Përgatitet qelia për Damian Gjiknurin

539
Kontrolli i Lartë i Shtetit përfundoi auditimet në Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë (MEI) dhe Avokaturën e Shtetit (ASH), që filluan më 16.03.2015 dhe përfunduan më 27.07.2015 dhe me shkresat nr. 118/4, datë 03.08.2015, nr. 264/4, datë 03.08.2015 i janë përcjellë këtyre dy subjekteve projekt-raportet e auditimit. Pas organizimit dhe zhvillimit të dy takimeve ballafaquese më 16.09.2015 me MEI dhe më 14.09.2015 me ASH dhe pas hartimit të Raporteve Përfundimtare të Auditimit, me shkresat nr. 118/12, datë 12.10.2015 dhe nr. 264/8, datë 12.10.2015, i janë përcjellë MEI dhe ASH, Vendimet përkatëse të Kryetarit të KLSH-së, nr. 140 dhe 139, datë 30.09.2015 në lidhje me këto auditime. Çështja kryesore në të dy këto auditime ka qenë procedurat e ndjekura dhe negociatat që sollën në përgatitjen e marrëveshjes së nënshkruar nga Grupi i Punës i ngritur në bazë të VKM nr. 969 dt. 25.10.2013 “Për ngritje e grupit të punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe CEZ a.s”, më datë 23.06.2014 dhe përcjelljen e kësaj marrëveshje për miratim në Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë. Në përfundim të auditimit rezultoi që dëmi ekonomik që i është shkaktuar kompanisë shtetërore OSHEE sh.a është 479 milionë euro, nga të cilat 95 milionë euro si pagesë e dakordësuar në Marrëveshje, 352 milionë euro si detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit gjatë viteve 2009-2012 dhe 32 milion euro zhvlerësimi ne zero i vlerës së 24% te aksioneve te Shtetit. Në këtë vlerë dëmi nuk janë llogaritur kostot shtese që do duhet të përballohen nga vetë Shteti Shqiptar për rigjallërimin e sistemit energjetik dhe kthimin në parametra financiare normale. Bazuar në shkeljet e konstatuara me pasojë dëmin e sipërcituar KLSH me shkresën nr. 118/13, datë 12.10.2015 ka depozituar pranë organit të Prokurorisë kallëzimin penal për Ministrin e MEI, Damian Gjiknuri dhe Avokatin e Përgjithshëm të Shtetit, Alma Hicka, me akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Marrëveshje tërësisht e pabarabartë
Me konkretisht, nga auditimi rezultoi se referuar përmbajtjes së Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, të nënshkruar më datë 23.06.2014, nga Grupi i Punës i kryesuar nga Ministri Gjiknuri, evidentohen fare qartë elementët e një marrëveshjeje tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e deriatëhershme të Shtetit Shqiptar ndaj CEZ a.s, duke shkaktuar një dëm ekonomik në shumën 479 milionë euro, si më poshtë: 1. Në vlerën 95 milionë euro për pagesë e dakortësuar në marrëveshje, të pabazuar në dokumentacion financiar për përdorimin e kredive dhe huave dytësore, apo njohje të drejtash nga CEZ Shpërndarje sh.a (dëm ekonomik i parikuperueshëm); 2. Në vlerën 352 milionë euro, si diferencë midis detyrimeve afat-shkurtra të njohura dhe të drejtave afat-shkurtra të njohura (mungesa në kapitalin qarkullues) të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a, sipas pasqyrave financiare të shoqërisë, vlerë që përfshin edhe detyrimet për faturat e blerjes së energjisë dhe tarifave të transmetimit ndaj KESH dhe OST, të akumuluara gjatë administrimit të CEZ a.s, në një nivel 41,198,699,479 lekë bashkë me interesat ose 294 milionë euro (dëm që do rëndojë gjëndjen financiare të shoqërisë në të ardhmen); 3. Në vlerën 32 milionë euro, për zhvlerësimin e vlerës së tregut të 24% të aksioneve të shtetit në CEZ Shpërndarje sh.a. Mos pretendimi i diferencës ndërmjet vlerës së aksioneve të Qeverisë Shqiptare gjatë privatizimit (CEZ a.s, ka paguar 102 milionë euro për të kontrolluar 76% të paketës së operatorit të shpërndarjes, moment kur vlera e 24% të aksioneve të Shtetit Shqiptar ishte 32 milionë euro) dhe vlerës zero të aksioneve të saj më 21 janar 2013, shoqërisë i është shkaktuar një dëm që do rëndojë gjendjen financiare të shoqërisë në një periudhë afatmesme).
Dëmi i parikuperueshëm prej 95 milionë eurosh
Nisur nga kushti i “Marrëveshjes së Mirëkuptimit” se Blerësi pranon dhe bie dakord që Shitësi nuk ka asnjë informacion në lidhje me gjendjen financiare, operacionale apo çdo gjendje tjetër të shoqërisë dhe se me vazhdimin e blerjes së aksioneve të parashikuar sipas kësaj, Blerësi e bën këtë gjë në rrezikun dhe përgjegjësinë e tij. Si rrjedhim, Blerësi do të blejë dhe bie dakord të blejë Aksionet “siç janë” “ku janë” dhe “me të gjitha të metat”, shuma prej 95 milionë euro është një dëm i parikuperueshëm, për shkak të njohjes së detyrimeve jo vetëm të pa dokumentuara por edhe në kushtet e shkeljes flagrante të detyrimeve të rrjedhura nën SPA për të cilin mban përgjegjësi Grupi i Punës i kryesuar nga Z.Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë, ndërsa shuma 384 milionë euro është dëm ekonomik që do të rëndojë financat e shoqërisë (shtetit) për shumë kohë, duke kërkuar një regjim të fortë kontrolli financiar.
I. Në analizë të vlerës prej 95 milionë euro të dakordësuar nga ana e Grupit të Punës për të paguar në favor të CEZ a.s, rezultoi që: I.1. Është marrë përsipër pagesa prej 36.9 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe IFC-ja mbi bazën e kontratave të lidhura nga CEZ Shpërndarje sh.a, në periudhën 30 qershor 2011 dhe 1 korrik 2011. Kjo shumë huaje ka qënë e njohur në pasqyrat financiare të CEZ Shpërndarje sh.a (sipas pasqyrave financiare të publikuara nga vetë shoqëria), por me një marrëveshje blerje huaje detyrimi ka kaluar për CEZ a.s, marrëveshje që reflektohet në ngjarjet/transaksionet ekonomike të vitit 2013, pra pasi ka lindur konflikti dhe në një kohë kur CEZ Shpërndarje sh.a ka qënë nën administrim të përkohshëm, me administrator z.Arben Seferi, anëtar i Grupit të Punës në negociatat e kësaj marrëveshje mirëkuptimi. Në vlerësimin e ekspertit të BDO LLP të kontraktuar nga Shteti Shqiptar, pas analizës së dokumentacionit të vënë në dispozicion, theksohet se nuk ka evidenca të sakta se si është përdorur huaja e marrë. Kjo edhe për faktin se organizimi i investimit të CEZ a.s, përgjatë katër viteve në Shqipëri është realizuar nëpërmjet tre kompanive CEZ Shpërndarje sh.a, CEZ Trade dhe CEZ Albania nga të cilat vetëm CEZ Shpërndarje sh.a, është në bashkëpronësi me Republikën e Shqipërisë (e cila zotëronte 24% të aksioneve) ndërkohë dy kompanitë e tjera janë në pronësi vetëm të CEZ a.s (100% të aksioneve). Për më tepër këto evidenca, pasqyra apo raporte nuk janë kërkuar apo analizuar nga Grupi i Punës përgjatë takimeve negociuese të kësaj “Marrëveshjeje Mirëkuptimi”. Në raportin teknik cilësohet se në SPA (Marrëveshje e Blerjes së Aksioneve), nuk ka një shume specifike të cilën Blerësi pritej ta investonte, por përcaktohet CEZ a.s si një investitor strategjik. Nën kushtin e investitorit strategjik, kërkohej marrja përsipër e uljes së humbjeve në rrjetin e shpërndarjes dhe në nivelet e borxhit të keq të shoqërisë, në përputhje me Deklaratën Rregullatore, bazuar kjo në një plan biznesin paraprak. CEZ a.s, mori angazhime që të investonte shuma të caktuara në rrjet, për të cilat u dakordësua me ERE-n, por në fakt ajo dështoi që të investonte shumat për të cilat u angazhua. Nga të gjitha burimet e informacionit të shfrytëzuara për këtë auditim, konstatohet mungesa kumulative në investime për periudhën e administrimit nga CEZ a.s, në vlerën 13,2 miliardë lekë. ERE ka aprovuar një vlerë investimi prej 18,832,811,307 lekë (për 4 vjet) nga e cila sipas pasqyrave financiare (paragrafi 5.12, 5.13 dhe 5.16) rezulton të jenë realizuar 5,589,595,002 lekë investime (për periudhën 4 vjeçare), pra duke rezultuar një mungesë në kapitalin e investuar në masën 13,243,216,305 lekë. Nga vlerësimi i realizuar mbi Pasqyrat Financiare, Raportet e Auditimit por dhe Raporti Teknik i konsulentit të huaj, krijohet bindja se huaja e marrë nga BERZH dhe IFC, nuk është përdorur për investime sic dhe është pretenduar. Huaja nga BERZH dhe IFC është marrë në mesin e vitit 2011, dhe niveli i investimeve të realizuara për vitin 2011 dhe 2012 është 2.7 miliardë lekë (19.3 milionë euro), sipas pasqyrave financiare. Pra nga vlera e njohur si hua prej 36,7 milionë euro, vetëm 19.3 milionë euro rezulton të jetë përdorur për investime, duke ngritur pikëpyetje për mënyrën e përdorimit të huasë. Kreditë të cilat shteti shqiptar njohu, nuk konfirmohet të kenë sjellë rritjen e kapitalit të programuar (investimet që programoi të realizojë për 4 vjet), nga ana tjetër mungesa e investimeve në rrjetin energjetik i cili në fund mbeti në një gjendje të mjeruar të shtojnë dyshimet për eficencën e përdorimit të huave të marra nën administrimin e CEZ a.s. Mungesa e analizës por edhe mos leximi i kujdesshëm i materialit të ekspertit nga Grupi i Punës, ka çuar në njohjen e padrejtë të një vlere kredie në shumat e pretenduara kur mungon investimi kapital për të cilin është kërkuar kjo kredi. 
Shkeljet e tjera financiare në “Marrëveshjen e Mirëkuptimit”
I.2. Në “Marrëveshjen e Mirëkuptimit” merret përsipër të paguhet shuma prej 17.4 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga disa marrëveshje Overdraft me banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Ndërkohë që nga raporti i ekspertit evidentohet që në 10.07.2012 ka një Marrëveshje midis CEZ a.s (mëmës) dhe CEZ Shpërndarje sh.a, për shumat e mbetura si detyrime të pagueshme në shumën 17 milionë euro për overdrafte me bankat e nivelit të dytë, marrëveshja është nënshkruar në momentin kur CEZ a.s, po përgatitej të largohej nga Shqipëria. Vlerat janë konfirmuar në marrëveshje midis palëve të lidhura (plotësisht të lidhura me njëra- tjetrën) dhe ky fakt duhet të ishte trajtuar me kujdes nga Grupi i Punës aq më shumë kur merret përsipër që kjo shumë të njihej në marrëdhënie dy palëshe. Interesat e specifikuar në marrëveshjet midis CEZ a.s dhe CEZ Shpërndarje sh.a, janë më të larta se ato të tregut. Ndërkohë nga leximi i shënimeve shpjeguese të pasqyrave financiare të CEZ Trade (shoqëri e kontrolluar 100% nga CEZ a.s), në dhjetor 2012, i është dhënë një hua afatshkurtër (nga mëma CEZ a.s) në vlerën 4 milionë euro për pagesën e detyrimeve tatimore pas aktit të kontrollit. Vlerë që shteti e ka kompensuar për sa kohë që njohu të gjitha kreditë pa bërë një analizë të qëllimeve të alokimit të tyre. Nga ana tjetër nga raporti i ekspertit Grupi i Punës ka qenë në djeni që “Ne kemi parë prova që CEZ sh.a. ka paguar shuma ndërmjet 1,6 milionë € dhe 4.7 milion € ndaj CEZ a.s. ndërmjet Shtatorit dhe Nëntorit të vitit 2012, në një kohë kur CEZ sh.a. nuk po paguane kreditorët e tij të tjerë, në veçanti KESH dhe OST, dhe në të vërtetë mund të ketë qenë duke u përgatitur për daljen e tij nga Shqipëria. 
Parregullsi të tjera që shkojnë në miliona euro
I.3. Shuma prej 25.1 milionë eurosh përfaqëson detyrimet e CEZ Shpërndarje sh.a ndaj shoqërisë CEZ a.s, Pragë dhe CEZ Trade Albania, për energjinë elektrike të lëvruar nga këto të fundit për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes. CEZ Shpërndarje sh.a kishte detyrimin të importojë energjinë për të kompensuar humbjet e rrjetit, për këtë qëllim duhej të alokonte më shumë fonde që të mund t’i përdorte për të siguruar furnizimin e vazhdueshëm me energji elektrike. Është konstatuar se niveli i humbjeve në 2009 ishte në 32% ndërsa në fund të vitit 2012 ku nivel humbjesh arriti në 46.38%. Nisur nga faktin se shteti mori përsipër të njoh vetëm detyrimet e blerjeve të energjisë realizuar nëpërmjet kompanive të lidhura të grupit CEZ a.s, njohja në vlerën e deklaruar dhe të pa verifikuar si për sasinë e faturuar dhe çmimin e blerjes, i ka dhënë mundësi CEZ a.s të përfitojë shuma për të cilat ekzistojnë kontestime. Konstatohet se detyrimi për energjinë elektrike të blerë nga CEZ a.s dhe CEZ Trade sipas pasqyrave financiare të vetë shoqërisë është shumë më e ulët se detyrimi i marrë përsipër. Në Pasqyrat Financiare konstatojmë se detyrimi i CEZ Shpërndarje sh.a, për blerje të energjisë në palë të lidhura në fund të vitit 2012 rezulton të jetë 13,5 milionë euro, diferenca që të cojnë në përfundimin se shifra nuk është bazuar në detyrime kontraktore të saktësuara. Theksojmë se janë marrë parasysh ne negociata detyrimet e energjisë së furnizuar nga CEZ a.s (mëma) por nuk janë konsideruara apo negociuar detyrimet ndaj KESH dhe OST, të cilat siç ishte në dijeni grupi negociator arrijnë në shumën 294 milionë euro, dëshmi e qartë kjo e përdorimit të standardeve të dyfishta për të njëjtën çështje. 
Për shumë 6.1 milionë euro
I. 4. Shuma prej 6.1 milionë eurosh, shumë që përfaqëson detyrimet që CEZ Shpërndarje i ka pasur shoqërisë CEZ Albania, tashmë e njohur me emrin Share Services Albania, për shërbimet e ofruara në vazhdimësi sipas marrëveshjeve përkatëse të nënshkruara, duke filluar nga viti 2009. Sipas kontratës CEZ a.s, mori përsipër të transferonte Know-How e tij nga eksperienca në treg drejt OSSH. Konstatohet se nuk është realizuar ky detyrim kontraktor, pasi OSSH/CEZ sh.a hyri në një seri marrëveshjesh me filialet e CEZ a.s, duke kontraktuar jashtë shoqërisë realizimin e shërbimeve kryesore administrative dhe operacionale që OSSH/CEZ sh.a. duhet të ushtronte. Këto shërbime përfshinin matjet, financimin, menaxhimin e faciliteteve, dhe burimet njerëzore. Në raportet financiare konstatohet se shërbimet totale administrative dhe operacionale outsorced nga OSSH/CEZ sh.a. tek CEZ Albania (filial i shoqërisë CEZ a.s, u rritën nga 0,25 miliardë lekë në 2009 në 1,4 miliardë lekë në 2012, pika 10.11). Pra është i thjeshtë fakti që për Knoë Hoë që CEZ Shpërndarje sh.a, ka paguar ndër vite për ngitje kapacitetesh që nuk ishin të vetat, shërbime kontabiliteti dhe konsulenca të cilat përsëri nuk i shërbejnë më, pasi CEZ Albania (e cila ishte në pronësi të CEZ a.s) në fund të vitit 2012 rezulton se nuk ka transferuar aktivet materiale dhe jomateriale të krijuara për vetë CEZ Shpërndarjen sh.a, por i ka zhvlerësuar këto aktive dhe ka çuar shoqërinë në likujdim. Vlera e munguar bazuar në pasqyrat finaciare të bashkëngjitur raportit teknik është rreth 21.4 milionë euro (rreth 3 miliardë lekë të shpenzuar pa patur të drejtën e pronësisë mbi këto investime në kapital njerëzor), duke përbërë dëm për interesat e CEZ Shpërndarjes sh.a. Pra shteti ka njohur detyrime për mallra dhe shërbime të cilat nuk kaluan tek CEZ Shpërndarja sh.a.
Nga analiza e pasqyrave financiare të publikuara për CEZ Albania, konstatuam se shoqëria ka provigjonuar të gjitha kërkesat e arkëtueshme, në këto kushte pagesa e marrë përsipër nga shteti për 6.1 milionë euro krijon mundësinë e shmangies së tatimit mbi divident të vlerësuar në rreth 1 milionë euro, e cila është e ardhur e munguar për buxhetin. Nisur nga sa ka konstatuar dhe vlerësuar ekspertiza e analizuar, gjykojmë se detyrimi i marrë përsipër nga Shteti në kushtet kur nuk ka evidenca dhe mungon dokumentimi i plotë i shpenzimit për llogari të CEZ Shpërndarjes sh.a, si dhe në kushtet kur konstatohet se në marrëveshje është theksuar fakti se “Blerësi pranon dhe bie dakord që Shitësi nuk jep asnjë siguri ose garanci, të shprehur ose të nënkuptuar, në lidhje me ndonjë çështje që lind në lidhje me Shoqërinë dhe/ose Aksionet dhe/ose transaksionet e referuara këtu, duke përfshirë vlerën e Shoqërisë, gjendjen e saj financiare, lejet (duke përfshirë çdo leje, liçencë, pëlqim, miratim, certifikatë, regjistrim apo autorizime të tjera) dhe/ose çdo çështje tjetër, ngjarje ose gjë që lidhet me Shoqërinë, themelimin e saj, aftësinë e saj paguese, pronësinë, biznesin, veprimtarinë, asetet, prospektet, përgjegjësitë, borxhet dhe/ose detyrimet ose çështje të tjera të mundshme. […]Blerësi pranon dhe bie dakord që Shitësi nuk ka asnjë informacion në lidhje me gjendjen financiare, operacionale apo çdo gjendje tjetër të Shoqërisë dhe se me vazhdimin e blerjes së Aksioneve të parashikuar sipas kësaj, Blerësi e bën këtë gjë në rrezikun dhe përgjegjësinë e tij. Si rrjedhim, Blerësi do të blejë dhe bie dakord të blejë Aksionet “siç janë” “ku janë” dhe “me të gjitha të metat”, përbën dëm ekonomik, pasi në mënyrë të padrejtë shoqërisë CEZ a.s, i janë njohur dhe marrë përsipër detyrime të padokumentuara, megjithëse konstatohet se ka patur një keqmanaxhim dhe humbje të mëdha gjatë administrimit që kjo shoqëri i ka bërë CEZ Shpërndarje sh.a (2009-2012)
(Vijon numrin e ardhshëm)
Sigal