Përgjimet ilegale të policisë, krim antikushtetues

673
Fredi LOPSI
Kriza e degradimit institucional e moral të kupolës qeverisëse, lidhja e fortë e totale e krerëve të lartë të saj me korrupsionin shtetëror e ekonomik-financiar, trafiqet e përbashkëta me krimin rajonal e ndërkombëtar, humbja e plotë e mbështetjes për shkak të traumës social-ekonomike që ka shkaktuar kjo qeverisje në dëm të popullit, ka krijuar tek kupola “mavi” dyshimet për “tradhti” edhe brenda klanit “rilindës”, duke e detyruar të marrë masa urgjente për të zbuluar “burimet” e publikimit të lidhjeve me krimin, veprimtarinë kriminale me grupet e krimit dhe të “sekretet” e aferave korruptive me koncesionet, tenderët, fondet, pasurimin dhe qejfet luksoze që bëjnë “shoqërisht” e familjarisht nëpër botë me taksat e shqiptarëve! Këto zullume të “klikës”, po publikohen përditë! Për të zbuluar “spiunët e brendshëm e të jashtëm” që dekonspirojnë veprimtarinë e tyre të trafiqeve, lidhjet me krimin dhe mbrojtjen e tij, klani qeveritar që është bërë pjesë udhëheqëse e shërbyese e krimit dhe korrupsionit, prej 1 muaji ka instaluar ilegalisht një aparaturë speciale të sofistikuar përgjimi telefonik (celular) brenda një zyre “private” në Drejtorinë e Policisë së Shtetit! U vërtetua, se kjo aparaturë nuk është një “copë llamarinë për praktikë mësimore policësh”, siç u deklarua prej Policisë së Shtetit, por është një aparaturë speciale përgjimi e sofistikuar, që futet lirshëm në rrjetin e telefonisë celulare, bllokon shërbimet mobile deri në inekzistencë duke i përthithur totalisht valët dhe regjistron plotësisht bisedat e abonentëve! Tashmë, dihet, se për çfarë “misioni” është instaluar kjo aparaturë, ashtu siç dihet që është “trafikuar” e është instaluar po ilegalisht në një “zyrë sekrete” të Policisë së Shtetit, duke u përdorur për përgjim privat prej llogari informacioni të krerëve të policisë e të qeverisë!
Aparatura “IMCI Catcher” edhe në SHBA është instaluar me 4 ligje të posaçme
Aparatura “Tahiri”, teknologjikisht si markë quhet “IMCI Catcher”. Kjo është një pajisje që përdoret për përgjimin e trafikut të telefonisë celulare (mobile), si edhe për të ndjekur vend-ndodhjen e personave që përdorin telefona celularë. Teknikisht, kjo pajisje shërben për të realizuar krijimin e një antene të rreme që futet midis telefonit celular dhe antenës reale të shërbimit publik mobile. Aparatura “IMCI Catcher”, vazhdon përdoret në disa vende nga agjencitë ligj-zbatuese dhe nga shërbimet e inteligjencës, për zbulime individësh e grupesh krimi dhe veprimtarie kriminale “specifike” e jo rutinë. prej 1 muaji, kjo lloj aparature është futur prej Ministrisë së Brendshme edhe në Shqipëri, por futja e saj është bërë ilegalisht, pa miratim ligjor, pa dijeninë dhe miratimin e institucioneve të larta ligjbërëse, ligjzbatuese e ligjkontrolluese kushtetuese të shtetit. Sipas hetimit të SHISH dhe deklarimeve të prokurorisë, rezulton se instalimi dhe futja në përdorim e kësaj aparature përgjimi është bërë në mënyrë të kundërligjshme, me iniciativë të kupolës drejtuese në Ministrinë e Brendshme. Ky përbën një skandal si veprim anti-kushtetues, për përdorim të shtetit për qëllime personale,e me bazë shkeljen e hapur të sigurisë dhe lirive civile e personale kushtetuese të shtetasve. Edhe në Francë, kjo aparaturë është instaluar në momentin e shpërthimeve, por vetëm për përgjime specifike që kishin lidhje me objektin e krimit terrorist që ndodhi! Edhe në Itali ëhstë përdorur dikur, por prej vitesh nuk përdoret më, mbasi është ndaluar me ligj të posaçëm. Edhe në Gjermani është përdorur 1 vit, kur bëhej fjalë për ridaljen në skenë të grupeve neo-naziste që bënin terror e kërcënim për sigurinë kombëtare! Është përdorur edhe në Austri, në Suedi, Belgjikë, Holandë, Greqi, Kanada, Australi etj. Edhe në SHBA, kjo pajisje është përdorur, por është instaluar me ligj të posaçëm si leje instalimi, me ligj tjetër të posaçëm për futjen në veprim dhe po me ligj tjetër të posaçëm për veprimtarinë konkrete të kufizuar në subjektin e piketuar për “ndjekje” në lidhje me aspektet, subjektet, kohën e përgjimit, institucionet që kanë të drejtën për përdorimin e njohjen me informacionet dhe arkivimin e “lëndës” së grumbulluar! Ndërsa në Shqipëri, nuk u pyet as për ligj, as për institucione kushtetuese, as për leje nga gjykata për subjektet nën përgjim, as për kontakt informacioni me Presidentin e Republikës dhe shefin e SHISH, as për bashkëveprim me prokurorinë, por aparatura përgjuese “Tahiri” u trafikua hajdutçe dhe u fut e instalua ilegalisht në një “vrimë” (zyrë speciale) të Policisë së Shtetit e prej andej nisi veprimtarinë përgjuese jo në shërbim të shtetit, po duke i çuar informacionet vetëm tek “veshi” i ministrit Tahiri e prej tij, tek “veshi” i kreut të qeverisë, duke krijuar një “server” informacionesh përgjimi me të dhëna… pirate e private! 
Po zbardhet fakti, që aparatura është instaluar e përdorur për përgjim të paligjshëm e ilegal 
Ka mjaftuar një “copë letër” që SHISH i ka dërguar prokurorisë, duke e njoftuar me provë konkrete, se “Ministria e Brendshme ka futur ilegalisht dhe ka instaluar e futur në veprim një pajisje për përgjime të paligjshme”, që policia e shtetit të vihet nën hetim nga prokuroria, sipas të cilës “një pajisje tepër e sofistikuar përgjimi është instaluar dhe po përdoret në mënyrë të kundërligjshme për përgjime të paligjshme në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë prej më shumë se 1 muaji dhe se kjo pajisje nuk është regjistruar si e futur në Shqipëri dhe në veprim, në asnjë regjistër institucionesh shtetërore, që merren me këtë veprimtari e me këto pajisje specifike”. Ditën e premte, dy oficerë të Policisë Gjyqësore të Prokurorisë së Tiranës u paraqitën në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, me një vendim për të sekuestruar pajisjen “misterioze e ilegale”. Por të dërguarit e Prokurorisë u kthyen “duarbosh”, pasi Policia e Shtetit u tha se “… kjo pajisje nuk është në administrimin e tyre, por shërben vetëm për qëllime trajnimi dhe administrohet nga misioni “Interforze” i Qeverisë Italiane, e cila asiston policinë shqiptare. Prokuroria e Tiranës i është drejtuar zyrtarisht “Interforze”-s, për të krijuar një ide më të qartë se për çfarë qëllimi është përdorur pajisja. Orë pas ore, po zbardhet fakti, që kjo pajisje është futur dhe përdoret në Shqipëri për përgjime të paligjshme, akt që përbën një precedent të shumë të rëndë në institucionet e sigurisë kombëtare e asaj publike! 
————————————————————————–
Ja si realizohet përgjimi me aparaturën “IMCI-Catcher”
Mjafton që sinjali të jetë i fortë dhe celulari lidhet automatikisht operatorin telefonik. Ky fakt është shfrytëzuar nga shpikësit e pajisjes së përgjimit “IMCI-Catcher” që disponohet nga policia shqiptare dhe është në Tiranë. Ajo vepron si një antenë false e telefonisë celulare dhe çdo telefon pranë saj mund të përgjohet në tekst dhe audio. Në shumë vende të botës përgjimi nga një pajisje e tillë ka shkaktuar debate për shkak të shkeljes së privatësisë dhe është pasur me hartimin e ligjeve të rrepta. Jo të gjithë telefonat pranë pajisjes, bëhen pjesë e përgjimit. Vetëm ato që përzgjidhen nga personat që e kontrollojnë pajisjen mund të përgjohen. Mjafton që telefoni të jetë në gjendje pritjeje dhe që pajisja të jetë e lidhur me operatorin e duhur të telefonisë. Më pas telefonatat audio dhe mesazhet janë të lehta për t’u përgjuar, por tek to nuk mund të ndërhyhet. Në shumë raste, një celular nuk jep shenja se po përgjohet. Por disa prej tyre, tregojnë një simbol në ekran. Kjo varet edhe nga operatori përkatës i telefonisë celulare.
———————————————————–
15 pyetje lidhur me krimin “përgjim ilegal”, që duhen zbardhur urgjent 
1. Përse nuk është marrë miratim nga Komisioni i parlamentar i Sigurisë kombëtare, për futjen në Shqipëri dhe qëllimin e përdorimit të kësaj aparature përgjimi?
2. Përse nuk është njoftuar Këshilli i Sigurisë Kombëtare?
3. A dinë gjë partnerët ndërkombëtarë të shërbimeve inteligjente, për instalimin e kësaj aparature?
4. Përse nuk është njoftuar për bashkëpunim edhe prokuroria, si organ kushtetues hetimi?
5. A është zhdoganuar si “artikull” kjo aparaturë, në cilën doganë, në cilën datë, me çfarë urdhri, me çfarë porosie blerësi, në emër të cilit objekt është bërë zhdoganimi dhe cili institucion ose individ shqiptar e ka marrë në dorëzim?
6. Eshtë blerë, apo është dhuruar kjo aparaturë dhe nga cili shtet e nga cili institucion, apo individ i huaj?
7. A është futur në aktivitet kjo aparaturë dhe me çfarë urdhri? 
8. Nëse është përdorur për “praktikë mësimore të policëve”, përse duhej të futej e të instalohej ilegalisht, pa dijeninë dhe pa miratimin e institucioneve ligjbërëse, ligjzbatuese e bashkëvepruese?
9. A janë bërë përgjime konkrete, sa janë bërë në politikanë, shtetarë, qeveritarë, intelektualë, gazetarë, diplomatë, biznesmenë, kriminelë dhe cilët janë konkretisht subjektet dhe individët e përgjuar?
10. Cila është lista emërore e oficerëve të trajnuar me këtë aparaturë, cilët janë trajnuesit, cili është programi i trajnimit dhe a është miratuar e monitoruar nga institucione të tjera gjatë zbatimit?
11. A është marrë leje nga gjykata, për procesin e përgjimit dhe për çdo individ, apo subjekt të përgjuar?
12. A është marrë leje prej AKEP, për ndërhyrje në valët e shërbimit celular kombëtar e ndërkombëtar?
13. A kanë dijeni shërbimet telefonike celulare që veprojnë në Shqipëri, për ndërhyrje në valët dhe abonentët e tyre, nëse po, a kanë dhënë leje?
14. Cila strukturë policore e ka përdorur aparatin dhe ka realizuar përgjimin?
15. Ku gjenden përgjimet e bëra deri tani?
Sigal