Përplasje mes këshilltarëve të PS dhe LSI në Fier

471
Pas zgjedhjeve të 21 qershorit 2015, u dukën plasaritjet e para të marrëdhënieve PS-LSI. Kjo për arësyen e vetme, sepse të dyja këto parti i përkasin elektoratit të Majtë, ndaj lufta në prapaskenë (pavarësisht se në sipërfaqe dhe në nivelin e lartë ende ruhet statukuoja e marrëdhënieve korrekte). Lufta e bërrylave bëhet gjithnjë më e ashpër. Kjo sepse PS humbjen e saj elektorale, të 311.321 votave më pak në 23 qershor 2015 nga zgjedhjet e 2013, e kërkon te rritja e njokohshme e elektoratit të LSI, e cila thuajse u dyfyshua e krahasuar me 2013. 

PS nuk votoi në 23 qershor 2015 kandidatët e LSI për kryebashkiakë
Që para zgjedhjeve të 23 qershorit, kishte një strategji të mirëhartuar nga kupola e PS, e cila u dha për zbatim drejt forumeve të PS nëpër bashki, ku u dha orientimi që në ato bashki, ku kandidatë për kryebashkiakë janë nga LSI, militantët socialistë të mos i votojnë. Kjo sjellje shpjegon që në bashki të tilla, si në Pogradec, Selenicë, Mallakastër, por edhe në Lezhë dhe Vorë, socialistët fituan shumë mandate të këshilltarëve bashkiakë, por u humb mandati i kryebashkiakut. Kjo analizë, që u bë në kupolat e LSI solli reagimet e para, dhe ftohjen edhe të Ramës me Metën. Por kjo pasaritje dhe ftohje e marrëdhënieve PS-LSI solli krisjen sidomos në votimet për kryetarin e Këshillave Bashkiakë si edhe në këshillat e qarqeve, ku thuajse në 58 bashki, maxhoranca ka shumicën, mirëpo votat e këshilltarëve të PS dhe të LSI në shumë prej tyre u ndanë, duke u bashkuar me votat e këshilltarëve të PD. Tashmë, nuk është thjesht plasaritje, nuk është më krisje në marrëdhëniet PS-LSI, nuk është më çështje individuale, apo sjellje e disa personave të caktuar, por është çarje e madhe e vetë koalicionit PS-LSI, që nuk mund të mbyllet me suvatizma, e ca më pak, me bojatisje. 

Në Fier përplasen këshilltarët e PS-LSI
Në Fier, dje në këshillin bashkiak të qytetit ndodhi përplasje mes këshilltarëve të PS dhe LSI-së Dy kanë qënë pikat e nxehta që kanë ngjallur debat në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak të Fierit: dëmshpërblimi i të përmbyturve nga reshjet e fundit dhe pika e grumbullimit të mbetjeve inerte. Ishin këshilltarët e LSI-së që kërkuan të parët informacion se çfarë kanë bërë grupet e punës të ngritura nga bashkia në lidhje me dëmshpërblimet e banorëve dhe bizneseve të përmbytura nga dalja e lumit Gjanicë. Por kjo çështje nuk është prekur nga këshilltarët socialistë, gjë që ka çuar në përplasje verbale mes palëve. Pika e dytë ishte shpallja e emergjencës ekologjike, me këshilltarët socialistë që kërkuan mbylljen e pikës aktuale të grumbullimit të mbeturinave inerte. Por këshilltarët e LSI-së kërkuan një ndërprerje për të formuluar qëndrimin e tyre mbi këtë çështje. Qëndrimet e kundërta mes këshilltarëve socialistë dhe LSI, çoi edhe në përplasje verbale, për të zgjidhur me dhunë mosmarrëveshjet, thua se palët ishin maxhorancë dhe opozitë, dhe jo një grupim i njëjtë politik. Gjithsesi, të shikojmë në të ardhmen, nëse çarja politike PS-LSI edhe ën pushtetin vendor do të jetë e riparueshme, apo do të jetë përfundimtare. Gjithsesi, PS pa ndihmën e LSI nuk ka në asnjë këshill bashkiak maxhorancën. 
Sigal