Përmbytjet në Fier, dëmtohen 550 shtëpi dhe 180 biznese

472
Një pjesë e mirë e qytetit të Fierit, mëngjesin e 11 tetorit është gdhirë nën pushtetin e ujit. Në shumë lagje të qytetit janë përmbytur shtëpi e biznese, ndërkohë që me dhjetëra kanë qenë edhe automjetet e përmbytura. Sipas më të moshuarve këto përmbytje nuk janë parë asnjëherë në Fier dhe për këtë duhen marrë masa parandaluese. Ata theksojnë se që nga vitet ‘80 nuk janë parë më përmbytje të tilla. Ndërkohë për t’u ardhur në ndihmë banorëve janë ngritur grupet e punës, që kanë evakuuar personat në nevojë.
Burime nga shtabi i emergjencës kanë bërë me dije se 550 janë shtëpitë e përmbytura, 180 bizneset, ndërsa 60 persona janë evakuuar. Janë dëmtuar edhe më shumë se 10 automjete, ndërsa në orët në vijim këto shifra ndoshta priten të rriten. Kështu më kritike situata është paraqitur në lagjen “1 Maj” pranë urës me shkallë dhe tek “Ura me pacarela”. Reshjet e dendura të shiut kanë bërë që uji të dalë në rrugë e mes banesave edhe në lagjet “Kongresi i Përmetit”, “Liri” dhe në lagjen “Sheq i Madh”. Por situata ka qënë kaotike edhe pranë Rotondos së Sheqit.
Në këtë zonë është bllokuar totalisht trafiku, pasi vërshimi i ujit përmbyti të gjithë aksin rrugor, duke e kthyer atë në të pakalueshëm e duke i detyruar forcat e policisë së qarkullimit rrugor që t’i drejtojnë të gjithë drejtuesit e automjeteve drejt rrugëve të brendshme të qytetit e duke krijuar një kaos të vërtet në qarkullim. Ndërkohë për t’u ardhur në ndihmë banorëve të përmbytur është ngritur grupi i punës i përbërë nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, Forcat e Zjarrfikëses, Policia dhe Njësia Vendore dhe janë marrë të gjitha masat për evakuimin e qytetarëve, të cilët janë bllokuar nga uji brenda banesave të tyre.
Sigal