Përkujtohet 75-vjetori i rezistencës ndaj pushtimit fashist italian

514
Sigal

Homazhe në bustin e heroit Mujo Ulqinaku që ra më 7 prill 1939 në duke luftuar me heroizëm

Është përkujtuar në Durrës 75-vjetori i rezistencës ndaj pushtimit italian. Në ceremoni merrnin pjesë Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, përfaqësues të tjerë të pushtetit vendor, veteranë dhe shumë qytetarë durrsakë kanë bërë homazhe pranë bustit të Mujo Ulqinakut, ku kanë vendosur edhe kurora me lule. Kryebashkiaku Dako, theksoi në fjalën e tij se liria u arrit me gjak e sakrifica që na rreshtuan në atë kohë në aleancën antifashiste e që e kujtojmë me respekt të thellë sot pas 75 vjetësh: “Përkujtojmë sot ashtu si çdo vit 7 Prillin, një ndër datat më historike për gjithë Shqipërinë dhe në mënyrë të veçantë për qytetin tonë. Si sot 75 vjet më parë Italia fashiste pushtoi Shqipërinë. Patriotët shqiptarë luftuan si mundën, sa mundën dhe ku mundën për liri dhe dinjitet. Ishim të varfër, por Shqipëria ishte një vend i pasur me gra e burra idealistë dhe ato ishin krismat e para antifashiste në Europë, ndërkohë që, e gjitha bota rrezikohej nga fashizmi. Nder dhe mirënjohje për ta! Kjo datë shënon edhe aktin më madhor e patriotik në emër të lirisë, të asaj lirie që u arrit me gjak e sakrifica nga ata bij e bija që duke bërë detyrën ndaj atdheut, ngritën lart dinjitetin kombëtar, ruajtën pavarësinë e tij dhe e rreshtuan Shqipërinë përkrah aleancës antifashiste. Ne si qytetarë të Durrësit ndjehemi krenarë sepse qyteti ynë u kthye në një front të bashkuar duke u shndërruar në këtë mënyrë në një simbol të qëndresës kombëtare ndaj pushtimit fashist dhe Lufta Antifashiste, si një ndër faqet më të ndritura të historisë së popullit tonë, zë fill pikërisht këtu, në këtë shesh, ku ne sot, 75 vjet më pas, vijmë të përkujtojmë ata që nuk kursyen as jetën e tyre për lirinë e atdheut. Pranë monumentit të Heroit te Popullit Mujo Ulqinaku janë të skalitur emrat e atyre të rënëve që me gjakun e tyre u bënë luftëtarët dhe dëshmorët e parë të Rezistencës Antifashiste në Europë. Ne do ta kujtojmë përherë me krenari 7 Prillin si ditën e parë të Rezistencës Antifashiste në Shqipëri dhe sot ne nderojmë edhe të gjithë ata që pavarësisht rreshtimeve politike të kohës, çasti historik i gjeti me armë në dorë, përkrah njëri-tjetrit, në mbrojtje të vendit. I nderuar qoftë kujtimi i tyre!”. Në këtë ceremoni ka përshëndetur edhe kryetari i komitetit kombëtar të veteranëve Rustem Peçi, i cili vuri në dukje edhe sakrificat deri në vetëflijim të dëshmorëve të luftës. Mujo Ulqinaku dhe të gjithë patriotët e tjerë nga Durrësi por edhe nga qytete të tjera ishin të parët që e pritën me pushkë pushtuesin italian dhe në këtë luftë ra heroi Mujo Ulqinaku, por edhe dëshmorë të tjerë si Haxhi Tabaku, që atë ditë nuk shkoi si zakonisht në punë por mori pushkën për të  luftuar  pushtuesin. Në rezistencën kundër nazifashistëve u bashkuan në mënyrë masive banorët  durrsakë dhe patriotë të ardhur nga çdo anë e vendit. Në këtë ceremoni u shpreh respekti dhe mirënjohja për banorët e Durrësit që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme të popullit tonë dhe që sakrifikuan deri edhe jetën e tyre për lirinë e vendit.