Përfundon proçesi i legalizimeve në Pezë. Pas legalizimeve, nis regjistrimi edhe i tokës bujqësore

474
Sigal

Peza është zona e parë në Tiranë që përfundon procesin e legalizimeve. Në një aktivitetet të zhvilluar në këtë njësi administrative, ALUIZNI dha lejet e fundit që përmbyllin kështu një proces të gjatë në kohë dhe të gjërë në problematikë.
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame tha se, “ALUIZNI e kreu rolin e vet në historinë e tranzicionit shqiptar dhe, tashmë duke përmbyllur rradhë pas rradhe procesin e legalizimit, po shkon drejt shuarjes së vet”.

Duke sjellë në vëmendje faktin se, deri në 2013 në të gjithë zonën e Pezës nuk është bërë as edhe një legalizim, z. Lame sqaroi se, “i gjithë stoku prej 833 objektesh në këtë zonë të kryeqytetit u trajtua në këto 5 vitet e fundit, siç u trajtua dhe po vazhdon të trajtohet në të gjithë Shqipërinë”.

“U përmbyll me sukses ky proces edhe për faktin se e gjithë popullsia e kësaj zone u impenjua që të bashkëpunonte me punonjësit tanë për ndjekjen dhe plotësimin e dokumentacionit”, tha kreu i ALUIZNI-t, në prani edhe të deputetit të zonës Arben Pëllumbi, duke përmendur se, “kur në 2013 Partia Socialiste dha premtimin për përmbylljen e procesit të legalizimeve është thënë gjithmonë, legalizim falas dhe legalizim i çdo objekti të legalizueshëm”.
Sipas z. Lame, ka dhe objekte që nuk mund të legalizohen apo objekte që do të presin ndryshime ligjore nëse do të jetë e mundshme.

Nga Peza, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t tha se, “pas legalizimeve nis aksioni i madh i këtij mandati të Qeverisë, që është regjistrimi i tokave bujqësore, i AMTP-ve. Ky është aksioni i madh i radhës, që kërkon njësinë vendore të impenjohet për të vazhduar procedurat, është aksion që kërkon legjislativin të impenjohet”.
“Na besoni dhe siç mbyllëm aksionin e madh të legalizimeve do të mbyllim dhe aksionin e regjistrimit të tokës bujqësore”, premtoi Lame duke vënë theksin në rëndësinë që ka bujqësia për zhvillimin ekonomik të vendit.