Përmbytje e madhe në gjithë Shqipërinë. Shteti i papërgatitur, por këshillon: Mos udhëtoni drejt Jugut e Veriut

622
Sigal

VLORE – Fshatrat e komunës së Novoselës në Vlorë janë totalisht nën pushtetin e ujin, duke shënuar zonën më kritike në jug të vendit si pasojë e përmbytjeve nga moti i keq. Mijëra persona kanë lënë banesat e tyre, ndërsa dhjetëra të tjerë janë në pritje të evakuimit nga ekipet e shpëtimit, ku në disa raste është e detyrueshme ndërhyrja me helikopterë për shkak të terrenit të pakalueshëm nga toka. Policia, ushtria dhe Emergjencat Civile janë në terren për të shpëtuar banorët e izoluar në banesa apo biznese të përmbytura. Televizioni A1 Report i ka dhënë zë apelit të të përmbyturve drejt autoriteteve për t’i evakuuar në zonat nga ku ata ndodhen të rrezikuar.

Ora 13:30 Vlorë, gjatë 48 orëve u evakuuan 98 të përmbytur
Gjatë 48 orëve të fundit nga Policia e Vlorës, FNSH, Delta Force dhe Forcat e Armatosura janë evakuuar 98 persona. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë po mbahen kontaktet me banorët e fshatrave të komunës Novoselë për të bërë evakuimin e të gjithë të përmbyturve. Aktualisht ekipet e shpëtimit janë përqendruar në evakuimin e bariut Rrapo Tiko i cili ndodhet i izoluar në stan në vendin e quajtur Bishti i Malit në Selenicë.

Sipas policisë, rrugët rurale të rrjetit të Vlorës janë të gjitha të kalueshme me përjashtim të akseve Kotë-Gumenicë dhe Kotë-Lapardha të cilat janë të bllokuara përkohësisht dhe po punohet për hapjen e tyre.

Ora 13:20 Librazhd, shembet shkolla e fshatit
Reshjet intensive të shiut dhe përmbytjet në Librazhd si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Shkumbin, kanë shembur një shkollë në Dranovicë. Lajmi bëhet i ditur nga nënprefekti Enver Koci. Shkolla në Dranovicë është shembur gjatë natës dhe në të mësonin 12 nxënës.

Ora 12:47 Panariti : Ndërtimet pa kriter pranë lumenjve, përkeqësuan përmbytjet
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti tha se shkak për situatën kritike të përmbytjeve në jug të vendit janë bërë ndërtimet me leje dhe pa leje që janë dhënë për banesat e bizneset pranë lumenjve.

Ora 12:45 Fier, evakuohen dy vëllezërit e bllokuar në bunker

Dy vëllezërit Dritan dhe Benjamin Veizaj të cilët ishin bllokuar prej orësh në një bunker në fshatin Shtyllas të Fierit, janë evakuuar nga ekipet e shpëtimit.

Rreth 400 banorë të fshatit Trashovicë në Gramsh, rrezikojnë të izolohen, teksa ura që lidh këtë fshat me pjesën tjetër të zonës po shkon drejt degradimit. Situata është përkeqësuar si pasojë e reshjeve intensive të ditëve të fundit.

Ura është e vetmja rrugë lidhëse për këtë fshat, ndërsa prej vitesh ajo nuk njeh asnjë investim.

Ura është thuajse e pakalueshme, ndërsa banorët e fshatit i bëjnë apel instancave përkatëse të ndërhyjnë.

Uji ka pushtuar edhe tokat bujqësore si dhe disa banesa të këtij fshati.

 Ora 12:08 Emergjencat: Bariu kontaktoi me ne është mirë

Bariu Vaso Terpollari i cili kishte humbur kontaktet me familjarët e tij, ka arritur të komunikojë me inspektorin e Emergjencave Civile në Skrapar, i cili tha për A1 Report se gjendja e tij është e mirë dhe se nuk rrezikohet nga përmbytjet.Terpollari aktualisht ka mbledhur bagetinë dhe është në një kodër në fshatin Oxharë të Fierit dhe po pret për ndihmë.

Ora 12:00 Evakuohet familja në Novoselë, edhe fëmija 3 vjeç
Pesë anëtare të familjes Aliaj të cilët ishin bllokuar në banesën e tyre në fshatin Bishan të komunës Novoselë kanë arritur të evakuohen nga ekipet e shpëtimit. Policia në mbështetje me FNSH, Delta Force dhe Forcat e Armatosura shpëtuan me mjete lundruese 5 anëtarët e familjes Avdul Aliaj mes tyre edhe një fëmijë 3 vjeç.

Gjithashtu janë evakuuar edhe 3 persona të tjerë të cilët ndodheshin në një zdrukthari në Novoselë.

Operacioni aktualisht është përqendruar në evakuimin e bariut Vullnet Alliaj, i cili ndodhet në stan bashkë me bagëtitë

Ora 12:00 Fier, përmbyset mjeti i ushtrisë, do shpëtonte të përmbyturit
Një mjet i ushtrisë i cili ishte nisur për të ndihmuar në evakuimin e personave që kanë mbetur të bllokuar si pasojë e përmbytjeve është përmbysur gjatë operacionit.
Mjeti i ushtrisë ishte nisur për evakuimin e 5 personave të bllokuar në fshatin Shtyllas kur është përmbysur në kthesën e Qarrit në Fier. Nga aksidenti mësohet se nuk ka të lënduar ndërsa në ndihmë të tyre po shkojnë forca të tjera ushtarake.

Ora 11:45 Një bari rezulton i zhdukur, humbi kontaktet

Një bari, Vaso Terpollari rezulton i zhdukur. Ai ishte bashkë me tre barinj të tjerë në fshatin Peverlec, të cilët kanë arritur të shpëtojnë. Familjarët e tij nuk kanë mundur të kontaktojnë me bariu nga Skrapari, i cili nuk hap telefonin.

Ora 11:34 Dy vellëzër të bllokuar në bunker
Dy vëllezër kanë mbetur të bllokuar në një bunker në fshatin Shtyllas të Fierit. Varkat e shpëtimit janë nisur në drejtim të dy vëllezërve, Dritan dhe Benjamin Veizaj, të cilët janë të bllokuar prej 2 orësh.

Ora 11:30 Ferras, bllokohet roja i një pularie
Roja i një pularie në fshatin Ferras të Fierit ka mbetur i izoluar si pasojë e përmbytjeve. Ai ka kërkuar ndihmë për tu evakuar dhe ndaj tij janë nisur ekipet e shpëtimit.

Ora 11:05 Evakuohen tre barinjtë e Darzezit

Ekipet e shpëtimit kanë evakuuar me skaf tre barinjtë të cilët ishin bllokuar në fshatin Darzezë të qytetit të Fierit. jane per tu evakuuar edhe 5 barinj ne Bishan te Vlores, dhe 4 ne Ferras te Fierit.

Ora 11:00 Rama: Moti i tërbuar sfidë, strukturat po përgjigjen me eficencë të plotë

Kryeministri Edi Rama ka shkruar në rrjetet sociale për situatën e rënduar të përmbytjeve në jug të vendit. Kreu i qeverisë tha se mot ii përkeqësuar është një sfidë, por theksoi faktin se të gjitha strukturat janë në terren për të garantuar shpëtimin e banorëve të përmbytur.

“Mot i tërbuar na ka vënë përpara një sfidë të rëndë, port ë gjitha strukturat po përgjigjen me eficencë të plotë”, shkruan Rama.

Kryeministri lajmëroi se në mesditë do të niset për në Fier dhe në Vlorë, dy qarqet që paraqiten më problematikë sa i përket përmbytjeve, si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Vjosë.

Ora 10:50 Permbytjet, Rama dhe Tahiri nisen drejt Novoseles
Për situatën emergjente në të cilën ndodhet jugu i vendit si pasojë e përmbytjeve, në komunën e Novoselës pritet të mbërrijnë pas orës 13:00 kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Brendshme Sajmir Tahiri.

Ora 10:45 Ministria e Brendshme: Rrezikohet hapja e portave të Banjës në Elbasan
Këshilltari për mediat i Ministrisë së Punëve të Brendshme Florion Serjani në një deklaratë për situatën e përmbytjeve dhe të evakuimit të banorëve dha alarmin se reshjet intensive të cilat po bien në qarkun e Elbasanit, rrezikojnë hapjen e portave të liqenit të Banjës.Në këto kushte, tha Serjani, mund të shkaktohen përmbytje të mëdha të tokave e banesave përreth.

 Ora 10:45 12 barinj të bllokuar në Fier dhe Vlorë, evakuim me helikopterë e gomone

5 barinj kanë mbetur të bllokuar në zonën mes Bishanit dhe Poros. Sipas prefektes së Vlorës Etjona Hoxha është e pamundur të ndërhyhet me mjete motorike për shkak të terrenit të panjohur të zonës. Ndaj sipas saj, ndërhyrja për evakuimin e tyre do të bëhet me helikopterë.

Po ashtu, 4 barinj kanë mbetur të izoluar në fshatin Ferras të Fierit dhe tre të tjerë në Darzezë. Ata kanë apeluar përmes telefonatave në media se janë të rrethuar nga uji i cili ka marrë me vetë bagëtitë e tyre. Evakuimi i tyre pritet të bëhet me gomone.

Ora 10:20 Bllokohet nje çift bashkëshortësh në Ferras të Fierit
Një çift bashkëshortësh në fshatin Ferras midis Levanit dhe Fierit bëri apel përmes ekranit të A1 Report për tu evakuuar pasi banesa e tyre është përmbytur plotësisht. Lefter Meçe në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike në A1 Report tha se situata është mjaft e vështirë ku uji arrin deri në 1 metër.

 Prefektin e qytetit të Fierit, Xhevid Bushaj, njoftoi se drejt familjes janë nisur forcat e shpëtimit për të ndërhyrë me gomone, dhe se evakuimi i tyre është çështje minutash. “Deri tani kemi evakuuar 56 familje, janë vendosur në të afërmit e tyre dhe Shtabi i Emergjencave të njësive vendore është duke i sistemuar dhe kujdesur për mbarëvajtjen e jetës së tyre”, tha Bushaj.

Ai ngriti alarmin kur tha se janë 5 fshatra të cilët janë përmbytur totalisht dhe se ndërhyrja në ta paraqitet mjaft e vështirë.

 Ora 10:00 Prefektja e Vlores: Situata nen kontroll, ne terren per evakuimin

Prefektja e Vlorës, Etjona Hoxha, tha se pavarësisht uljes së nivelit të ujit për disa momente mëngjesin e sotëm, situata është përkeqësuar sërish ku në disa zona uji arrij në një metër.

“Patëm një moment qetësie se niveli i ujit u ul rreth 50 cm. Aktualisht arrin edhe në një metër, gjysmë metri në momente të caktuara të rrugës”, tha Hoxha.

Prefektja Hoxha tha se situata e evakuimit shikohet rast pas rasti në varësi të familjeve më të rrezikuara. Ajo shtoi se janë marrë masat për të garantuar furnizimin me ushqim dhe ujë të pijshëm të familjeve që janë të izoluara në zonat e përmbytura. Sipas saj një pjesë e madhe e banorëve të komunës së Novoselës janë streguar tek familjarët e tyre, ndërsa të tjerë janë evakuuar nga ekipet e shpëtimit.

Hoxha tha se pasi të jetë garantuar shpëtimi i të gjithë banorëve të përmbytur, atëherë do të ndërhyhet përmes një plani të detajuar të masave për të ndërhyrë në kanalet e kullimit, që do të shmangte përsëritjen e një situate të njëjtë.

 Ora 09:50 Berat, “bie” Osumi, hapet Ura e Çorovodës

Në qytetin e Beratit situata duket më e qetë pasi niveli i ujit në lumin Osum ka rënë ndjeshëm. Po ashtu ura e Çorovodës, e cila u dëmtua si pasojë e prurjeve të mëdha të Osumit, është riparuar dhe tashmë është e kalueshme.

Me shpëtimin e jetëve në njerëz, tashmë vëmendja është fokusuar në evidentimin e dëmeve.

Përmbytjet në qytetin e Beratit

Ora 09:40 4 banore të bllokuar në Levan të Fierit
Reshjet e shiut të cilat vijojnë intensivisht në Fier, e kanë bërë të vështirë evakuimin e kater banoreve në Levan, shtepite e të cilëve janë përmbytur totalisht.

 Ora 09:25 11 persona janë të bllokuar në Cerkovinë dhe Bishan dhe Fitore

Autoritetet e shpëtimit kanë nisur evakuimin e tre personave që janë bllokuar në një pulari në fshatin Cerkovinë, të pesë personave të tjerë në Bishan dhe të tre barinjve që janë izoluar në fshatin Fitore. Evakuimi i të bllokuarve në Cerkovinë do të realizohet me gomone, ndërsa në Bishan 5 të bllokuarit do të shpëtohen nga ajri me helikopterë. Edhe evakuimi i barinjve pritet të bëhet me helikopter.

Ora 09:00 Berat, evakuohen 90 familje, zona nën monitorimin e ushtrisë
Rreth 90 familje janë evakuuar si pasojë e përmbytjeve që sollën dalja nga shtrati e lumit Osum dhe Devoll, ndërsa rreth 300 hektarë janë nën pushtetin e ujit. Zona më e prekur në qarkun e Beratit është Ura Vajgurore. Duke iu referuar faktit që disa familje nuk lënë shtëpitë e përmbytura për të mos rrezikuar grabitjet.

Ora 08:15 Prençi: Largohuni nga shtëpitë pranë lumenjve, nata e vështirë
Orët e mbrëmjes kanë qenë të vështira për familjet e përmbytura në jug të vendit, evakuimi i të cilave vijon edhe gjatë kësaj të hëne. Në një lidhje telefonike me median, shefi i Shtatit të Emergjencave Civile Shemsi Prençi tha se nga mëngjesi i së dielës deri në orët e para të mëngjesit të sotëm janë evakuar mbi 250 familje, veçanërisht në fshatrat e komunës së Novoselës në Vlorë dhe në fshatra të Fierit që janë pranë lumenjve.

Në kushtet e një rreziku që vijon të jetë aktual, Prençi apeloi që banorët që jetojnë pranë lumenjve të lënë shtëpitë për të shmangur përkeqësimin e situatës gjatë mbrëmjes së sotme. “Ne nuk kemi mjete dhe teknikë për të punuar gjatë natës, pasi nuk janë të ndriçuara”, -tha Prençi. Kreu i Shtabit të Emergjencave Civile bëri thirrje ndaj familjeve që janë të rrezikuara të telefonojnë në numrin 129 në mënyrë që autoritetet të drejtohen për t’i shpëtuar nga toka ose nga ajri, në varësi të intensitetit të përmbytjeve.

Ai tha se gjatë natës janë rrezikuar edhe strukturat operacionale gjatë shpëtimit me motobarka të 13 familjeve në mbikalimin e autostradës së re Levan-Vlorë, mes tyre dhe një familje me tre gra dhe tre fëmijë të cilët janë evakuar pas mesnate.

I pyetur nga gazetarja Eneida Xhelili, se ku janë sistemuar të evakuuarit, kreu i Shtabit të Emergjencave Shemsi Prençi tha se me këtë proces është pushteti vendor dhe shërbimet e shëndetësisë.

Si pasojë e përmbytjeve, disa fshatra kanë mbetur pa energji elektrike, çka është një problem serioz edhe për hidrovorët të cilët do të mund të tërhiqnin ujin.

Sipas parashikimeve të shërbimeve meteorologjike, do të vijojë të ketë reshje intensive shiu deri më 4 shkurt.