Përmeti fton: Eja vizitoje njëherë….. Pastaj e di që nuk do të kesh nevojë për ftesë

1184
Logua digjitale është “Shiko, përzgjidh, shijo”. Vizitori përmetar është çdo çast i privilegjuar 
Kjo mrekulli, kjo shenjtëri që mes shushurimës së valëve, sjell e përcjell vizitorë, shushurimë që bashkëbisedon shtruar me ta, duke risjellë shpërndarë fjalët magjike të Nolit: “Sofrën shtruar si për mbret, të tillë gjen veç në Përmet”…

Mikpritja për ta është trinomi: Pres me përzemërsi, qeras me ëmbëlsi, përcjell me dashuri. Mikpritja bashkëjeton me shijen e verës e dollinë e rakisë, të cilat po kaq gjatë kanë rrjedhur e rrjedhin në dejet e vreshtarisë. Simboli që lidh këtë trinom është bima magjike…Hardhia!

Lugina e Vjosës dhe mikpritja përmetare, janë dy krijesa që e vetëshpallin këtë trevë, “On line” zonë turistike. S’është nevoja për marketing. Kjo luginë funksionon si një sistem digjital.. Me ty, gjithçka vetëprezantohet. Mikpritja, ndoshta është telekomanda, përse vizitorët vërshojnë në këtë mjedis të gjelbëruar zemrash që presin. Portali i hapur gjeografik e shfaq atë si një copëz parajse të krijesës natyrë. Gryka e Këlcyrës, ”Portë hyrëse ”… Një tunel gjigant, nën shpate malesh hijerëndë dhe kryelartë, gjithnjë me vështrim lartë. Eh!…Ai lart, ka përzgjedhur për këtë krijesë, arkitektët, bahçevanët, skulptorët e piktorët me më zë të kohërave. Lugina e Vjosës bashkudhëtare e çdo vizitori. Portali gjeografik stopon vështrimin diku majtas-lart, tek legjenda e Kalasë së Këlcyrës. Më në thellësi majtas, vështrimi rrëmben luginën e begatë të Dishnicës, poshtë kreshtave kryelartë të malit të Trebeshinës, me njerëz punëtorë, fisnikë e krenarë. Trebeshina, ky vendburim i ujit të kristaltë, që sot shuan etjen e miliona njerëzve nëpër botë. Sërish majtas, lart vijon parku Kombëtar Bredhi i Hotovës. Në zemër të Frashëllinjve. Bredhi?! Një “copëz” e mushkërive të gjalla të natyrës. Së fundmi, po majtas, kanionet misterioze të lumit të Lengaricës. Labirinte që fshehin brenda vetes histori të vendbanimeve Ilire. Dhurojnë në sipërfaqe ujëra termale kurative. Në të dyja anët e tokë e begatë ku njerëzit prodhojnë…rrush, bletët punëtore prodhojnë mjaltë. Djathtas, çdo çast vizitorët i përkëdhel Vjosa brigjegdhendur, ujëkthjellët e zhurmë ëmbël. Përtej saj gjithçka stolisur si qilim. Gjelbërim, që ngjitet shpat mali. Më sipër vargmale me borën e bardhë, si vello nusërie mbi krye. Përreth si unaza vezulluese qarkojnë: kisha, teqe e xhami, që mbartin brenda tyre trashëgimin të vjetër kulturore. Kisha e Kosinës, Bënjës, qytetit të Përmetit, Leusës, Legjenda e Shkëmbit të Lipës, teqeja e Alipostivanit, Frashëllinjve, monumente thesare të paҫmuara, që vizitori patjetër ti sodisë. Ato bekojnë cilindo: shëndet, begati e harmoni. Kjo trevë një kala e përjetshme, që pret , mbikëqyr dhe përcjell, sipas traditës përmetare. Rruga dhe Vjosa bashkëjetojnë në shekuj si dy arterie gjaku, që pasurohen me oksigjenin e mushkërive të gjelbërta, nën përkujdesjen e një populli punëdashës e mikpritës . Një çast udhëtimin e ndërpret qyteti i bukur i Përmetit. Ura e qytetit pikë takim, shkëmbi i qytetit objekt prezantimi. Shëtitorja me rrugët dhe rrugicat, sistem vetëmenaxhimi. Gjithçka sikur fton, orienton, vetëpërkujdeset. Gjithë koha e udhëtimit i ngjan një simpoziumi meditimi ,që përhap mesazhin ….Eja!….Eja mos druaj, jeni në shtëpinë tuaj. Si rrallë në glob gjen të ndërthurur natyrën magjepse e prodhimin bio, njeriun dhe mikpritjen . Shumëkush që vjen për herë të parë në këtë qytet , s’vonon ta quajë atë “Zvicra e Vogël” e Shqipërisë. Përmetarët në mungesë të mirëqenies zvicerane , ofrojnë mikpritjen tradicionale. Mikpritja për ta është trinomi: Pres me përzemërsi, qeras me ëmbëlsi, përcjell me dashuri. Mikpritja bashkëjeton me shijen e verës e dollinë e rakisë, të cilat po kaq gjatë kanë rrjedhur e rrjedhin në dejet e vreshtarisë. Simboli që lidh këtë trinom është bima magjike…Hardhia! Natyra , këtë bimë në glob e ka shpërndarë, në Përmet e ka hipotekuara. Ajo ka pasur shumë besim , prandaj përmetarëve ua ka lënë trashëgimi. Ata në shekuj me bimën e hardhisë kanë gatuar traditën e mikpritjes. Gatuajnë: Gliko, raki,verë, reçel, stafidhe, dollma…Gliko rrushi të amvisave duararta. Gliko të servirur me lugë mbi pjatë, vendosur në tavolina. Jo si frutë për të ngrënë, por si gur i çmuar, që përcjell ndjesinë, se mbi pjatë për zbukurim duhet lënë. Rakia e rrushit Mukat Debinë?! Kjo “drogë” tradicionale, që nëse është boi-përmetare, fiton statusin e një lëngu të “kursyer”në përdorim dhe “hipnotizues” në veprim. Hipnozë e ndjesisë që gjithnjë të jesh si i shtëpisë. Një dolli e ngritur me raki të jep privilegjin si krye sebepçi. Vera e rrushit Merlot Debine…! Ky lëng me ngjyrë si gjaku i Krishtit, veç vlerave kurative, përcjell mes njerëzish mesazhe: të mirësisë, dashurisë, miqësisë e begatisë. Reçeli i rrushit…! Këto kokrra të kristalta që si gjerdan i stërmadh mbledhur në pjatë, nëse shoqërohen me gjalpin ose djathin boi, përcjell pafund energji për të rritur e fëmijë. Stafidhet e rrushit…! “Çamçakizi” tradicionale, boi përmetare, me përtypjen që zgjat e shijon, që përhap e prish monotoninë dhe heq mërzinë e netëve të gjata. Vizitori përmetar është çdo çast i privilegjuar. Tradita e do që i zoti i shtëpisë, ta përcjellë atë deri tek porta e avllisë. Qytetarët ta përcjellin atë deri tek ura, nën shoqërinë e Vjosës zhurmë-ëmbël. Në këtë hapësirë, sërish traditë. Ngado lule, kudo trëndafila shumëngjyrësh. Përreth cicërima zogjsh, që me gjelbërimin bashkëjetojnë. Gjithandej, bare ,lokale, që si atloparlant shpërndajnë muzikë përmetare, kaba përmetare, si për të përcjelle vizitorët me këngë dhe valle . Vjosa…! Kjo mrekulli, kjo shenjtëri. Mes shushurimës së valëve, sjell e përcjell vizitorë. Shushërimë që bashkëbisedon e interviston me ta, duke shpërndarë fjalët magjike të Nolit: “Sofrën shtruar si për mbret, të tillë gjen veç në Përmet”…

Përmeti ju mirëpret! 

Përgatitja dhe ilustrimi fotografik
Muharem KAMANI
Sigal