Përmbytjet, Rama: Ndihma për çdo familje, të mos ketë abuzime

522
Sigal

VLORE– Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Mirëqenies Sociale Erjon Veliaj, ka ndjekur nga afër shpërndarjen e ndihmave në zonat e përmbytura në jug të vendit. Shefi i qeverisë ishte në një nga fshatrat më të goditura të Vlorës, në Novoselë ku bëri thirrje që të mos ketë abuzime me shpërndarjen e ndihmave dhe çdokush të marrë atë që meriton.
 
“Mirënjohje dhe respekt për të gjithë forcat e angazhuara në këtë fazë të dytë. Organizimi i përgatitur me detaje do të jetë një operacion i suskesshëm, çdo familje të marri atë që i takon. Regjistri të respektohet dhe të mos ketë asnjë abuzim të kohës, të mjeteve dhe këtyre materialeve të grumbulluara. Ushqimi për bagëtinë të shkojë në destinacion dhe të mos mungojë, për të mos humbur më krerë. Është e dorës së parë për të përballuar me sukses operacionin duke i gjendur pranë çdo familjeje për të dhënë ndihmën e nevojshme. Do të japim dhe disa orendi elektroshtëpike, do të bëjmë zëvendësimin e tyre. Kjo është dita për të hapur një fazë kur të gjitha nevojat të jenë përpalluar”, deklaroi shefi i qeverisë. 

Rama: Ndihma me regjistër
Në një nga 9 pikat e grumbullimit të ndihmave, kryeministri Rama ka theksuar se është e dorës së parë nevoja morale për t’iu gjendur pranë çdo familjeje. “Kjo fazë e dytë është shprehja më kuptimplotë e solidaritetit të shqiptarëve ndaj banorëve të prekur nga përmbytjet, ndërsa ne kemi për detyrë që t’i shtrijmë këto ndihma deri sa të normalizohet situata. Dua të theksoj këtu edhe falenderimin nga zemra për Prefekten e Vlorës, deputetët e këtij qarku si dhe kryepleqtë e fshatrave, të cilët përbëjnë një bazë solide për shpërndarjen e emergjencave”, është shprehur kryeministri Rama.

Hoxha: Familjet do të marrin mbështetje sa herë të jetë e nevojshme
Prefektja Etjona Hoxha është shprehur se “magazinimi është gjëja e parë që u mendua të bëhej pas asaj situate thuajse alarmante pas fatkeqësisë natyre, ndërsa gjithçka po funksionon bazuar mbi të dhënat që sollën kryepleqtë e fshatrave, duke siguruar se të gjitha familjet e përmbytura kanë marrë dhe do të marrin mbështetje sa herë të jetë e nevojshme”.

Prençi: Në magazina ka ndihma për të përballuar situatën
Nga ana tjetër, drejtori i Emergjencave Civile Shemsi Prençi ka bërë të ditur se janë disa magazina që po shpërndajnë ushqime dhe veshje për banorët e zonave të përmbytura dhe se asnjë familje nuk ka mbetur pa ndihma. “Janë shpërndarë gjithashtu edhe ushqime për bagëtitë, ndërsa ushtria është gjithnjë në gatishmëri, duke vënë në dispozicion për çdo mjet nga 6 ushtarë për shpërndarjen e ndihmave”. Në magazina janë përfshirë ndihmat vendase por edhe të huaja, sipas Prençit, ndaj dhe janë të gjitha kushtet e nevojshme për të përballuar situatën.

Përmbytjet, Rama: Ndihma për çdo familje, shteti është në detyrë
Plani i solidaritetit i bërë publik dje ka filluar të japë rezultate me qëllim rimëkëmbjen e zonave të përmbytura në vend, si rezultat i reshjeve të shiut të ditëve të fundit. Është Kryeministri Edi Rama i cili përmes një postimi në rrjetet sociale, thekson se ka nisur zbatimi i planit të solidaritetit, i bërë publik dje nga vetë shefi i qeverisë gjatë një takimi me biznesin për t’u ardhur në ndihmë zonave të prekura nga përmbytjet. Rama shprehet se tashmë ka një regjistër ndihmash me gjithë emrat e familjeve në ato zona të cilat janë përfshirë nga përmbytjet.

“Plani i solidaritetit ne funksion ne zonat e permbytura.Regjister ndihmash me gjithe emrat e familjeve te prekura.Shteti ne krye te detyres!” shprehet Rama

Që nga dita e djeshme ka nisur dërgimi i ndihmave për të gjithë ata banorë të cilët janë prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit, kryesisht në jug të vendit, me qëllim rikuperimin dhe rimëkëmbjen e pasojave që shkaktuan reshjet e ditëve të fundit.