Përkujtohen minatorët që kanë humbur jetën në minierat e Shqipërisë

539
Sigal

Me rastin e 65-vjetorit të krijimit të Minierës, flet Kadri Disha, Kryetar i Partisë Social Punëtore të rrethit Bulqizë: Ja kërkesat tona

Ditën e djeshme më datë 18 shkurt me rastin e 65-vjetorit të krijimit të minierës, Partia Social Punëtore Shqiptare organizoi një tubim paqësor në qendër të qytetit të Bulqizës, ku morën pjesë të gjithë familjarët e të rënëve në minierën e kromit. Hapja e kësaj proteste paqësore u bë me himnin e Flamurit Kombëtar për të respektuar gjakun e minatorëve që ranë në minierat e Shqipërisë. Në këtë protestë nderoi me pjesëmarrjen e tij edhe Kryetari i Partisë së Punës, shoku Muharrem Xhafa. Në këtë tubim e morën fjalën dhe përfaqësues të familjarëve të të rënëve në këtë minierë (të rënët në minierat e Shqipërisë janë 420 minatorë). Të gjithë të pranishmit së bashku kërkuan nga institucioneve shtetërore të shpallet Statusi i Minatorit. I pyetur nga “Telegraf”, z. Kadri Disha Kryetari i Partisë Social Punëtore të rrethit Bulqizë dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Drejtues të Partisë Social Punëtore Shqiptare, u shpreh për të gjitha kërkesat që i adresohen Qeverisë, duke filluar që nga miratimi i Statusit të Minatorit tek shpallja Dëshmor të Punës të gjithë të rënët në miniera e deri te kërkesa për pension të posaçëm familjar, pa anashkaluar këtu dhe kërkesat për firmën kontraktore. “Të rënë në minierën e kromit të Bulqizës dhe ata që kanë rënë në minierat e tjera të Republikës së Shqipërisë të shpallen Dëshmor të Punës. Të rënët e minierës së Bulqizës dhe në minierat e tjera të Shqipërisë të kenë pension të posaçëm familjar. Mosha e pensionit për minatorët të jetë 50 vjeç për burrat dhe 45 për gratë që njësohet me punën në minierë. I kërkojmë Qeverisë të jap shpjegime për 100 mijë ton krom të nxjerra jashtë miniere nga zona D deri në afërsi të qytetit të Bulqizës dhe kush i ka përvetësuar këto? Kërkojmë shpjegime edhe për 100 mijë ton të tjera që janë rezerva të hapura në minierë, të gatshme që i kanë shfrytëzuar barbarisht dhe kush i ka përfituar ato? Ku shkoi 40 për qindëshi i buxhetit të shtetit që aktualisht miniera i jep shtetit shqiptar? Kërkojmë hapjen e thellësisë së minierës nga niveli i 5-të deri në nivelin e 24-r. Në qoftë se firma e biznesmenit të njohur në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë me pakicë, Samir Mane e njësuar me emrin “Balfin” nuk i plotëson këto kushte Qeveria ta përzërë nga Bulqiza, sepse specialistët e menaxhojnë vetë atë në mënyrë të shkëlqyer”, -tha Disha duke e mbyllur në fund prononcimin e tij me një falënderim. “Falënderojmë oficerin e policisë për luftën që bëri kundër korrupsionit në Bulqizë dhe populli i Bulqizës e mbështet plotësisë atë ndaj luftës që ka bërë kundër korrupsionit dhe që mbështet shtresat e varfra”, deklaroi Disha.