Përroi kurues i Llixhës mbushet me kafshë të ngordhura, pushuesit marrin arratinë

761
Prej disa javësh uji i dalë nga burimet e Llixhës, i cili bashkohet më pas me përroin e Treganit është kthyer në vend, ku derdhen dhe groposen kafshët e ngordhura, duke rritur frikshëm ndotjen e krejt basenit. Pushuesit dhe kryesisht pacientët që vuajnë nga sëmundje si reomatizma, apo sëmundjet e tjera patologjike kanë parë me sytë e tyre tmerrin, kur kanë ndeshur mbi ujin kurues të Llixhave të Treganit, mace, minj, qen dhe shpendë të ngordhura, që kishin mbushur shtratin e përroit. Ata kanë ngritur leckat dhe janë ankuar tek pronarët e banesave dhe hoteleve, duke u larguar të tmerruar dhe duke deklaruar se, “kjo nuk ka ndodhur as kur ujërat e Llixhës ishin pa administrues dhe kur shteti kishte marrë fund në vitin 1997, edhe asokohe kemi ardhur dhe bërë banja si njerëz, kurse sot zbuluam një ndotje katastrofike”. Banorët e Treganit thane se, “ndotja ka 2-3 vjet që ka nisur, por ish-komuna nuk merrte masa fare ose bënte gjoja pastrime të pjesshme, duke groposur kafshët e ngordhura buzë përroit”. Ujërat termale të Treganit njihen si mjaft kurues dhe nuk ka shtëpi të atij fshati, që të mos ketë krijuar dhoma kurative duke futur ujin e “bekuar”, pavarësisht erës së rëndë që ka, duke strehuar çdo sezon dhjetëra e dhjetëra pacientë nga Elbasani dhe rrethet. Në Tregan, veç banesave të kthyera në vende ku bëhen banjot ditore dhe 2 javore, ka edhe hotele me shtretër që presin dhe përcjellin çdo muaj qindra persona që vuajnë nga reomatizma kronike dhe sëmundjet e tjera, si ajo e lëkurës, kockave dhe deri tek ajo e zemrës. Por situata më e fundit, e cila është zbuluar nga pacientët, të cilët pas banjove, pasdite shëtisnin buzë përroit, duke parë shtratin e tij të mbushur me kafshët e ngordhura, duket se ka përmbysur gjithçka. Ata janë ankuar tek pronarët e banesave të marra me qira, tek pronarët e hoteleve dhe dhomave ku bënin banjat, duke kërkuar shkakun e ndotjes dhe janë larguar. Nga ana e tyre, pronarët e banesave dhe hoteleve bëjnë fajtorin e vetëm ish-kryekomunarët e Llixhës, por edhe Agjencinë e Mjedisit dhe organet e shëndetësore, të cilat kanë qenë jo vetëm indiferente ndaj kësaj katastrofe, por janë munduar shpesh të mbulojnë skandalin. Bëhet fjalë për një prag epidemie, e cila mund të shtrihet edhe në rrethet e tjera, pas ndonjë sëmundje që mund të kenë marrë pacientët e ardhur për tu kuruar. Një grua nga Durrësi rreth të 60-tave tha se, “kisha 5-6 ditë që kisha ardhur, kisha marrë një dhomë me qira dhe bëja banjo llixhe, por kur pamë me sytë tanë grumbullin me kafshët e ngordhura vumë alarmin, kishim bërë banjo me ujin kurues të ndotur nga kafshët e ngordhura, të cilat kishin krijuar një ndotje skandaloze, u larguam dhe nuk e di se kur do të kthehem atje, pavarësisht se kam nevoja shëndeti”. Zbulimin e kësaj ndotje, të shkaktuar nga grumbullimi i kafshëve të ngordhura në përroin kurativ të ujit të Llixhave, banorët e kanë denoncuar fillimisht tek mediat dhe pastaj edhe tek Agjencia e Mjedisit dhe Shëndeti Publik, por duket se deri dje nuk ishte marrë asnjë masë për të rehabilituar vatrat e ndotjes katastrofike. Zgjatja e tepruar dhe e qëllimshme e marrjes së masave si dhe vonesat e qëllimshme të strukturave të shtetit, do të vonojë dhe pengojë ardhjen e qindra pushuesve nga rrethet që kanë nevoja shëndetësore për ujin kurativ. Njëherësh, çdo vonesë do të sillte edhe mbylljen qoftë edhe të përkohshme të qindra dhomave private, ku bëhen banjat në vaskat me ujin e llixhave dhe do t’u mbyllte atyre banorëve burimin financiar, me të cilin mbajnë familjet me bukë. Llixhat e Elbasanit njihen në shkallë vendi, por edhe jashtë kufijve tanë shtetërorë, si vende, ku uji i tyre ka bërë mrekullira. Banorët thonë se, qysh herët, por edhe vitet e fundit kanë ardhur edhe të huaj nga Italia, Greqia, Malta, Zvicra, por edhe SHBA, kryesisht shqiptarë të larguar prej dekadash, por që kishin dëgjuar për vetitë kuruese të Llixhave të Elbasanit. Ngjarja e fundit duhet konsideruar një tragjedi mjedisore, për të cilën duhen marrë masa urgjente, ndryshe banorët do të jenë të detyruar të denoncojnë shkaktarët dhe t’i drejtohen organeve kompetente.
Sigal