Përmbytjet, 20 punëtorë të OSHEE-së bllokohen në B.Curri, shembet një banesë në Pukë

551
Reshjet e shiut që përfshinë të gjithë vendin nuk po kalojnë pa problem në zonën veriore. Në fshatin Qelëz të Pukës një banesë u shemb thuajse plotësisht ndërsa pa strehë mbi kokë mbetën katër anëtarët e familjes Kolgjoka. Në bashkitë Pukë dhe Fushë Arrëz, që herët në mëngjes u shkaktuan problem me qarkullimin si pasojë e rrëshqitjeve masive mbi trasetë e rrugëve.
Aksi rrugor Qafë Mali-Bajram Curri është i pa qarkullueshëm. Rruga është shembur për më se 30 metër në afër të fshatit Mzi. Për pasojë 20 punonjës të OSHEE që po punonin për riparimin e defekteve të shkaktuara mbeten të izoluar, ndërsa bëhet e ditur se janë strehuar tek banesat e zonës. Për disa orë aksi rrugor nacional Fushe Arrez Gjegjan Mirdite u bllokua teksa ne hyrje të tunelit të Gjegjanit shembjet ishin masive. U desh ndërhyrja e mjeteve të rënda për të bërë të mundur qarkullimin ndërkohë që rreziku mbetet evident.
Fryrja e menjëhershme e ujërave të lumit Fan ka bërë që të përmbyten disa toka bujqësore ndërkohë që segmentet rrugore rurale të Gjegjanit dhe fshatrave të tjerë të Pukës janë bërë të pakalueshme. Mësuesit e Shkollave të Qelzës u detyruan të udhëtojnë më orë në këmbë pasi traseja e rrugës ishte bllokuar në fshatin Dedaj si pasojë e rrëshqitjeve masive të skarpatës së rrugës, ndërkohë që kompania mirëmbajtëse ndërhyri për pastrimin e rrugës ndërsa shembje vijojnë të jenë rrezik përgjatë kësaj rruge.
Mungesa e pastrimit të kanaleve anësore të rrugës nacionale Pukë-Fushë Arrëz solli përmbytjen e rrugës në hyrje të qytetit të Fushë Arrzit , e teksa ujërat vërshonin mbi rrugë nga ish-Parku deri në afërsi të qytetit asnjë masë nuk u mor për evitimin e situatës, teksa rruga ende nuk ka mirëmbajtje. Nga situata e krijuar OSHEE në Pukë bëri të ditur se u këputën dhe u shtrembëruan 40 shtylla, janë dëmtuar rreth 100 izolator ndërsa është kthyer në të papërdorshëm më shumë se 500 kg tel përcjellës. Dëmet u shkaktuan kryesisht në zonat rurale si Blerim, Fierzë, Qafë Mali e Iballë.
Sigal