Përmbytjet- Fushë-Krujë, tre familje nën pushtetin e ujit, bëjnë apel për ndihmë

502

Sigal

Tre familje në Luz të Fushë-Krujës kërkojnë ndihmë, pasi banesat e tyre janë përmbytur nga uji. Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut dhe përmbytjeve në zonë, uji ka rrethuar banesat e tyre, duke arritur në lartësinë mbi 1 metër.

Duke u ndjerë të rrezikuar banorët janë ngjitur në katet e dyta të shtëpive, duke pritur t’u vijnë në ndihmë. Por ata thonë se, pavarësisht se kanë telefonuar shërbimin e urgjencave, nuk u është përgjigjur askush.

“Jemi tre familje të bllokuara, pasi shtëpitë tona ndodhen në vendin ku bashkohet lumi Zezë dhe Ishëm. Jemi 15 banorë të bllokuar. Askush nuk po na vjen në ndihmë. Morëm emergjencat në telefon, por nuk përgjigjen”, thonë banorët e fshatit Luz, duke bërë apel për ndihmë.

MPB: SITUATA E PERMBYTJEVE NE MBARE VENDIN DERI NE OREN 09:15
Situata nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit është drejt përmirësimit. Për shkak të ndërprerjeve së reshjeve prurjet e lumit Vjosë janë ulur duke mos krijuar probleme përmbytjesh në qarqet Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.

Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile vijon të monitorojë situatën në të gjitha qarqet.

Situata në qarqe paraqitet si më poshtë:

QARKU DURRËS
Në bashkinë Shijak nga dalja e Lumit të Erzenit janë përmbytur 20 banesave poshtë urës. Familjet që u rrezikuan u evakuuam nga Qendra Vullnetare e Emergjencave dhe Forcat e Ushtrisë duke u vendosur në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në bashkinë e Durrësit 15 familje nga fshati Rrushkull, njësia administrative Sukth u zhvendosën për shkak të rrezikut nga përmbytjet.

QARKU TIRANË
Në bashkinë e Kamzës në Njësinë Administrative Paskuqan, mbi fshatin Babrru, ka ndodhur një rrëshqitje masive dherash, e cila ka bllokuar kalimin e mjeteve dhe të banorëve.

Pas kërkesës së Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura ka dërguar efektivët e Batalionit të Xhenios së bashku me mjetet për të normalizuar situatën.

QARKU SHKODËR
Në bashkinë Shkodër vijon të ketë sipërfaqe toke të përmbytur në Njësinë administrative Dajç, Guri i Zi, Vau Dejës, Ana Malit dhe Postribë, por kjo është zvogëluar ndjeshëm gjatë 24 orëve të kaluara.

Në Njësinë Administrative Shosh janë dëmtuar ura e Brashtës, Pep-Sumaj, si dhe urat këmbësore Nicaj e Palaj.

Në Njësinë Administrative Pult janë prishur 2 ura, ajo e Boxhsit dhe e Mgullës, dhe nuk kalohet për në fshatrat Plan, Xhan dhe Bruçaj, për shkak se rruga është bllokuar.

Në Malësinë e Madhe në Njësinë Administrative Kelmend është prishur plotësisht ura e Suhës.

Përrroi Sheu i Gjamave në fshatin Vermosh ka dalë jashtë shtratit dhe 5 familje janë evakuuar nga banesat e tyre.

Në Njësinë Administrative Gruemirë është prishur plotësisht ura e Hysajve.

QARKU DIBËR
Në Njësinë Administrative Selishtë, rruga Selishtë-Bufull është e bllokuar nga rrëshqitjet masiveve të dherave dhe po punohet nga firma kontraktore për hapjen e saj.

Në fshatin Podgorc, Njësia Administrative Maqellarë vijon puna për riparimin e argjinaturës mbrojtëse të lumit Drini i Zi.

Në Njësinë Administrative Fushë-Bulqizë, përroi ka dalë nga shtrati dhe ka rrezikuar të shembë një shtëpi, një urë automjetesh dhe tubacionin e ujësjellësit.

Në bashkinë e Matit në fshatin Stojan, Njësia Administrative Ulëz, ka dëmtime të 2 urave prej druri që lidhin 2 fshatra, si dhe është dëmtuar rruga rurale e fshatit Bushkash.

Në fshatin Fushë – Baz problem është ura mbi liqen e cila është dëmtuar në njërën anë dhe rrezikon të shembet.

Në Njësinë Administrative Derjan është dëmtuar rruga që lidh qendrën e njësisë me fshatin Gjoçaj.

QARKU GJIROKASTËR
Aksi rrugor kombëtar Tepelenë-Gjirokastër, në vendin e quajtur karburant “Targa”, qarkullimi vijon të kryehet vetëm në një krah të rrugës për shkak të rrëqitjeve të dherave.

Rruga Kurveleshit vijon të jetë e bllokuar nga rrëshqitjet e dherave ndërkohë po punohet nga mjetet e subjektit të kontraktuar për zhbllokimin e saj.

Në qarqet e tjera nuk ka situata problematike.

PROBLEME NË DISA AKSE NË PUKË, RRËSHQITJE INSERTESH DHE DHERASH
Reshjet e dendura të shiut kanë sjell probleme në disa akse rrugore në Punë. Mësohet se erotematike ngelet situata në Fushë Arrëz-Mirditë dhe Fushë Arrëz-Bajram Curri. Po ashtu, në këto rrugë ka pasur rrëshqitje inertesh dhe dherash, ndërsa ka vështirësi në qarkullimin e mjeteve. Raportohet se Fierza dhe Gjegjani janë pa mirëmbajtje që prej qershorit, pasi ARRSH nuk ka marrë asnjë masë për rikthimin e normalitetit në këto akse.