Përparim HALILI/ Kryetarët i bashkive, kanë “kompetencë” vetëm… çelësin e kashtës

502
Sigal

Janë disa probleme që, edhe pse trajtohen e ritrajtohen me mijëra herë në media, mbledhje qeverie, parlament e konferenca, mbeten pa u ndryshuar. Po rikujtoj një episod, për të dalë tek problemi. Është fjala për kompetencat e pushtetit lokal. Ja episodi:

Pak kohë më parë, një qytetar nga qyteti D…. më dërgoi një e-mail, nëpërmjet të cilit akuzonte kryetarin e bashkisë, mbasi sipas tij jetonte në varfëri, nuk kishte asnjë zanat dhe kryetari nuk e fuste në punë, si roje shkolle. Dhe qytetari më lutej, që nëse do kisha mundësi, ta trajtoja ankesën e tij në gazetë. Rasti e solli, që unë të shkoja në qytetin D…. Kontaktova me kryetarin e bashkisë, lidhur me ankesën e qytetarit. Ai më shpjegoi, se bashkia nuk ka asnjë kompetencë për të futur askënd në punë as në arsim, as në shëndetësi, as në dogana, polici etj., përveç administratës së institucionit dhe punonjësve të gjelbërimit.

Duke marrë shkas nga çfarë më tha kryetari, biseda u përqendrua tek kompetencat që ka realisht pushtetit lokal. Kryetari, më tha: – “Pushteti lokal, ka disa kompetenca si p.sh, regjistron të lindurit, ç’regjistron të vdekurit. Jep certifikata. I shërben policisë, kur ajo i kërkon identitete personash me të cilët ka probleme. Mban inventarin e fshesave të pastrueseve të rrugëve. Udhëzon rojën e portës dhe pastruesen e bashkisë, për të kryer detyrat sa më mirë. Harton listat e ndihmës ekonomike dhe e shpërndan atë, kur i akordon qeveria. Përgjon ndonjë ndërhyrje urbanistike pa leje dhe e denoncon në INUK e polici. Zëvendëson llambat e ndriçuesve të rrugëve kur digjen, natyrisht kur ka fonde. Njofton policinë, kur vjedhin koshat e mbeturinave dhe kapakët e pusetave. U bënë thirrje banorëve, të mos hedhin mbeturinat në mjediset publike. U bënë thirrje tregtarëve të paguajnë taksat. Pajton dhe sqaron shoferët e taksive, furgonëve e autobusëve kur grinden e rrihen me njeri-tjetrin për oraret. Bënë apelin ditor të zyrtarëve, kush mungon e kush vjen me vonesë në zyra. Dy-tre herë në ditë, p.sh., (sipas kryetarit) kryetari del nëpër mjediset publike të qytetit duke bërë 2-3 xhiro në këmbë, që ta shikojë populli që është në detyrë.

– I thashë, kryetarit: – Këto, që bëni ju, më duket se janë detyra rutinë të pushtetit lokal, në kuptimin e plotë të fjalës, këto nuk janë kompetenca.

– Kryetari tundi kokën e më tha: -E di që janë detyra rutinë e jo kompetenca, por ne si pushtet lokal, vetëm këto kompetenca kemi.

– E pyeta: – A ia keni kërkuar të keni kompetenca nga ligjvënësi dhe qeveritë e këtyre viteve?

– Kryetari mblodhi buzët e më tha: – E, po kemi kërkuar, por nuk na është dhënë asgjë! Kur shkonim në ndonjë seminar, flitej e premtohej për kompetencat dhe me kaq, problemi mbyllej e lihej… siç është. Deri sot që flasim, kemi vetëm këto kompetenca: ndajmë certifikata, ruajmë koshat e plehrave dhe njoftojmë CEZ të ndez e fik dritat e rrugës.

Ndërsa bisedonim për kompetencat, trokiti dera e zyrës. Dikush zgjati kokën e tha:

– Zoti kryetar, ta marr pak çelësin?

– Posi ore jo, merre!, – i tha kryetari.

Personi zgjati dorën mbrapa derës së zyrës, ku ishte një çelës i varur në gozhdë. Nuk vonoi dhe po ai person trokiti përsëri, hyri dhe pa folur, vendosi çelësin prapa derës së zyrës e iku duke përshëndetur me tundje koke.

Sa nisëm bisedën, dera trokiti e u hap përsëri. Një tjetër person, zgjati kokën dhe kërkoi çelësin. Edhe ky, veproi ashtu si i pari. Mori çelësin dhe pas pak minutash e ktheu çelësin, duke e varur përsëri në gozhdën prapa derës së zyrës. Kështu vazhdoi rituali i çelësit, me disa të tjerë. Trokisnin, hynin në zyrën e kryetarit, merrnin dhe kthenin të njëjtin çelës, duke e varur tek gozhda prapa derës. Kurioz nga ky çelës që kërkohej kaq shumë e që na kishte ndërprerë afro 10 herë bisedën, pyeta kryetarin:

– Zoti kryetar, më falni por nëse nuk konsiderohet ndërhyrje në kompetencat tuaja, jam kurioz të di, ç’është ky çelës që kërkohet kaq shumë në bashki dhe që qëndron vetëm në zyrën tuaj?!

– Eh… psherëtiu kryetari, duke fërkuar mjekrën! Ky, që ta dish ti o zoti gazetar është çelësi më i rëndësishëm në bashki. Është çelësi i WC-së. Sipas një rregulli të brendshëm, vendosur prej kryetarëve të bashkive, ose shefave siç na thonë, çelësin e WC-së e mban në zyrë vetëm kryetari, d.m.th e mbajë UNË. Ata që e kërkojnë çelësin, janë punonjësit e bashkisë, të cilët kanë të drejtë të vijnë e ta marrin dhe e lënë përsëri këtu, prapa derës së zyrës time. Kur mungoj unë e mban shefi i administratës. Jo për mburrje, por zyrtarisht çelësi i WC-së është “kompetence” imja, si kryetar.

Ndërsa kryetari po vazhdonte të na fliste për kompetencën e çelësit, trokiti dera e zyrës dhe brenda hyri me vrull personi që e kishte marrë çelësin i fundit, duke folur i tronditur:

– Zoti kryetar, zoti kryetar, më ra!

– Çfarë të ra ore, fol?!, – iu drejtua kryetari gjithë ankth, duke u ngritur në këmbë.

– Çelësi, zoti kryetar, çelësi i WC-së! Më ra në vrimën e banjës!

Pa i kthyer përgjigje personit, kryetari, m’u drejtua mua:

– Ja, o zoti gazetar… edhe një kompetencë që kishim, na ra në… hale!