Përleshja gjatë grabitjes, si u plagos nga maskat çifti i bashkëshortëve

214

Një plagosje me armë zjarri tronditi mbrëmjen e së dielës Tiranën. Zyrtarisht, Policia njoftoi se një çift bashkëshortësh ishin plagosur nga dy persona të paidentifikuar, që dyshohet se kanë hyrë për të grabitur.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në banesën e çiftit në Allias, ndërsa Policia tha se janë ngritur pika kontrolli në zonën përreth. Deri në orët mbrëmjes së djeshme, identifikimi i dy personave që kanë hyrë në banesë nuk u bë e mundur, ndërsa hetimet janë përqendruar në ndonjë gjurmë që mund të kenë lënë atje.

Burime konfirmuan dje se personat që ranë pre e grabitjes janë çifti Afërdita dhe Petrit Laze, të cilët janë pronarë edhe të një furrë buke pranë banesës së tyre.

NGJARJA

allias

Sipas burimeve zyrtare, ngjarja ndodhi rreth orës 21:40, kur çifti Laze ka dëgjuar që në banesën e tyre ka hyrë dikush. Pasi personat janë konstatuar nga bashkëshortët, njëri prej tyre ka qëlluar, duke i lënë të plagosur.

“Rreth orës 21:40, në rrugën ‘Njazi Meka’, 2 persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e çiftit të bashkëshortëve P.L dhe A.L.

Në momentin që janë konstatuar nga çifti i bashkëshortëve njëri prej personave ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të çiftit. Si pasojë janë plagosur çifti i bashkëshortëve P. L dhe A. L, të cilët u dërguan në spital për ndihmë mjekësore”, njoftoi zyrtarisht Policia e Shtetit.

Më tej, blutë thanë se janë ngritur pika kontrolli për krehjen e zonës, ndërsa hetimet do të ndiqen nga Prokuroria e Tiranës.

“Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka ngritur pika kontrolli. Vijon krehja e zonës me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e mëtejshëm të rrethanave të ngjarjes”, tha dje Policia.

Mësohet se në banesë janë gjetur orendi të rrëzuara dhe kjo ka ardhur si pasojë e përleshjes së çiftit me grabitësit, ndërsa mësohet se në Komisariatin Nr. 4 janë shoqëruar disa persona për t’u marrë në pyetje.