Përkujtohet Masakra e Rexhinit

1458
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Apel djemve dhe burrave të Rexhinit
Epopeja historike madhështore e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare është dhe do të ngelet dëshmitare e heroizmit të bijve dhe të bijave më të ndritur të Rexhinit në Kurvelesh. Në operacionin e prillit 1943 fashistët italian pushkatuan në një ditë 14 djem dhe burra të Rexhinit. Ata ishin Hekuran Alimemaj, Zaçe Hasanaj, Mehmet Mehmetaj, Laze Kadënaj, Bush Demiraj, Barxhul Dalipaj, Meçan Begaj, Godo Balilaj, Ago Skëndaj, Mejdi Ruçaj, Muhedin Isufaj, Aliko Hodaj, Rasho Tabaj, Duro Sejdiaj. Të njëjtën gjë bënë edhe nazistët gjermanë, më 18 qershor të vitit 1944 ku pushkatuan pa mëshirë 9 gra, fëmijë dhe burra, si Hamide Dalipaj, Xhemo Xhebraj, Lale Xhebraj, dy fëmijë Çobo e Begë Isufaj, si dhe Velo Emini, Qebir Balilaj, Reis dhe Hasan Skëndaj. Dëshmorë të rënë në krye të detyrës nga Rexhini pas çlirimit të vendit janë dhe Halil Hodaj, Hsana Hasanaj. Megjithatë rexhiniotët u lidhën me Luftën dhe treguan sakrifica dhe trimëri. Fashistët italianë dhe shërbëtorët e tyre morën një sërë masash represive e terroriste, si burgosje dhe internime. Në dhjetor të vitit 1942 ndërmorën një operacion ndëshkimi, ku në krye të tij ishte vetë prefekti fashist i Gjirokastrës Tahir Kolgjini, me qëllim që të shtypte kryengritjen dhe qëndresën heroike e të pamposhtur të popullit të Kurveleshit. Kurveleshi ishte krahina e parë e çliruar që nga 28 nëntori i vitit 1942. Në këtë operacion fashistëve nuk u shkoi as presioni dhe as demagogjia që përdorën. Ata dështuan dhe ikën në panik.
Operacioni i prillit të vitit 1943
Pas kësaj humbje të turpshme në Kurvelesh okupatorët fashistë ndërmorën operacionin e prillit të vitit 1943. Këtë e përjetoi ndjeshëm edhe Rexhini, i cili ishte bazë e rëndësishme luftës, me një organizim të plotë e të përsosur me çeta dhe me batalione, me Këshilla Nacionalçlirimtare në çdo fshat. Armikun në shumë luftime në këtë fshat dhe në krahinën e Kurveleshit kishte pësuar disfata të njëpasnjëshme. Fashistët italianë duke pasur edhe përkrahjen e krerëve të Ballit Kombëtar organizuan në befasi operacionin, me forca të shumta e të armatosura deri në 2.000 veta të përbërë edhe nga Divizioni “Parma” dhe një repart karabinierësh, në kohën kur dy çetat partizane të Kurveleshit ndodheshin jashtë krahinës. Në fillim të prillit 1943 forcat fashiste me një regjiment u dislokuan dhe zunë bazën e nisjes në rajonin e Kalbaqit në fshatin Rexhin. Rexhini ishte rrethuar plotësisht. Qëllimi i pushtuesve ishte të asgjësonin forcat partizane, të terrorizonin veprimtarët e shquar të Luftës Nacionalçlirimtare dhe të rivendosnin pushtetin fashist që populli i Kurveleshit e kishte përmbysur më 28 nëntor 1942. Në mëngjesin e datës 7 prill 1943, krahas drejtimeve të tjera forcat fashiste nën mbulimin e pararojës dhe rojeve kaluan Qafën e Kalbaqit e drejtë në Gështenjat e Lene. Në këtë mënyrë rrethuan plotësisht fshatin. Fashistët lajmëruan të gjithë burrat e djemtë që ndodheshin në fshat të mblidheshin në Gështenjat e Lene. Kishte ardhur një anëtar i këshillit krahinor i Gjirokastrës për mbledhje, ndaj dhe Këshilli Nacionalçlirimtar i Rexhinit e njësiti partizan që ndodhej në fshat shkuan për bisedime. Ju jeni partizan, i tha fashisti, Ago Skëndaj kur ata i shkuan në Gështenjat e Lenes. Këtu i gjithë populli është me partizanët, – i tha Agua. Ata e kuptuan se do të pushkatoheshin. Në një kohë thanë: Ne do të jetojmë. Të rrojë Shqipëria! Poshtë fashizmi! Ata i rreshtuan në dy rreshta te Gështenjat në Lene dhe para tyre kishin vendosur mitraloza.
Trimi Begë Isufaj largohet mes plumbave
Në Gështenjat e Lene u grumbulluan 15 burra e djem të rinj me moshë mesatare 20 vjeç, të gjithë anëtarë të çetës territoriale të fshatit. Shtatë prej tyre ishin anëtarë të rinisë komuniste dhe katër anëtarë të Këshillit ANÇ. Të arrestuarit të lidhur dorë më dorë qëndronin përballë një toge ushtarësh të armatosur. Midis djemve të lidhur ndodhej dhe Begë Isufaj, njeri i zgjuar, ku kishte punuar në guroren e Tiranës e zotëronte gjuhën italiane. Ai i flet italisht oficerit që ndodhej para tij dhe i kërkon të zgjidhnin duart për të pirë një cigare. Kjo kërkesë u pranua nga oficeri italian dhe kështu Bega nxori kutinë e duhanit dhe filloi të dredhë një cigare, por Bega duke përfituar nga mungesa e vëmendjes së oficerit italian dhe i favorizuar nga terreni i thyer dhe plot shkurre e fier largohet me shpejtësi nga vendi, ku po i mbanin. Atë e qëlluan dhe e ndoqën, por nuk arritën ta kapnin dot. Ushtarët fashistë u egërsuan nga ky qëndrim. Të arrestuarit folën me njëri-tjetrin me zë të ulët. Kjo është masakër. Oficeri fashist iu tha se ishin fshat tërësisht partizan. “Ju një fshat i vogël do të rrëzoni një perandori të madhe siç është Italia?!” “Po”, – i tha Zaçe Hasanaj, unë jam më plaku, por ne iu kemi treguar vendin edhe perandorisë otomane, ne jemi fshati i bilbilenjve dhe këta të 13 shkuan në litar vetë. Por bilbilenjtë nuk i kishin lidhur, siç na keni lidhur ju fashistët e Duçes. Fuoco! (zjarr) thirri oficeri fashist. Të 14 rexhinjat thërrisnin, ndërkohë që, binin të copëtuar nga plumbat e fashistëve. Rroftë Shqipëria e lirë! Poshtë fashizmi barbar! Në perëndim të diellit u dëgjua një breshëri e gjatë mitralozi nga drejtimi i Gështenjave. I gjithë fshati Rexhin ngriu dhe më pas filluan të qanin e të ururisnin për djemtë e burrat e tyre të vrarë. Ishte masakër e paparë, vendi i mbuluar në gjak dhe kufoma mbi njëra-tjetrën të lidhur ndër duar. Fshatarët e Rexhinit filluan t’i zgjidhnin duart e të mermin të afërmit e tyre në krahë e të ngarkuar në shpinë. Rexhini në atë mbrëmje ishte i masakruar dhe pothuajse në çdo shtëpi vajtohet. I gjithë fshati ishte në zi.
Në vajet e nënave dhe këngët e popullit 
Në vargjet e vajit të një nëne të moshuar dëgjoje: Rexhini në ulërimë/ Me djem e burra të vrarë/ Ata si trima qëndruan/ Të lidhur duar për duar… Në Alimemaj ra zija qajnë gra e qajnë fëmija. Qan dhe nënë Lina: O djalë të keqen nëna/ Ma çave zemrën për Brenda/ Të vranë o Hekuran të vranë/ Lina mbeti pa djalë… Duke varrosur atë ditë 14 djem dhe burra të fshatit nëna e Rexhinit, labe shamizezë e flokë bardhë vajton: 

O njerëz të gjithë sa ini
Kokën lart të tërë ngrini
Italianët që ju vranë
Kurveleshi si lë të gjallë… 
Pushteti i popullor mbas çlirimit nuk e harroi masakrën e Rexhinit. Presidiumi i Kuvendit Popullor me dekret të veçantë 14 djemve e burrave të fshatit Rexhin iu dha titulli “Dëshmor të Atdheut”. Eshtrat e tyre tashmë prehen në Varrezat e Dëshmorëve të krahinës së Kurveleshit në fshatin Progonat.
Shoqatat e Rexhinit dhe të Labëria i përkujtojnë
Rexhinjotët e kanë për nder që në çdo kohë, në histori kanë qenë nga të parët dhe krenohen me këtë vlera të të parëve të tyre. Me të drejtë i nderojnë dhe ndihen njëkohësisht të nderuar për atë numër të madh të bijave dhe të bijve të Rexhinit, që rrëmbyen armët e luftuan për lirinë e Atdheut. Djemtë, burrat dhe gratë e Rexhinit të Kurveleshit luftuan dhe shkuan deri në Vishegrad. Ndaj më 7 prill 2018, në një takim modest, rexhinas dhe lab u mblodhën dhe përkujtuan trimat e masakrës së Rexhinit. Veterani Rexhep Alimemaj dhe të tjerë folën për aktin heroik dhe guximin e treguar në luftë, për qëndresën vigane të fshatrave të Kurveleshit dhe të Labërisë gjatë LANÇ-it. Nga takimi doli si detyrë: duke u mbështetur në gojëdhënat e të parëve që na kanë mësuar se “Kush nuk di nga vjen, nuk di ku shkon”, vendosën që takimet të tilla t’i bëjnë mujore dhe vjetore, për të ruajtur dhe përcjellë mezazhe dashurie dhe përkujtimi bashkë në breza.


Sigal