e bëri Edi Rama që zhduku Parkun Rinia, që zhduku katrahurën mbi Lanë dhe e ktheu në një vend qytetërues. I dha Tiranës dhjetëra rrugë të reja, Unazën e Vogël me një strukturë moderne, që lali Eri nuk i ka hedhur asnjë dorë asfalt pavarësisht se ka nja 10 vite që është bërë. Për mua Rama u largua vetë nga Bashkia e Tiranës dhe po kjo gjë do ndodhë edhe me Qeverinë. Me këtë punë që po bën dhe me këtë Opozitë që ka përballë Rama do largohet vetëm kur t’i mbushet mëndja. Është i vetmi që puna e tij do mbahet mend si Kryeministër, po vendos shtet, po zbaton ligjin, po punon për rritjen reale ekonomike dhe uljen e papunësisë. Së fundi, ka bërë edhe një veprim që s’e ka bërë asnjë qeveri tjetër. Po hartohet Strategjia Kombëtare e Punësimit në Bashkëpunim me Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë dhe të specialistëve të fushës. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që qeveria të marrë mendimin e pedagogëve të Universiteteve. Pikërisht këtë po e bën Qeveria Rama dhe Komisioni i Ekonomisë së Parlamentit Shqiptar. A mund ta rrëzojë Ramën një lider që qahet se Rama u paska thënë çifutëve, çifut dhe nuk u ka thënë hebrenj? A mund ta rrëzojë një Opozitë që votimin që të mos njohë Jerusalemin si Kryeqytet të Izraelit ta quajë si votë kundër Amerikës? Me këtë logjikë gjithë Evropa, Gjermania, Franca, Italia, Spanja etj. etj. qenkan kundër Amerikës? Me këto veprime Opozita vetëm i rrit vitet në pushtet qeverisë socialiste. Shoqëria civile dhe ambientalistët kanë edhe kërkesa të tjera, por nuk po i përmend për të mos u zgjatur. Me këto kërkesa Shqipëria duhet të kthehet në Komunën Primitive, se vetëm atëherë nuk ka pasur industri dhe njerëzit jetonin me prodhime bio dhe nëpër shpella. A duhet ta pranojmë logjikën e tyre? A duhet t’i kthehemi asaj periudhe? Unë do ta pranoja, nëse këta persona do jepnin alternativat përkatëse. Ku do punësohen shqiptarët? Ku do punësohen Tepelenasit, Skrapalinjtë, Tropojanët, Devollinjtë. Do vijnë të gjithë në Tiranë dhe të punësohen kamerierë, apo të punojnë në kollcentra, apo në fasoneri? Ku do venë? 

05
Vetëm nga Kinostudioja deri te 21 Dhjetori, bizneset që të zë syri janë: 
-Mbi 20 farmaci. Janë vende ku shkojnë të sëmurët. Është tregues i gjendjes shëndetësore të një vendi, sa më shumë farmaci aq më shumë të sëmurë dhe pleq ka një vend.
– Mbi 8 agjenci funeralesh. Është tregues i vdekshmërisë. Numri i tyre tregon për numrin e lartë të vdekjeve në një vend. 
– Mbi 15 agjenci të këmbimit të valutave. Rritja e numrit të tyre tregon se një pjesë e mirë e parave që përdorin qytetarët vijnë nga jashtë. Shtimi i tyre tregon për shtimin e emigrantëve e refugjatëve. 
– Mbi 10 lojëra fati. Njerëzit e pa shpresë kërkojnë shpëtim te lojërat e fatit. Janë tregues i dëshpërimit të qytetarëve të një vendi. 
– Me dhjetëra klube dhe zgara. Janë vende ku gjejnë ngushëllim njerëzit, më së shumti të rinjtë. Sot në Shqipëri është rritur numri i duhanpirësve i alkoolistëve dhe i të droguarve.

Ky është biznesi që bëhet brenda Tiranës. A kanë Qendra Industriale Tirana, Durrësi, Shkodra, Korça etj, etj ? Ku është Qendra Industriale e Tiranës dhe cila është perspektiva e saj. A kanë dhënë ndonjë mendim këto shoqata? Sepse është kollaj të kritikosh, por është e vështrirë të japësh alternativa, të gjesh rrugë zgjidhje. Kush është ai që nuk e do ajrin të pastër, të gjithë e duam, por duam edhe fabrikën të punojmë, qoftë edhe pjesërisht i ndotur ajri, mjafton të jetë në parametrat normale. Disa nga këta njerëz që shqyhen duke kritikuar Qeverinë marrin rroga milionëshe nga qeveria, fëmijët e tyre janë të punësuar në qeveri dhe nuk kanë ndonjë të papunë në shtëpi, nuk kanë ndonjë fëmijë refugjat që të dinë sa të dhemb vendi i punës. Unë mbështes plotësisht qeverinë në punën e saj për hidrocentralet, komplekset turistike, ndërtimet e grataçielave dhe jam kundër këtyre shoqatave dhe jam kundër aktorëve të teatrit që shtyjnë të mirën me këmbë. Jam kundër atyre që ulërijnë gjithë ditën dhe nuk japin asnjë alternativë. Edi Rama duhet të vendosë përballë tyre moton: “SHQIPËRIA MBI TË GJITHA”. 
Sigal