Përmbyllet bashkimi i ushtarakëve në Shoqatën: “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”

782
Me nismën e kryetarit të Shoqatës të Xhenios, zotit Aleksandër Mihali në datën 03 qershor 2017, u realizua takimi i parë i Kryetarëve të Shoqatave të Ushtarakëve, të cilët me cilësinë e grupit nismëtar themelues, në datën 23 shtator 2017, firmosën Rezolutën për Bashkimin Kombëtar të Ushtarakëve të Shqipërisë. Në datën 02.10.2017, grupi nismëtar themelues miratoi dhe firmosi Aktin e Themelimit dhe Statutin e Shoqatës: “ Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”. Në datën 30 tetor 2017, Kuvendi Kombëtar i Bashkimit të Ushtarakëve të Shqipërisë, realizoi bashkimin e ushtarakëve të Shqipërisë, themeloi Shoqatën: “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”, zgjodhi Këshillin Drejtues e Koordinues si dhe Bordin Ekzekutiv. Në zbatim të statutit të Shoqatës: “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë” dhe detyrave të vëna nga Kuvendi Kombëtar, në datën 22 nëntor 2017, Bordi Ekzekutiv zgjodhi Presidentin, Zëvendëspresidentin dhe Sekretarin e Përgjithshëm.

Me shumicë votash, Bordi Ekzekutiv i Shoqatës “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”, zgjodhi zotërinjtë: Hekuran A. Rapaj, President; Astrit JAUPI Zëvendës President dhe Dilaver Goxhaj, Sekretar i Përgjithshëm. Dr. Shkencave, N/Kolonel Hekuran A. Rapaj, lindur në Gjirokastër më 18 prill 1957, banues në Tiranë. Studiues në fushën e historisë, sigurisë, marrëdhënieve ndërkombëtare, poet, publicist, analist, autor i disa librave dhe i përgatitjes së një sërë aktivitetesh të ndryshme me karakter shkencor, profesional, përkujtimor, ekspozita fotografike, dokumentarë televizivë, etj. Ekspert në fushën e inxhinierisë mekanike për transportin rrugor, në fushën e sigurisë kombëtare e ndërkombëtare, i specializuar në Akademinë e Forcave të Armatosura, në shumë kurse kualifikimi pasuniversitarë në Shqipëri dhe në kuadrin e NATO-s, si në Gjermani, Turqi, Rumani, Itali etj. Pedagog në disa universitete brenda dhe jashtë Shqipërisë, anëtar i Bordit në Akademinë e Diplomacisë Shqiptare në Tiranë dhe në Institutin e Kosovës për Studime Ndërkombëtare në Prishtinë, Zëvendës President i Përgjithshëm i Lidhjes Ndërkombëtare të Poetëve, Shkrimtarëve dhe Artistëve Botërorë, “PEGASI” -Albania. Vlerësuar nga Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” (Nderi i Kombit) me titullin “Mirënjohje e Labërisë”, anëtarë i kryesisë së kësaj shoqate, dhe Kryetar i Shoqatës “Labëria” në Kombinat dhe i Shoqatës “Shtëpëzi” Tiranë, fitues i çmimit “POLEART”, “PEGASI” Internacional Albania, Kryetar i Shoqatës Kombëtare të Transportit Ushtarak, Kryetar i Shoqatës “Për Fëmijët dhe Familjet e Ushtarakëve të rënë në krye të detyrës”, për Tiranën, etj. Ka pasur karrierë të spikatur ushtarake, si drejtues në fushën e logjistikës dhe të transportit ushtarak, në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe në Ministrinë e Mbrojtjes dhe zotëron admirueshëm gjuhën angleze.
Për Bordin Ekzekutiv të Shoqatës:“Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”.
Sekretari i Marrëdhënieve me jashtë, publikun dhe mediat
Kadri MUKA
Sigal