Përmbytjet në Shqipëri /Tahiri në zonat e prekura: Institucionet janë në gatishmëri të plotë

492
Sigal

Ministri
i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ka ndjekur sot nga afër ndërhyrjet dhe
masat e marra për përballimin e situatës së krijuar nga reshjet e rëna orët e
fundit, në zonën e Babrusë në Tiranë. Ministri tha se që në datë 4 janë ngritur
Shtabet e Emergjencës në çdo qark të vendit, për të marrë masat paraprake për
të parandaluar çdo ngjarje të rëndë.

Tahiri tha se të gjitha institucionet
janë në gatishmëri të plotë.

Sakaq, ministri tha se Rezervat e
Shtetit tani janë në gjendjen e tyre më optimale, “për të garantuar në të
gjitha situatat e mundshme, ose të paktën për të shmangur mungesat themelore në
lidhje me situatën e emergjencave”.

PRONONCIMI I PLOTE


Si paraqitet situata? Jeni në
terren dhe media raporton të paktën 3 viktima nga ky bilanc.


Së pari më lejoni të them që është një
situatë e vështirë për shkak të kushteve të motit, por që nuk na gjeti të
papërgatitur. Që në datë 4 janë ngritur Shtabet e Emergjencës në çdo qark të
vendit. Prefekti dhe të gjitha institucionet kanë marrë masat paraprake për të
parandaluar çdo ngjarje të rëndë. Në dallim nga të gjitha herët e tjera, të
gjitha institucionet janë në gatishmëri të plotë për të marrë çdo masë, në
mënyrë që infrastruktura strategjike, kritike dhe të gjitha institucionet që
kanë kontribut themelor në garantimin e jetëve dhe shëndetit të njerëzve të
jenë aty, në çdo cep të Shqipërisë, për të bërë gjithçka që është e mundur për
të përballur një situatë të shkaktuar nga reshje në fakt të pazakonta.

Gjithsesi, në momentin që flasim,
janë dy qytetarë që kanë humbur jetën. Njëri në Tiranë, dhe strukturat
përkatëse po punojnë për të gjetur shkakun por besojmë të jetë si shkak i
përmbytjes. Dhe një qytetar tjetër në Qarkun e Dibrës, i cili ka neglizhuar
thirrjet e vazhdueshme të Emergjencave Civile, institucioneve përkatëse,
Policisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme për të shmangur aq sa është e
mundur lëvizjet e panevojshme, dhe me sa kuptojmë (tani për tani gjithçka është
në zhvillim e në hetim e sipër) ka kërkuar të kalojë lumin me makinë.

Gjithsesi kjo është situata
paraprake. Ajo që është e rëndësishme është që është një situatë e vështirë që
duhet përballuar bashkë me qytetarët. Unë gjej rastin t’i falënderoj për
mirëkuptimin. Gjej rastin t’i falënderoj për ndihmën: janë mbi 7 mijë
telefonata në gjithë Shqipërinë për situata emergjence. Ashtu siç gjej rastin
t’i falënderoj për ndihmën që i kanë dhënë njëri-tjetrit në situata të tilla të
pazakonta dhe të vështira për të gjithë ne. Institucionet janë në gatishmëri të
plotë. E gjithë qeveria është në gatishmëri të plotë.

E gjithë Policia e Shtetit në
gatishmëri të plotë. Çdokush që mund të japë kontribut në këtë kuadër është në
krye të detyrës që prej datës 4 për t’u përballur me këtë situatë. Me
rekomandim të Emergjencave Civile Ministria e Brendshme ka kërkuar pezullimin e
mësimit për të gjithë sistemin arsimor në Republikën e Shqipërisë për të
shmangur situatat të vështira me fëmijët dhe nxënësit. Në qoftë se situata do
të vazhdojë kështu do kërkojmë që pezullimi i arsimit të vazhdojë dhe për
nesër.

Për ne është e rëndësishme sot, në
këtë moment, garantimi i jetës dhe shëndetit të qytetarëve shqiptarë, në çdo
cep të Republikës së Shqipërisë. Më pas, kemi filluar që tani, me strukturat
përkatëse të Emergjencave Civile, të Policisë së Shtetit, Zjarrfikëseve, të
Njësive Vendore, të Prefekturave. Kemi filluar me evidentimin paraprak të
dëmeve në banesa, në pasuri, gjënë e gjallë, për qytetarët në çdo bashki dhe në
çdo komunë.

E ritheksoj është një situatë e
pazakontë që nuk na gjeti të papërgatitur. Qeveria është në gatishmëri,
institucionet janë në gatishmëri, Shtabet e Emergjencave janë në gatishmëri. Po
përballohet deri tani situata. Fatmirësisht duket që po shkojmë drejt
përmirësimit. Por, në rast se shkojmë me kushte të rënduara të motit, patjetër
që gjithçka do jetë në vlerësimin tonë maksimal, për të garantuar që, – dhe kjo
është më themelorja, – të mos kemi humbje të jetës apo dëmtim të shëndetit të
qytetarëve.

Z. Tahiri disa kohë më parë keni folur që, fondi i emergjencave
është i ulët dhe i pamjaftueshëm në raste situatash të atilla? Sot ndodhen këto
para për të përballuar situatën?


Unë kam folur disa kohë më parë për
gjendjen e Rezervave të Shtetit. Dhe sot janë në gjendjen e tyre më optimale,
për të garantuar në të gjitha situatat e mundshme, ose të paktën për të
shmangur mungesat themelore në lidhje me situatën e emergjencave. Nuk jemi fare
aty, nuk është kjo situata.

Pra, nuk jemi para një emergjence
të shpallur. Është një situatë kritike, shqetësuese për disa zona të vendit. E
ritheksoj, ne ishim të përgatitur, kjo edhe nga pikëpamja e parashikimit dhe
masave paraprake për të parandaluar çdo ngjarje.

Unë dua edhe njëherë t’i bëj
thirrje qytetarëve, në të tilla situata të evitojnë lëvizjet e panevojshme dhe
të kursejnë veten, vetëm për lëvizje që janë absolutisht të domosdoshme.

Në këto situata kërkohet kontributi
i të gjithë atyre që mund të shërbejnë për të garantuar shëndetin dhe jetën e
tyre dhe pastaj të familjes së tyre. Në këto raste nevojitet që të gjithë
qytetarët të kuptojnë se, situata të tilla kritike për shkak të kushteve të
pazakonta të motit, kërkojnë kontributin e të gjithëve.

Ndaj dua t’i falenderoj edhe
njëherë të gjithë qytetarët që kanë njoftuar në numrin e emergjencës, ashtu siç
dua të falënderoj të gjithë ata të tjerët që kanë dhënë kontribut konkret për
të përballuar këtë situatë. Gjendja e vështirë vazhdon. Dhe me të kaluar
momenti i emergjencës, patjetër duhet të merremi edhe me vështirësitë që le pas
apo me problemet që mbeten pas.

Ju e patë, edhe këtu ka probleme që
kanë të bëjnë me përmbytjen e shtëpive dhe po kështu, përmbytjen e bizneseve.

Strukturat vendore, prefekturat,
strukturat e policisë, emergjencave civile, të gjithë bashkë janë angazhuar dhe
do angazhohen menjëherë pas përfundimit të situatës së emergjencës për
evidentimin e problematikave për shuarjen e problemeve që mund të kenë lindur
për shkak të përmbytjes.

Por duhet ta bëj të qartë, kjo
është një situatë që sa vjen për shkak të motit, aq vjen edhe për shkak të
gabimeve historike që kemi bërë lidhur me zhvillimin urban dhe me sjelljen në
raport me natyrën. Ndaj ne duhet të mbajmë mbi kurriz këtë barrë historike duke
bërë gjithçka është e mundur për t’u përgatitur që të bëjmë maksimumin të
shmangim pasojat në shëndet dhe akoma më keq në jetën e njerëzve.

A ka zona më problematike për të zhdëmtuar deri tani dhe ku janë
ato?


Po, Emergjencat Civile kanë bërë publike
të gjithë listën e zonave problematike. Tani është pjesa më e madhe drejt
normalizimit, në rast se moti nuk ka përkeqësim. Parashikimi është që të ketë
përkeqësim të motit në orët në vazhdim dhe gjatë natës. Ndaj duhet të jemi të
gjithë të kujdesshëm të bëjmë gjithçka është e mundur për të garantuar
shëndetin dhe jetën fillimisht dhe pastaj pasurinë dhe gjënë e gjallë,
patjetër.

Por në këto momente që flasim
situata është disi më e stabilizuar. Mbetet për t’u parë në orët në vijim. Moti
është më kapriçioz sesa njerëzit. Ndaj na duhet që të jemi të gjithë të
vëmendshëm dhe të kujdesshëm.

Unë i ftoj qytetarët që të bëjnë
kujdes dhe të lajmërojnë pranë numrave të emergjencës për çdo shqetësim që mund
të kenë. Është e rëndësishme që të punojmë të gjithë bashkë për të përballuar
situata të jashtëzakonshme që shkojnë përtej limiteve që ka çdo qeveri, në çdo
vend të botës, për t’i administruar. Këto i bëjmë të gjitha bashkë.

Keni menduar për evakuime në raste të rrezikut?

Në momentin që flasim janë mbi 100 familje
të evakuuara. Dhe Policia e Shtetit, strukturat e emergjencës, ushtria janë të
gjitha të angazhuara për të evakuuar çdo familje që gjendet në rrezik. Dhe në
momentin që flasim ka familje që evakuohen. Kjo varet nga kushtet, varet nga
gjendja e emergjencës dhe rrezikut në momentin e caktuar.

Janë mbi 100 familje të evakuuara
dhe kjo është për të shmangur çdo rrezik potencial. Gjithsesi mbetet për t’u
vlerësuar në vazhdim. Unë këshilloj qytetarët të mos neglizhojnë asnjë lloj situate
rreziku në raport me veten dhe në raport me fqinjët./BW/