Përmbytjet – Shembet rruga që të çon në Parkun e Antigonesë në Gjirokastër

530
Sigal

 Reshjet e ditëve të fundit kanë shkaktuar shembje të rrugës automobilistike që të çon në Parkun Arkeologjik të Antigonesë dhe lidh tre fshatra te njësisë administrative Antigone me qytetin e Gjirokastrës. Rruga është bërë tashmë e pakalueshme për automjetet për shkak të shembjes së plotë të saj dhe rrezikshmërisë që paraqet. Në shkurt të këtij viti kjo rrugë dha shenjën e parë të shkatërrimit të saj, pas shembjes së asfaltit.

Bashkia e qytetit gjeti një zgjidhje provizore duke bërë sheshimin e pjesës së mbetur çka do të mundësonte kalimin me vështirësi të automjeteve. Por duket se u mjaftua me kaq, duke mos u kujdesuar për një zgjdhje përfundimtare të kësaj situate e duke lënë në harrësë këtë segment të rëndësishëm rrugor. Investimet e bashkisë së qytetit, pjesë e së cilës janë tashmë edhe fshatrat e kësaj njësie administrative kanë shkuar për rregullimin e qendrës së fshatit “Asim Zeneli”, ndërsa emergjenca të tilla si ky segment rrugor janë në planifikimet dytësore të Bashkisë Gjirokastër.

Rruga Asim Zeneli – Antigone, me gjatësi 8 km është inauguruar në vitin 2011 falë një investimi të qeverisë shqiptare me vlerë 280 milion leke. Kjo rrugë lehtëson komunikimin për 1200 banorë të fshatrave Asim Zeneli, Krinë, Tranoshishtë dhe Saraqinishtë.