Përgjegjësitë dhe rolet e gruas në jetën e përditshme

803
Rajna Kovaçi

Në linja të përgjithshme, gruaja merret me shumë probleme, ajo ka disa role themelore në jetë, por për fat të mirë Zoti i ka dhënë aftësinë t’i kombinojë me mjeshtëri.
Nuk është e nevojshme të kesh lindur artiste, që të kalosh nëpër situata të pafundme gjatë jetës. A e keni menduar ndonjëherë sa shumë situata nga më të ndryshmet kalojmë në kuadrin e të njëjtës ditë? A është e lehtë të kalojmë nga njëra tek tjetra? E të jemi të suksesshme në të gjitha apo edhe t’i përgjigjemi, të jemi të gatshme e të mbulojmë ato që na presin? E në të gjithë këtë histori nyjesh nga më të ndryshmet, a mundet të jemi vetvetja, a jemi në gjendje ta ruajmë individualitetin tonë deri në fund? Të qenit grua, por edhe bashkëshorte, është një rol shumë i vështirë, duke shtuar edhe përgjegjësitë dhe detyrimet nga më të ndryshmet. Duket sikur jemi kthyer në një radio që vazhdimisht ndryshohen kanalet….ku ka variacione melodish, duke mos lënë në një anë mesazhet dhe humorin e lartë. Ne mbetemi zemra dhe shpirti i familjes, këshilltarja më e mirë e familjarëve. Në linja të përgjithshme, gruaja merret me shumë probleme, ajo ka disa role themelore në jetë, por për fat të mirë Zoti i ka dhënë aftësinë t’i kombinojë me mjeshtëri.

Amvisë dhe zyrtare
Shtëpinë e ka përherë të arreduar me gusto, kudo sundon pastërtia dhe rregulli, e në tavolinë qëndrojnë të vendosura me shije ushqimet e përgatitura me mjeshtëri nga duart e saj të arta. Kjo gjë është karakteristikë për gruan shqiptare, sepse edhe në momente shumë të vështira kur ushqimet ishin të pakta, mundohej të krijonte diçka, t’i kënaqte anëtarët e familjes. Pra, një nga karakteristikat e arta të gruas shqiptare është edhe të qenit një amvisë e përkryer. Kjo lloj gruaje mban ose jo përparëse, ky veprim nuk ka shumë rëndësi, pavarësisht se para 10 minutash ka qenë në zyrë dhe kjo pamje nuk ka asgjë të përbashkët me zonjën zyrtare, ku nuk duket aspak të ketë këto aftësi të rralla kulinarie. Por kur është në shtëpi me familjen, ky rol i shkon shumë, do të thosha plotësisht, u sjell gaz, hare e jetë familjarëve. Nuk ka asgjë të keqe ta kryejë edhe këtë detyrë, por pa e tepruar, sepse shpesh ndodh që mund ta nënvleftësojnë të zonjën e shtëpisë dhe madje iu duket si “shërbëtore e shtëpisë”. Ndodh që bashkëshorti e keqkupton këtë rol. Tek ne shpesh ka ndodhur që, gruaja në këto pozita të keqtrajtohet e jo rrallë është përdorur dhunë mbi të. Në bazë të një vrojtimi kombëtar nga Instituti i Statistikave, lidhur me dhunën në familje, rezultatet janë të frikshme. Në vitin 2013, 56.0% e grave dhe vajzave 15-49 vjeç kishin përjetuar dhunë në martesë apo në marrëdhënien e tyre intime, 39,1% dhunë psikologjike, 31,2% dhunë fizike dhe 12,7% dhunë seksuale në martesë. Nga studimi në përgjithësi, gratë e keqtrajtuara nuk kishin përjetuar vetëm një lloj dhune, por lloje të shumta dhune. Në varësi nga lloji i dhunës në familje kishte disa dallime të rëndësishme sipas nivelit arsimor, social-kulturor, gjendjes së punësimit, grupmoshës, si dhe gjendjes civile të grave. Pra gratë dhe vajzat me arsim të lartë kishin më pak gjasa të përjetonin dhunë në familje në martesë në krahasim me gratë dhe vajzat me arsim të mesëm, tetëvjeçar, fillor apo më të ulët. Gratë me arsim fillor ose më të ulët ishin më të predispozuara të përjetonin dhunë fizike nga bashkëshortët apo partnerët e tyre. Për sa i përket gjendjes së punësimit, gratë dhe vajzat që nuk punonin jashtë shtëpisë kishin shumë më tepër gjasa të përjetonin dhunë në martesë në krahasim me ato që ishin të punësuara jashtë shtëpisë. Ndërsa për sa i përket dallimeve ndërmjet zonave urbane dhe rurale, gratë dhe vajzat në zonat rurale kishin më shumë gjasa të përjetonin dhunë në familje krahasuar me gratë në zonat urbane. Dua të theksoj faktin se kohët e fundit është shtuar shumë krimi në familje: Burra që shtyjnë gratë nga dritaret e kateve të larta, që i vrasin duke i helmuar, raste nga më të ndryshmet. Kriminelë që dalin nga burgu pasi vrasin gratë, duke lënë fëmijët jetim. Por duke mos harruar edhe grupin e atyre burrave që janë, jo vetëm kriminelë, por edhe të çmendur që e vrasin gruan në sy të fëmijëve. Kohët e fundit kemi parë e dëgjuar raste nga më të ndryshmet e më makabre. Të gjitha këto të dhëna dhe studime u duhen institucioneve shtetërore të përdoren si bazë për zhvillimin e masave efektive parandaluese, mbrojtëse dhe ligjore, si dhe të politikave për trajtimin e problemit të dhunës në familje dhe për mbështetjen e viktimave dhe të mbijetuarave të dhunës në familje. Gruaja e ditëve tona është grua e fortë, me vullnet, me ego për të ecur përpara dhe me kërkesa të mëdha ndaj vetes. Ajo investon për profesionin dhe ngritjen e saj profesionale në mënyrë që të ruajë vendin e punës. Por a e dini ju se nga të ashtuquajturat reforma, gjinia femërore është prekur më shumë nga pushimet nga puna, ristrukturimet e dikastereve, suprimimi i vendit të punës e nuk e di se çfarë lloj turli argumentesh e nxorën gruan shqiptare në mes të katër rrugëve. Vuajtje, mjerim, tragjedi dhe shpesh shkak për fillimin e dhunës në familje. E megjithatë, me sakrifica gruaja-mama vazhdon të jetojë duke marrë mbi vete shumë e shumë detyra. Dashuria që ajo ka për fëmijët e për familjen shpesh bën që ajo ta pranojë jetën ashtu si i vjen. E dobët nga ana ekonomike, pa mbrojtje detyrohet të durojë shumë rrethana. 

Duke qenë se ne gratë jemi mama, do të jemi edhe amvisa, kush më shumë e kush më pak. Është bukur të jesh amvisë, por u duhet bërë e qartë familjarëve, ta kuptojnë mirë se edhe mamatë dinë ta shijojnë lumturinë që duhet ta krijoni ju, si me kujdesin që tregoni për to dhe duke iu falur dashuri. Familjarët duhet ta dinë se ato me gadishmërinë dhe dashurinë që u dhurojnë janë gjithmonë gati, madje të japin edhe jetën për ta. Duhet të dinë që, pasi mamatë e heqin “përparësen”, kanë nevojë për pushim, për kohë të lirë, për hapësirë të mjaftueshme për veten. 

Gruaja-Bijë
Prindërit tanë që në fëmijëri na edukojnë si të jetë më e mira, mundohen të na modelojnë bazuar në eksperiencat e tyre, si dhe në idetë e tyre për çka është pozitive dhe çfarë është negative. Megjithëse vitet kalojnë dhe ne jemi tashmë të rritur, para prindërve ne vazhdojmë të sillemi si fëmijë. Të jesh bijë nganjëherë është detyrë shumë e vështirë edhe për ato më të mirat. Kjo është ta bëni atë që pritet prej jush një detyrë të cilën e kemi obligim ta kryejmë gjatë gjithë jetës e nuk ka kthim mbrapa. Ta bëjmë atë, që pritet prej nesh. Kjo nuk do të thotë se ne jemi hipokrite, do të thotë që të nxjerrim në pah atë pjesë tonën që ne e konsiderojmë të përshtatshme për një situatë të caktuar. Në këtë rast ne e dimë fare mirë se çfarë bisede do t’ju pëlqente dhe çfarë nuk do ju pëlqejë prindërve. Nëse kemi vendosur t’i mbajmë prindërit larg halleve tona edhe me mendimin mos t’i lodhim apo mos t’i shqetësojmë – mirë. Një gjë nuk duhet ta harroni kurrë dhe duhet ta vazhdojmë ta bëjmë derisa t’i kemi pranë se ata vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishëm për ne. 

Gruaja si zyrtare
Edhe nëse keni dërguar fëmijën tuaj para pak minutash në kopsht, sapo të shkelësh në zyrë, nga ju pritet të përqendroheni e të menaxhoni detyrimet e zyrës. Është e vërtetë, se për ju bëhet shumë e vështirë nëse në kokën tuaj, keni një mori problemesh të pazgjidhura në shtëpi. Është i pashmangshëm mendimi që mund të keni për shoqen tuaj të ngushtë që është në prag të divorcit, e vrasim mendjen edhe për problemet e njerëzve që na rrethojnë. Është e vështirë ta pastroni mendimin e të përqendroheni vetëm tek problemet e punës. Akoma më e vështirë bëhet sutuata kur keni bërë fjalë edhe me bashkëshortin tuaj… Vështirësia është e pranishme sepse mungesa e qetësisë që ju shkaktojnë problemet familjare ju lodhin. Por do të desha t’u jap një këshillë. Mundohuni që punën ta përdorni edhe për t’u larguar sado pak nga hallet familjare. Pra mos e stërlodhni veten. Sepse ju presin shumë punë, përgjegjësi… Eliminoni, nëse mundeni, maksimalisht të gjithë faktorët e shpërqendrimit tek puna e juaj. Nëse ia dilni mbanë, me të vërtetë, sepse më pas do të keni forcë të përballoni edhe gjërat që ju presin. 

(Autorja është eksperte e çështjeve të barazisë gjinore)
Sigal