Përplasja e babait të Arba Kokalarit me Kadarenë, shkrimtari: Ambasadori më dogji NOBEL-in

1117
Sigal

Arba Kokalari, mbesa e Mysyne Kokalarit, e përndjekur nga regjimi komunist, arriti që të marrë zemrat e popullit suedez e kësisoj të zgjidhet si eurodeputetja e parë shqiptare.
Arba Kokalari, është e bija e Bardhyl Kokalarit, ambasadorit të parë shqiptarë në Suedi, por që akuzohet nga shkrimtari Ismail Kadare, si personi që kishte punuar kundër marrjes së çmimit “NOBEL” nga ai.

Kadare do të akuzonte Kokalarin si personi që kishte ndikuar tek juria suedeze për të mos i dhënë çmimin “NOBEL”.

“Një ish-ambasador i Shqipërisë në Suedi, ka kundërshtuar nominimin tim me këtë çmim. Ky ishte një veprim skandaloz, saqë edhe vetë shtypi u mor gjatë me këtë çështje. E ç’është më e keqja, ai ambasador ishte nga Gjirokastra”, tha ai.

Por ndonëse Kadare nuk zbuloi emër, sipas “Gazeta Shqiptare”, e 17 nëntorit të vitit 2008, në sallën ku u organizua takimi mbi emrin e ambasadorit që guxoi kontestimin e dhënies së çmimit Nobel, u “zbulua” nga vetë miqtë që shoqëronin shkrimtarin e madh. Kjo gazetë asokohe shkruante se “Bëhet fjalë për Bardhyl Kokalarin nga Gjirokastra, i cili ka qenë ambasador në Suedi gjatë viteve 1992-1995”.

Nga ana tjetër, ish-kryeministri Sali Berisha, me kërkesë të Kadaresë, shkarkoi Bardhyl Kokalarin, nga posti i ambasadorit.

Por vetë diplomati Kokalari ka mohuar një gjë të tillë, ndërsa në një intervistë do të shprehej se ishte hera e parë që e dëgjonte këtë. Bardhyl Kokalari sfidoi më tej asokohe mediat por edhe vetë Kadaren, duke thënë se nëse ai kishte shkruar letër ndaj Jurisë së Akademisë së Shkencave, do të ishte lehtësisht e aksesueshme për publikun.

Pjesë nga intervista e Bardhyl Kokalarit

Shkrimtari i njohur Ismail Kadare u shpreh gjatë vizitës së tij në Gjirokastër, se ju keni kundërshtuar nominimin e tij për çmimin Nobel në vitin 1994 ndërkohë që ishit ambasadori i Shqipërisë në Suedi?

Kjo është krejtësisht e pavërtetë. Mua as më ka shkuar ndër mend një gjë e tillë e jo më t’i shkruaj letër Akademisë për të kundërshtuar nominimin Kadaresë, për çmimin Nobel.

E mbi të gjitha në atë kohë unë kam qenë Ambasador i Shqipërisë në Suedi, çka do të thotë kam qenë në funksion e në mbrojtje të shqiptarëve e jo kundra tyre, e mbi të gjitha kundra një shkrimtari si Kadareja.

E keni lexuar intervistën e Kadaresë nga Gjirokastra?

Tani nga ju po e mësoj sepse nuk e kam lexuar.

Pra ju e mohoni kategorikisht këtë fakt, ndërkohë si ka mundësi që përflitet emri juaj?
Është vërtetë absurde, por po ju sugjeroj diçka. Suedia është një ndër vendet më të lira në botë, ku çdo kush ka mundësi të hapë dokumente, e nëse unë paskam bërë një letër kundra tij, pranë Akademisë së Letërsisë, sigurisht që do jetë e arkivuar dhe gjendet lehtësisht. Akuza mund të hedhë kush të dojë, por në fakt shkrimtari Ismail Kadare a jua tregoi dokumentin që vërteton këtë akuzë gazetarëve?

Me sa di unë jo, sepse një gjë e tillë nuk ekziston.