Përleshje shefash në magazinën e Akademisë së Policisë, shkak tenderi i gomave të motoçikletave mësimore

869
Vjollca KUTA
Kanë mision të testojnë dhe përgatisin fizikisht policët e ardhshëm të shtetit, por shefat në Akademinë e Policisë kanë nisur të masin forcat fizike me njeri-tjetrin. Një duel i tillë ka ndodhur dje në orën 15.00 në këtë akademi, mes dy drejtuesve të lartë të këtij institucioni të shkollës policore. Nuk ka qenë seancë prove dhe as është zhvilluar në palestër, në ringun mësimor apo në tapetin e mundje-boksit në këndin sportiv natyror të kësaj akademie, por ka ndodhur brenda magazinës së saj, midis rafteve. Ndërsa magazinieri priste të kyçte e dylloste derën e magazinës dhe të shkonte në shtëpi, Shefi i Prapavijës Fuat Korçari që sipas terminologjisë së strukturës administrative quhet “Drejtor ekonomik”, ka mbyllur derën e magazinës nga brenda dhe ka nisur grushtin me Shefin e Teknikës dhe Transportit të Akademisë së Policisë. Shkak nuk ka qenë “Veting”-u, as niveli mësimor i studentëve, as norma, cilësia dhe siguria e ushqimit të tyre, as pazaret me provimet e pranverës, verës, vjeshtës e dimrit, as veshjet dhe baza materiale e mësimit teorik-praktik, por ka qenë ai “qerrata korrupsion”, i maskuar pas një tenderi, zhvilluar e finalizuar për blerje gomash të motoçikletave që përdorin për praktikë mësimore studentët dhe kursantët që përgatiten për policë të qarkullimit rrugor, të trupës shoqëruese të ceremonive shtetërore e diplomatike, të shoqërimit të personaliteteve vendase etj! Çfarë është ky tender gomash motoçikletash, që “fryu e shfryu” inatin e përleshjes fizike mes dy zyrtarëve të Akademisë së Policisë së Shtetit, duke e detyruar Shefin e Prapavijës, “komandant” Fuat Korçarin, që t’i vërsulej me grushte kolegut të tij, Leonard Harizi, me detyrë Shef i Teknikës dhe Transportit në këtë akademi?! Po publikojmë kronikën e “raundit të parë” të boksit mes dy zyrtarëve. Për nevoja të mësimit praktikë të studentëve me drejtim policë rrugorë, ishte zhvilluar një tender, për të blerë 10 çifte gomash motocikletash. Firma e shpallur fituese nga KVO-ja e akademisë (thonë me rekomandim nga shefat drejtues), i çoi gomat në magazinën e akademisë. Mirëpo sipas ligjit, çdo shërbim, investim ose blerje materiale me tender, përpara pranimit (marrjes në dorëzim), duhet të kontrollohet për standardet e detyrueshme të mallit. Këtë praktikë dhe detyrim ligjor, zbatoi edhe Shefi i Transportit dhe Teknikës në akademi, personi përgjegjës për pranimin e tyre dhe konstatoi, së gomat e dorëzuara në magazinë nuk ishin sipas standardeve që kërkon kontrata e lidhur dhe për më tepër, siguria e qarkullimit të motorëve por dhe marka e prodhimit të tyre. Pas bllokimit të gomave, ka ndërhyrë Shefi i Prapavijës, ose “babai i mallrave” të kësaj akademie, “komandant” Fuat Korçari, duke urdhëruar shefin e transportit Leonard Harizin, që të firmoste urgjent pranimin e këtyre gomave jashtë standardit. Por ai ka refuzuar në zyrë dhe pas debatit teorik, ata kanë ka përfunduar brenda magazinës ku gjendeshin gomat, duke kaluar deri në përleshje me grushta, ku siç veprojnë gjithë “trimat”, goditjen e parë e ka dhënë shef Fuati. Kaq dihet deri tani, mbasi përleshja, ashtu si tenderi i gomave është bërë “me dyer të mbyllura” brenda magazinës së mallrave. Por dihet fakti, që çështja ka shkuar tek drejtori i akademisë, zoti Bilbil Mema, i cili ka çuar atje shefin e kuadrit për të sqaruar këtë konflikt fizik mes dy drejtuesve të lartë. Pozicioni i vështirë përballë shef Fuat Korçarit që ka në dorë edhe “qumësht dallëndysheje” në atë akademi e ka detyruara shefin e kuadrit të tërhiqet nga “arbitrimi”, duke e lënë çështjen pezull. Thuhet se “lajmi” ka shkuar tek ministri “teknik”, të cilit i është kërkuar “veprim taktik” për ta sqaruar përfundimisht këtë përleshje me objekt tenderin e gomave! 
Sigal