Përfundon rikonstruksioni i palestrës dhe fushave sportive në gjimnazin “Qemal Stafa”

1342
Sigal

Veliaj: “Palestra
dhe fushat e sportit në shërbim të nxënësve dhe qytetarëve; ‘Qemal Stafa’,
standardi që duhet ndjekur”

 

Viti i ri shkollor i ka gjetur nxënësit e gjimnazit
“Qemal Stafa” me palestër dhe ambiente të reja sportive. Bashkia e Tiranës përfundoi
rikonstruksionin e fushave sportive të lojërave në dorë në këtë shkollë, të
cilat gjatë paradites do të shërbejnë për procesin edukativ sportiv, ndërsa pasdite
do jenë të hapura edhe për banorët e zonës përreth. Fushat u përuruan nga
kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili u shpreh i kënaqur që, pak
muaj pas rikonstruksionit të të gjithë shkollës, u mundësua edhe hapja e fushave
të rinovuara sportive.

 

“Është jo vetëm shkolla më e mirë për sa i takon infrastrukturës,
pra për klasat e laboratorët që ka, por edhe për terrenet
sportive. Kjo është një tjetër fjalë e mbajtur”, tha Veliaj. Ai vuri theksin te
fakti se këto ambiente të reja, ashtu si edhe palestra, do t’i shërbejnë nxënësve
dhe qytetarëve, pasi gjimnazi “Qemal Stafa” do të jetë një nga shkollat e përfshira
në projektin e shkollave si qendra komunitare.

 

“Është një investim që ka dobi të dyfishtë: Është
investim për nxënësit e “Qemal Stafës”, për të gjithë ata që kanë orët e tyre
të fiskulturës, por sigurisht edhe për banorët e njësisë 10, sepse pas orëve të
mësimit, palestra, terrenet sportive që janë të një cilësie jashtëzakonisht të
lartë, do të jenë të hapura për komunitetin”, shtoi kryetari i bashkisë. Ai
shprehu gjithashtu besimin se investime të tilla largojnë të rinjtë nga
kafenetë apo sallonet e basteve, duke i sjellë në aktivitete fizike e duke i bërë
qytetarë më të mirë për të nesërmen.

 

“Bashkia e Tiranës shtoi një fond tjetër 20% për t’u
siguruar që kemi cilësi të njëjtë me çdo shkollë tjetër evropiane, kur vjen
puna tek infrastruktura. Tani na mbetet që i vetmi kompensim që kërkon Bashkia
e Tiranës janë notat e mira dhe rezultatet e nxënësve. Kjo do të na bënte realisht
të ndiheshim krenarë dhe të ndiheshim mirë që paratë i kemi vënë për ta bërë
jetën dhe suksesin e të rinjve të Tiranës sa më të arritshëm”, shtoi Veliaj. Kryebashkiaku
theksoi se gjimnazi “Qemal Stafa” është tashmë një pikë orientimi për
standardin që duhet të kenë institucionet arsimore në kryeqytet.

 

“Me standardin që kemi ngritur në shkollën “Qemal Stafa”
kemi rritur stekën e investimeve në bashki dhe ky do të jetë standardi që do
aplikojmë në çdo shkollë tjetër, për t’u siguruar që ky nuk është vetëm një
“ishull ekselence”, si për notat e aktivitetet sportive, por ky është standardi
që aplikojmë në të gjithë territorin e Tiranës, për të gjithë nxënësit e
Tiranës”, tha kryetari i Bashkisë së Tiranës.