Përkujtohet 500 vjetori i ndarjes nga jeta i Ballëm Sulltanit

848
Përgatitën: K. Boriçi, N. Çuni, S. Xhelaj
Hirësia e Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj: Aktivitete të shumta treditore në Selinë e Shenjtë Bektashiane dhe në Balle-Martanesh
Duke filluar nga dita e sotme dhe për tri dit rresht, nën përkujdesjen e Kryegjyshit Botëror Bektashian, Hirësisë së Tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, organizohen një sërë aktivitetesh të rëndësishme me rastin e 500 vjetorit të ndarjes nga jeta të Ballëm Sulltanit, aktivitet që shënon një ngjarje e rëndësishme në botën bektashiane. “Ballëm Sulltani është quajtur Piri i Dytë i bektashizmit, dhe sot e kësaj ditë ka lënë gjurmë të pashlyeshme të këtij tarikati të mrekullueshëm, që në gjithë historinë e vet la emër dhe mbetet simbol i besimit dhe vullnetit për paqe dhe vëllazërim në përmasat universale të harmonisë e tolerancës fetare në gjithë veprimtarinë dhe kontributin e dhënë njerëzimit në këta tetë shekuj. …Me ardhjen e udhëheqësit të gjashtë, Ballëm Sulltani, në postin e Kryegjyshit, në vitin 1509, personalitet që i dha bektashizmit formën e tij të vërtetë, rrjedha e ngjarjeve për këtë tarikat ndryshoi dukshëm… Ne kemi marr të gjitha masat në përkujtim të kësaj ngjarje të rëndësishme, përfshirë në një hapësirë treditore…”- pohon mes të tjerave Kryegjyshi Botëror Edmond Brahimaj.
Kush ishte Ballëm Sulltani
Jusuf Balliu ose Ballëm Sulltani ka lindur në vitin 1452, në qytetin e Dimotekës së Bullgarisë. Për emrin ka mendime të ndryshme, disa mendojnë se vjen nga Bal-mjaltë, disa e lidhin Ballëmin me bal-fjalë dialektore që do të thotë: vëllai i madh, person i dashur, shenjtor (ana shpirtërore). Pas vdekjes së nënës ai shkoi në teqenë e Sejjid Ali Sulltanit ose (Kizil Deli), ku qëndroi deri në moshën 18 vjeçare. Dhoma ku mësoi është quajtur “Mësonjëtorja e Ballëm Sulltanit”. U rrit me një kulturë të gjerë dhe u bë i njohur për dituritë e njohuritë fetare. Bëri premtimin solemn dhe hodhi supeve harkanë e famshme të dervishit, si dervish i virgjër (myxherret). Atje u frymëzua me frymën mistike bektashiane, duke u graduar me titujt “baba”, dhe më vonë “gjysh”. Bëri vizita edhe në viset e tjera të Ballkanit. Nuk përjashtohet mundësia të ketë ardhur edhe në Shqipëri, ku qe përhapur bektashizmi ndoshta, rrugës për në Krujë mund të ketë kaluar nga Balleja e Martaneshit. Rreth vitit 1496 u nis, me dyzet dervishë, për në teqenë e Nevshehirit . Kur arriti në Stamboll, mori vesh, se Sulltan Bajaziti ishte shumë i sëmurë; prandaj shkoi t’i bënte një vizitë dhe iu lut Zotit për shëndetin e tij. Lutja iu pranua dhe Sulltani po bëhej mirë, ndaj e mbajti disa kohë aty. Kur u shërua plotësisht, ai mbeti shumë i entuziazmuar nga ky personalitet i shenjtë dhe, para se ta përcillte, i dhuroi me dekret të posaçëm shumë toka nga pronat e shtetit, që do ta përmirësonin dukshëm gjendjen ekonomikè të Qendrës Botërore Bektashiane. Pas kësaj u nis për në teqenë e Haxhi Bektashit me 40 dervishë të tij. 
Riorganizimi i teqeve në botë
Ballëm Sulltani iu përvesh punës dhe riorganizoi teqenë e Haxhi Bektashit, e shtoi e rriti dhe e përhapi kudo besimin bektashian. Ai solli shërbime të mëdha bektashizmit, duke bërë së pari një riorganizim të ri, në vende të ndryshme të botës, duke i dhënë fizionominë e plotë duke e ndarë në gjashtë gjyshata. Riorganizoi teqetë bektashiane kudo në botë, Kryegjyshata dhe më pas gjyshatat, teqetë, prindëri dhe deri te institucioni më i vogël, dervishijet. Qendra e Haxhi Bektashit, përfshinte pjesën e Anatolisë Qendrore e Perëndimore. Qendra e Sejid Ali Sulltanit në Dimotekë, përmblidhte gjithë Ballkanin. Qendra e Shahkuli Sulltanit në Stamboll, përfshinte viset gjatë bregut të Detit të Zi. Qendra e Abdul Muminit në Qerbela, përmblidhte një pjesë të madhe të Arabisë dhe Persisë. Qendra e Abdall Musajt, përmblidhte pjesët e tjera të Anatolisë. Qendra e Kajgusëz Sulltanit, Kajro, Egjipt, përfshinte Afrikën Veriore. Kjo ndarje administrative vazhdoi deri më 13 dhjetor të vitit 1925 kur Parlamenti turk mbylli Qendrën Botërore Bektashiane dhe gjithë tarikatet e tjera në Turqi. Në këto kushte Kryegjyshata Botërore u vendos në Shqipëri shtator 1929. Ballëm Sulltani rivendosi një sistem hierarkik të qëndrueshëm dhe rivendosi me vendosmëri rregullat kanonike dhe dokrtinore të besimit tonë. Hierarkia e bektashizmit është kjo: ashik (adhurues), myhib (anëtar spiritual), dervish, baba, gjysh, halife, dede. Ai ka meritë të madhe në institucionalizimin dhe formësimin e tarikatit bektashian, ka bërë ndryshime në mënyrën e aplikimit të riteve dhe erkanit bektashi, duke i dhënë përparësi Erqan-Namesë dhe Tarikat-Namesë. Ka formuar grupin myxhyretëve (të pamartuarit), të cilët tërë jetën do t’ia kushtonin tarikatit, organizimin e teqeve, sepse solli element të rinj për tarikatin bektashian. Rivendosi aktin e virgjërimit, sepse kjo do t’i çlironte klerikët nga çdo përkujdesje tjetër dhe do të merreshin vetëm me çështjet fetare. Që dervishët bektashinj të dalloheshin nga të tjerët, futi praktikën e shpuarjes së veshit të djathtë dhe vënien e vathit të virgjërimit, që quhet mengysh dhe që bëhej me një ceremoni të veçantë. Ndryshime bëri dhe në veshjet e klerikëve. Vendosi rregull e disiplinë për mbarëvajtjen e veprimtarive fetare dhe të jetës së brendshme të teqeve… Bektashizmi i detyrohet shumë shërbimeve të Ballëm Sulltanit, pse ai e bëri t’i dëgjohej zëri i saj në të katër anët e botës, se kishte një bazë dhe organizim të shkëlqyer, ishte personaliteti më i madh pas Haxhi Bektashit dhe vjershëtor mistik. Prandaj në traditën bektashiane konsiderohet si Piri i Dytë. Që prej kohës së themelimit të tarikatit bektashian erdhi duke u pasuruar e plotësuar nga pikëpamja droktinore, fetare dhe organizative. Pas dy 10 vjeçarëve të parë të shekullit XVI Ballëm Sulltani do t’i jepte trajtën përfundimtare këtij urdhri, ai e vazhdoi detyrën fetare deri në mbarim të jetës së tij më 1517. Tashmë u bë një simbol, shenjtë. Edhe në Shqipëri njihet Vendi i mirë i shenjtë i Ballëm Sulltanit në Martanesh me një histori interesante të kalanderit në Sopot, në legjenda dhe gojëdhëna. lidhur me ngjarjen e trishtuar Karamahmud Pashës, populli në këngë thotë: 
“…O se atje ndodhet more një vend i mirë / S’duron pashë mor s’duron vezirë/ O Martanesh mos të humbtë nami,/ Të ndihmoftë Ballëm Sulltani!.”
Vendi i Shenjtë
Vendi i Shenjtë me vlerë mistike ndodhet në malin e teqesë, midis fshatit Kostenjë dhe krahinës së Martaneshit. Në këtë vend të mirë thuhet se takohen Evliatë e gjithë botes një herë në dyzetë vjet dhe bëjnë mbledhje. Në këtë vend hyjnor të bekuar nga Zoti, ka dhënë shenjë Ballëm Sulltani. Shpella ndodhet 100 metra në ngjitje të malit të teqesë, me hyrje 10 metra të gjatë dhe 5 metra të gjerë, me degëzime e ngushtime pa mbarim. Sipas gojëdhënave, rrugët vazhdojnë dhe njëra të dërgon në Aba Ali (Tomor), kurse tjetra në Sari Salltik (Krujë). Aty ka disa dhoma dhe kthina, me forma të ndryshme interesante, si shala e kalit, një si kokë kaprolli në tavan dhe shumë forma të tjera kafshësh. Në mes të shpellës ndodhen dy shenja varri, një sofat guri, një sofër guri me shenja të tjera, një vatër zjarri, vendi i kazanit, rafte të ndryshme dhe objekte guri, që janë përdorur për gatim. Uji që rrjedh pa ndërprerë nga një prej tavaneve, është përdorur për shërimin e njerëzve dhe kafshëve. Ka edhe shumë shenja të tjera, të cilat janë të pashpjegueshme. Teqeja e dytë e rajonit të Martaneshit, ajo e malit, mbante emrin e Ballëm Sulltanit. Është interesante të theksojmë se ashtu si dy teqe të tjera të Shqipërisë që gjendeshin në male, ne vende të izoluara e të destinuara për të shërbyer si vende pelegrinazhi, teqeja Sari Salltik në Krujë dhe teqeja e Tomorit e lidhur me santuarin e Abas Aliut, ajo i ishte dedikuar një personazhi pak a shumë mistik. Gjatë vizitës së J. Suire në teqenë e Ballëm Sulltanit, rreth 1937, atë e shoqëruan në një guvë ku rridhte ujë pikë-pikë për, t’u dhënë fëmijëve të sëmurë; në këtë shpellë gjendeshin edhe dy varre, njëri prej të cilëve ishte konsideruar si ai i Ballëm Sulltanit. Pas varreve atë e shoqëruan në një galeri, që thuhej se çonte pikërisht në galeri të nëndheshme që shkonin nga një anë në malin Tomor dhe tjetra tek shkëmbinjtë në Krujë; dmth tek dy vendet e tjera që ne përmendëm. Historiku i teqesë është si më poshtë: Sipas Hasluck, ajo ishte e ndërtuar në kohën e Mahmud Pashë Shkodrës, pra në fund të shekullit të 18. Në fakt ajo duhet të jetë ndërtuar në të njëjtën kohë me teqenë tjetër të Martaneshit rreth 1870… Teqeja e Ballëm Sulltanit mbijetoi nga bandat e fshatarëve kryengritës në 1914, por më vonë, ajo u shkatërrua në 1921 prej serbëve që siç thotë Hasluck arritën deri aty, sa i rruan mjekrën babait. Në vitet 1923-1924, teqeja ishte në shkatërrim. Dihet që ajo u rindërtua më vonë dhe paraqitej si një ndërtesë me një kat, të mbuluar nga një çati e lartë me ullukë për dëborën. Përpara kishte një oborr dhe një derë të madhe hyrjeje. 
Studiuesit për Ballëm Sulltanin
Shumë autor të huaj shkruajnë dhe vlerësojnë veprën dhe jetën e Ballëm Sulltanit si dishepull i madh i bektashizmit botëror. Ja si shkruan autorja Iren Melikoff: “Ballëm Sulltani e reformoi urdhrin. Ceremonia e besimit, që futet në udhën bektashiane, e krijuar nga ai, përdoret akoma në ditët tona. Atij i njihet përdorimi i 12 qirinjve gjatë ceremonive, sikurse dhe mbajtja e teslimit, “guri i braktisjes, i quajtur ndryshe paliheng”, me 12 cepa. Me Ballëm Sulltanin fillon sendërtimi i plotë i një urdhri dervishësh beqarë dhe shumë të vendosur, në myxheretllëkun e tyre, të cilët, vazhdimisht, shpirtërisht dhe fizikisht qëndronin në teqe. Institucioni i dervishëve të përkushtuar për myxheretllëkun e vendosur të tyre, ishte i njohur në botën turko-iraniane. Veçanërisht ishte rasti i kalanderëve, dervishët myxhyret mbanin një vëth serme në vesh.” Ballëm Sulltani jo vetëm që ishte një mistik i njohur por shkroi poezi mistike dhe u bë i njohur në gjithë botën. Ja pjesë nga poezia e tij: 
“Ai që dua unë është i Madhi Ali.
Pse? Kush do Atë nuk bëhet veli?
Un’ nga dor’ e Pirit piva kët’ dolli,
Po ti, në do Zotin, mos më nga në plagë
Dhe plagët që kisha, të gjitha jan’ lidhur,
Tek dashuri e Zotit veten e kam shtrydhur
Jam Ballëm Sulltani nga Myrseli lindur,
Po në kujton Pirin, mos më nga në plagë.” 
Dede Reshat Bardhi e Dede Edmond Brahimaj
Midis të tjerave, Dede Reshat Bardhit ka thënë: “Qysh prej shfaqjes në këtë vend të Pirit të Shquar, Ballëm Sulltanit, burrat e Martaneshit rrëfyen se e deshën Zotin. Sepse ka qenë dhe mbetet Zoti, që të dhuron paqe në shpirt. Sepse ka qenë dhe mbetet Zoti,që të jep dashuri për nënë e babë. Sepse ka qenë dhe mbetet Zoti, që të jep forca të biesh për Atdhe. Kjo dashuri në Zot e Atdhe, ka bërë që këto vise të mrekullueshme të Martaneshit, të mbeten të paprekura nga çdo lloj armiku, sado i egër të ketë qenë ai. Por Martaneshi është shquar edhe për dashurinë që ka treguar ndaj arsimit dhe shkollës shqipe. Me pushkë dhe me penë këto troje kanë qenë dhe mbeten sot simbole të lirisë sonë. Ky Vend i Shenjtë, ka rritur, ka edukuar edhe një varg klerikësh të nderuar bektashianë. Këta klerikë në çdo moment janë përpjekur të rrënjosin në kujtesën e popullit të kësaj treve, dashurinë në Zot dhe Atdhe.” 
Kryegjyshi i sotëm Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj ka thënë: “Duke ardhur në këto vise gati shtatë shekuj më parë, ky shenjtor i madh do të sillte me vete, jo vetëm frymën dhe idetë e Haxhi Bektash Veliut, por edhe urtësinë dhe paqen që përcillte ky besim i mrekullueshëm midis njerëzve, që besonin Allahun e Madhëruar. Ai mundi t’i transmetojë vetitë dhe virtytet më të larta të bektashizmit në këto male të lartë, por të bukur dhe me burime ujërash të kulluar. Misioni i madh i Ballëm Sulltanit, ka qenë pa dyshim të shpërndajë dritë, për të njohur thellësinë e shpirtrave tanë, për të depërtuar në besimin tonë, për të ngjallur shpresë në gjeneratat që do të vinin, deri në ditët e sotme. Vendet e mira të Ballëm Sulltanit, si edhe teqetë e tjera të Martaneshit nuk e përfunduan misionin e tyre shekuj më parë, për t’u shndërruar pastaj në muze. Ato u kthyen në vatra të përhapjes së gjuhës shqipe, në çerdhe të vërteta atdhetarie, ku mijëra besimtarë të Martaneshit së bashku me mësimet për Pirin e ndritur, Haxhi Bektash Veliun, merrnin edhe mësime të mëdha, se si duhej t’i dilnin zot vatanit të tyre, tokës së gjysh-stërgjyshërve, historisë së ndritur të kombit. Ashtu si të gjitha teqetë e tjera, në pothuaj të gjitha trojet shqiptare, ideja e lëvizjes autonomiste shqiptare u shndërrua në ide udhëheqëse, e cila u parapriu mjaft prej zhvillimeve, sidomos këto dy shekujt e fundit”. 
Aktivitetet

Dita e parë: 27 qershor, 2017. Kryegjyshatë

Ora: 18.00
-Fjala përshëndetëse
-Hapja e ekspozitës fotografike kushtuar Ballëm Sulltanit
-Promovimi i Albumit “Ballëm Sulltani, Piri i Dytë Bektashizmit”.
-Recitime të poezive mistike të Ballëm Sulltanit dhe autorëve të tjerë nga aktorë.
-Ndarje e certifikatave të mirënjohjes .
-Koktej


Dita e dyte: 28 qershor 2017. Kryegjyshatë
Konferencë jubilare

Ora: 18.00
-Fjala përshëndetëse 
-Kumtesa: 
a-Jeta dhe vepra e Ballëm Sulltanit.
b-Erqan-Nameja dhe Tarikat-Nameja
c-Vështrim historik për Vendin e Mirë dhe teqetë e Martaneshit
-Ndarje e certifikatave të mirënjohjes .
-Koktej

Dita e tretë: 29 qershor 2017, Balle-Martanesh

Ora: 11.00. Ceremonia tradicionale. 
-Përshëndet Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj dhe të tjerë
-Ndarje e certifikatave të mirënjohjes .
-Përurimi i pllakës për shpalljen Monument Kulture të Shpellës së Ballëm Sulltanit.
-Hapja e Ekspozitës
-Koncert nga grupet artistike
-Dreka