Përfundojnë hetimet për Fullanin, akuza për përgjegjësi direkte për blerjen e Hotel Dajtit

597
Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin dhe dërgon për gjykim kërkesën ndaj shtetasit Ardian Fullani, ish-guvernator i Bankës së Shqipërisë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”. Për Prokurorinë e Tiranës, në bazë të hetimeve, ka rezultuar se i pandehuri, ish- Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Adrian Fullani, nuk ka marrë masa për zbatimin e vendimeve dhe udhëzimeve të miratuara nga Këshilli i Mbikëqyrës, dhe moszbatimi i tyre ka ndikuar drejtpërsëdrejti në vjedhjen e 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë, vjedhje për të cilën janë gjykuar persona të tjerë. Po ashtu, Prokuroria e Tiranës e konsideron përgjegjës ish-guvernatorin Ardian Fullani në procedurat për blerjen e ish-hotel “Dajti” në vlerën 30 milionë euro. Ish-guvernatori Adrian Fullani rezulton nga hetimet të ketë qenë personi që i ka bërë me dije anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë se do të blihej kjo pasuri e paluajtshme. Organi procedues çmon se procedura e ndjekur me prokurim të drejtpërdrejtë dhe veprimet e ndërmarra nga anëtarët e komisionit të prokurimit kanë qenë thjesht formale, për sa kohë që të gjitha këto procedura të nisura me vendimin e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë datë 16 qershor 2010, janë kryer rreth një muaj më vonë nga momenti që Këshilli i Ministrave të vendoste për shitjen e ish-Hotel Dajtit pikërisht Bankës së Shqipërisë, si edhe duke caktuar dhe vlerën për shitjen e kësaj pasurie të paluajtshme. Prokuroria e Tiranës vlerëson se ish-Guvernatori Fullani ka përgjegjësi ligjore , pasi nuk ka urdhëruar dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme për vlerësimin real të kësaj pasurie të paluajtshme dhe se vlera me të cilën është blerë godina e ish-hotel “Dajti” është përllogaritur si pasuri “hotel”, në një kohë që ndërtesa nuk do të përdorej nga blerësi (Banka e Shqipërisë) si biznes fitimprurës hotel, por si ambiente zyrtare pune.
Sigal