Përmbledhje mbi skandalin e përzgjedhjes së administratorit në universitetin e mjekësisë

2918
Në zbatim të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, nenit 51, pika 2, “Administratori i institucionit të arsimit të lartë”, Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, ka miratuar kriteret për konkurrimin në pozicionin e administratorit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, të publikuara në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit për të kandiduar në këtë pozicion ka qenë data 19.05.2017.

Më 29.06.2017, Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, ka marrë në shqyrtim dokumentacion e dorëzuar dhe, pas kryerjes së verifikimit, ka miratuar listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret për të kaluar në fazën e dytë të konkurrimit me Vendimin e Senatit Akademik Nr.40, datë 29.06.2017 “Për miratimin e listës së kandidatëve për administrator në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë”, ku z. Andi Mahila rezultoi i skualifikuar, pasi nuk permbushte kriteret e vendosura nga Bordi i Administrimit (më i rëndësishmi ishte mosplotësimi i eksperiencës prej 7 viteve në pune si jurist), pasi z. Andi Mahila ishte diplomuar në 13 Korrik 2010 dhe në datën e dorëzimit të dokumentacionit 19 Mars 2017 nuk kishte mbushur 7 vjet i diplomuar dhe aq më pak të kishte eksperiencë punë si jurist në këto 7 vjet.

Më 07.07.2017 z. Andi Mahila (aktualisht Këshilltar i Minitrit të Bujqësisë, Panariti) ka depozituar ankimim në Senatin Akademik me qëllim rishikimin e vendimit të senatit akademik, i cili nuk e kishte kualifikuar këtë aplikant në listën e kandidatëve për pozicionin e administratorit në Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, për shkak se nuk plotësonte kriterin e përvojës në punë prej 7 (shtatë) vjetësh ne fushën e drejtësisë ose ekonomisë, si edhe kriterin e eksperiencës në menaxhim të fondeve buxhetore, sipas kritereve të përcaktuara.

Në vijim Kryetari i Senatit Akademik i Universitetit të Mjekësisë, në kundërshtim të plote me kriteret e përcaktuara ne ligj, me anë të vendimit qarkullues (dmth pa i mbledhur fare anëtarët) Nr.48, datë 28.07.2017 “Për një shtesë në Nr.40, datë 29.06.2017 “Për miratimin e listës së kandidatëve për administrator në Universitetin e Mjekësisë, Tiranë”, vendosi të kualifikojë z. Andi Mahila, duke e shtuar në listën e kadidatëve per Administrator.

Sa më sipër dhe në bazë të neneve 51, pika 2 dhe 4, të ligjit nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe të kritereve të vendosura nga Bordi i Administrimit, Senati Akademik i Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, nuk mund të kualifikojë në listën e kandidatëve që nuk plotësojnë kriteret për t’u përzgjedhur në pozicionin e administratorit të këtij universiteti një aplikant që nuk plotëson kushtet thelbësore, të përcaktuara shprehimisht në Ligjin e Arsimit të Lartë, Konkretisht, sipas pikës 4 të nenit 51 të ligjit të sipërcituar “Administratori duhet të ketë arsim të lartë, së paku në nivelin “Master i shkencave” në fushën e drejtësisë ose ekonomisë dhe përvojë pune së paku shtatë vjet në këto fusha”.

Sa më sipër, marrja e një vendimi të tillë është në kundërshtim të hapur me ligjin e arsimit të lartë dhe me kriteret e vendosura nga Bordi i Administrimit të Universitetit të Mjekësisë, duke kualifikuar në këtë garë një kandidat që nuk i plotëson kushtet e përcaktuara për të konkurruar në këtë pozicion. Ky vendim lë vend për abuzim dhe nepotizëm duke iu shmangur detyrimeve ligjore që duhet të plotësojnë kandidatët për administrator. Dy nga kandidatet në garë, përkatësisht z. Dritan Milori dhe z. Nertil Kanina me të drejtë i janë drejtuar me shkrim Kryetarit të Senatit Akademik pikërisht për këto shkelje të ligjit, por edhe pas 1 muaji nuk kanë marrë ende një përgjigje, ndryshe nga mënyra urgjente që u veprua me z. Andi Mahila. Për këtë arsye, z. Dritan Milori i është drejtuar Gjykatës Administrative për këto shkelje flagrante dhe të qëllimshme të ligjit. Çështja aktualisht ndodhet në gjykim.

Ndoshta prandaj mund të themi që VETINGU duhet të fillojë nga Universiteti i Mjekësisë. Ky skandal është denoncuar edhe në rrjetin social Facebook nga Dr. Diamant Kuka dhe Dr. Rustem Celami (materiali bashkëlidhur)
Sigal