Përkujtohet 78 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian

574
Vangjush Dako kryen homazhe në bustin e heroit Mujo Ulqinaku 

Është përkujtuar në Durrës 78 vjetori i rezistencës ndaj pushtimit Italian. Në ceremoni merrnin pjesë kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kreu i qarkut Alfred Mullaraj, prefekti Roland Xhelilaj, deputetja Esmeralda Shkjau, kreu i këshillit bashkiak Alban Ramohitaj, veteranë dhe shumë qytetarë durrsakë të cilët kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule. Kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u shpreh se Shqipëria ishte një vend i pasur me gra e burra idealistë dhe ata ishin krismat e para antifashiste në Evropë, ndërkohë që e gjitha bota rrezikohej nga çizmja e fashizmit. Sipas kryebashkiakut Dako kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që, duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste. Fjalën e rastit në këtë ceremoni përkujtimore e mbajti drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sporteve dhe komuniteteve fetare në Bashkinë e Durrësit Adrian Gurra i cili deklaroi: “Historia shënjohet përmes datash që nguliten në rrjedhë të kohërave për të mirë a për të keq. Ka data që në ndërrim të brezave ndryshojnë dhe vlerësim. Ka data që nuk ndryshojnë kahe kurrë. I tillë është 7 prilli, 7 prilli i vitit 1939, një datë e zezë për Shqipërinë e për Evropën: vendi i vetëm në kontinent që u pushtua para se të fillonte Lufta e Dytë Botërore. Ishte hera e parë që Shqipërisë, shtetit më të ri në Evropë, i shpallej zyrtarisht luftë dhe akti i gjendjes së luftës përmbyllej me pushtim. Fati i Shqipërisë paralajmëroi fatin e kontinentit. Rendi botëror i vendosur në Paqen e Versajës kishte dështuar. Kjo paqe rezultoi më afatshkurtra në histori. Shqipëria u pushtua brenda dy ditësh, por denjësia e saj nuk mbeti pa zot. Atdhetarët shqiptarë, me uniformë e pa uniformë, nën armë e vullnetarë, me komandë e pa komandë, bënë rezistencën e parë dhe i treguan botës se cili ishte vullneti i këtij populli. Ky shesh ku jemi mbledhur është dëshmitar i një prej qëndresave më të hershme antifashiste në botë. Dhe ky fakt është në nderin e këtij vendi. Mbi antifashizmin është ngritur morali politik botëror i gati 80 vjetëve dhe këto themele mbeten të patundura për sot e për mot. Fati i Evropës së re është i pandashëm prej antifashizmit. Prandaj 7 prilli është dhe një datë prove e krenarie, sepse në këtë vend antifashizmi u manifestua disa vite para se të themelohej Karta e Antifashizmit, Karta e Atlantikut, Karta e Aleancës së Madhe. Ky shesh ka parë shumë e ka dëgjuar shumë. Që nga zbarkimi i ushtrive të Pompeut deri në luftën antifashiste, mbi 60 ushtri të huaja kanë provuar të hyjnë nga kjo portë. Pushtimet kanë qenë kalimtare, ushtritë po ashtu, kurse populli jetoi e mbijetoi. Historia e Shqipërisë merr kuptim e mburrje jo nga numri i ushtrive që e kanë rrezikuar, por nga fuqia e mbijetesës. Sot është dita që të kujtojmë se qëndresa shqiptare e 7 prillit, antifashizmi i këtij populli, e fituan vlerën e tyre kombëtare e ndërkombëtare qysh se Shqipëria u shpall fuqi aleate fitimtare. Por edhe të kuptojmë se e sotmja dhe e ardhmja evropiane nuk do të mund të mendoheshin nëse Shqipëria do të ishte gjendur në një krah tjetër. Vlera më e madhe e antifashizmit në Shqipëri është pikërisht në faktin që shërben e do të shërbejë si themel i një të ardhmeje që e duam të gjithë. Le të bashkojmë sot, në këtë ditë nostalgjie për brezin e protagonizmit antifashist, vetëdijen tonë kritike për të shkuarën, zotësinë e reflektimit historik, qytetarinë dhe vlerat tona të lartësimit dinjitar të vetvetes në luftë e në paqe, në shtetbërje e shtetmbrojtje, në promovimin e kodit të identitetit shqiptar dhe në evropianizimin e mënyrës së të menduarit, të jetuarit, të qeverisurit, të modelimit të shtetit të së drejtës.” Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin italian dhe në këtë luftë ra hero Ulqinaku por edhe dëshmorë të tjerë. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. 
Sigal