Përmbytjet dhe një këshillë për investimet në bujqësi

146
Prof. Dr. Lush SUSAJ

Viktor Hygo ka thënë: “Nëse flas, unë jam i dënuar, nëse hesht, jam i mallkuar”. Duke heshtur përballë studimeve dhe strategjive fiktive, goditjeve dhe degradimit të vazhdueshëm të administratës dhe kapaciteteve menaxhuese, si dhe shpërdorimit të vazhdueshëm të investimeve dhe projekteve në bujqësi dhe mjedis, kemi arritur deri në këtë pikë, ku puna, prodhimi dhe jetesa në Shkodër, në Nënshkodër, në Durrës dhe në të gjithë Ultësirën Perëndimore të vendit po bëhet e pamundur. Të gjitha dëmet dhe fatkeqësitë që rendin njëra pas tjetrës, kanë për bazë injorancën, hajdutërinë dhe keqadministrimin që vjen nga goditja e meritokracisë dhe mbushja e administratës dhe institucioneve me militantë, me kriminelë, me hajdutë, me hipokritë, me mashtrues e njerëz pa shpirt e pa nder. Nuk ka se si shpjegohet ndryshe arroganca, heshtja dhe hipokrizia administrative e shtetërore përballë përmbytjes së plotë dhe për një kohë të gjatë të mbi 5000 ha tokë dhe të qindra banesave dhe bizneseve bujqësore dhe blegtorale në zonën e Nënshkodres, Lezhës, Durrësit etj, dhe mungesës së një plani strategjik për parandalimin dhe përballimin e këtyre katastrofave të shkaktuara nga babëzia dhe ligësia e klaneve të politikes kriminale dhe antipopullore të këtyre 28 viteve. Nga përkulja përballë babëzisë së klaneve politike për para dhe pasuri dhe heshtja e gjatë përballë injorancës në menaxhimin dhe fiktivitetin me studimet, me strategjitë dhe me investimet në bujqësi, energjetikë dhe mjedis, përjetuam përmbytjet e Nënshkodres në vitet 2010-2011, përsëri në vitin 2013, përjetuam edhe përmbytjet e viteve 2016-2017 në Myzeqe dhe në Vlorë etj. Nëse do të vazhdojmë që të bëjmë sehir dhe të heshtim përballë hajdutërisë dhe shkatërrimit të mëtejshëm të shtetit dhe kapaciteteve teknike dhe menaxhuese të administratës dhe institucioneve, do të jemi përjetësisht të mallkuar e të gjunjëzuar nga përmbytjet dhe zjarret, nga krimet ordinere dhe politike, nga gangsterët e injorantët që uzurpojnë drejtimin dhe vendimmarrjen, në këtë mënyrë do të bëhemi këneta shoqërore dhe shembulli më i keq i rajonit dhe botës. Që nga viti 2010, në vitin 2011, në vitin 2013 dhe përsëri tani gjatë gjithë dekadës së dytë të marsit 2018, banorët në Shkodër dhe në komuna, përjetuan vuajtjet, dëmet dhe udhëtimet jot ë zakonshme me varka dhe mjete rrethanore. Përjetuan dëmet e shkaktuara nga injoranca dhe nga keqadministrimi shtetëror dhe politik në bagëti, në të mbjella, në banesa, në trashëgimi kulturore e deri dhe në jetë njerëzish. Përjetuan pasiguri, ankth dhe tmerr edhe pse jetojnë në njërin prej vendeve ma të bukura dhe më pjellore të Evropës, që realisht nuk ka asnjë rrezik real nga përmbytjet dhe as nga fatkeqësitë natyrore, që gjithë dëmin dhe vuajtjet ua ka shkaktuar dhe po ua shkakton shteti dhe politika e kapur nga krimi, nihilizmi, injoranca dhe hajnia mbi investimet dhe projektet që duhet të ishin adresuar dhe realizuar me kohë në argjinatura, në prita, në kanale kulluese dhe në sistemime bujqësore. Në vitin 2010 filloj blerja masive e varkave në Shkodër, thuhet se janë përdorur 500, ndërsa këtë vit, numri i tyre duket se është trefishuar. Në vitin 2010, përveç forcave të policisë, ushtrisë, pranë banorëve pati shkuar me helikopter edhe kryeministri i kohës Sali Berisha, bashkë me studiuesit, strategët shpurën idiote që gëzonte e fërkonte duart për të tjera studime, strategji, investime e projekte nga të cilat nuk mbeti asgjë. Për fatin e keq edhe pas vitit 2013, shohim se është e njëjta sjellje e pabesë, është e njëjta mënyrë shpërdorimi dhe vjedhjeje, është e njëjta frymë përçmuese dhe nihiliste ndaj njerëzve të këtij vendi të begatë, është e njëjta lojë e mbushur me demagogji, fiktivitet dhe konspiracion që varfëron dhe largon njerëzit nga vatrat e tyre drejt kampeve të azilit. Në asnjë rast nuk ka sulmuar as dhunuar natyra. Në të gjitha rastet kemi të bëjmë me gafa politike dhe me përgjegjësi njerëzore që filluan me zhbërjen e shtetit dhe me rrënimin e turpshëm të kapaciteteve teknike dhe intelektuale të vendit. 

Në kushtet e Shqipërisë, asnjë pushtues nuk do të guxonte të rekrutonte dhe as të orientonte militantë dhe të përkëdhelur politikë për të shkarravitur të ashtuquajturat strategji dhe studime të Fushës së Nënshkodres dhe Ultësirës Perëndimore, të cilat u paguan shumë shtrenjtë nga paratë e Bankës Botërore e që nuk duhen për asgjë, sepse janë bërë nga të paditurit që vazhdojnë të qëndrojnë të patundur në skutat e korrupsionit dhe të konspiracionit nga ku buron vetëm varfëri dhe fatkeqësi e vazhdueshme. Asnjë pushtues nuk do të guxonte të shkatërronte institutet dhe kapacitetet e projektimit dhe super-vizionit të veprave mbrojtëse, kulluese dhe ujitëse të Shqipërisë, ndërsa injorantët e politikës sonë, të diplomuar në Tetovë, tek Kristali, Vitrina etj, nuk patën pikë mëshire për inxhinierët dhe as për specialistët e mirëfilltë të hidrologjisë, mjedisit, bujqësisë, pyjeve, digave dhe as energjetikës. Asnjë pushtues nuk do të fillonte çmontimin e Ndërmarrjeve të Kullimit dhe Ujitjes së rajoneve për t’i degraduar ato në shpërblime e kolltukë për militantë dhe manipulues votash. Asnjë specialist apo mendje e shëndoshë nuk do e copëtonte këtë aktivitet dhe strukturë nacionale e jetike për Shqipërinë në copa e struktura të vogla pa shpirt dhe pa asnjë lidhje me kullimin, ujitjen, sistemimet, argjinaturat dhe pritat. Shkatërrimi i strukturave teknike, teknologjike dhe intelektuale ka shërbyer vetëm për të vjedhur investimet, projektet për punë dhe vepra që nuk u ndërtuan kurrë. Nëse do të pastroheshin kanalet në mënyrë sistematike, skematike dhe integrale, kurrë nuk do të kishte përmbytje dhe as dëme. Nëse do të ruheshin nga ndërtimet dhe do të thelloheshin shtretërit e lumenjve, do të kishte argjinatura me lartësinë e një mali e në asnjë rast nuk do mund të kishte dalje të tyre nga shtrati dhe as rrezik për pronat e as për popullsinë. Në Shkodër nuk ka njeri që nuk e dinë faktin se thellimi i shtratit të Bunës, hapja e shtratit të Bunës dhe Drinit nga ngushtimet dhe ndërtimet anësore apo edhe ngritja e argjinaturave, qoftë edhe me lartësinë e Kodrës së Kalasë deri në detin Adriatik, është plotësisht e mundshme dhe ka një kosto shumë më të ulët se investimet dhe paratë e adresuara e të hedhura në mënyrë të fragmentuar, me kast për t’i vjedhur e shpërdoruar nga klanet idiote që po demontojnë pa mëshirë institucionet, elitat dhe gjithë administratën dhe përvojën intelektuale, akademike e shtetërore. Nëse bëhet një vepër e tillë, do të kushtonte shumë më pak se 100 milionë eurot që ka në plan të fragmentojë e të dhurojë AZHBR-ja për më pak se 5% të fermave të Shqipërisë e që do të kenë të njëjtin fat sikur ato që janë shpenzuar në vitet 2013-2017 e që pasuruan jo më shumë se 16 apo 20 grumbullues perimesh (votash), që në fakt nuk shërbyen për asgjë.