Përfundoi me sukses punimet Kuvendi i V i Shoqatës Atdhetare Patriotike “Labëria”

776
Sigal

Flamur Bime: Ishte një Kuvend model që do na mungojë, Gjirokastra u ndje e nderuar

Alfred Moisiu: Labëria ka historinë më të lavdishme të trojeve shqiptare

Dje në një ambient festiv përfunduan punimet e Kuvendit të V të Shoqatës Kulturore, Atdhetare “Labëria”. Gjatë dy ditëve Gjirokastra u kthye në një qytet aktivitetesh të jashtëzakonshme, pasi në të njëjtën kohë u zhvillua Festivali i 5 Folklorik Ndërkombëtar “Argjiro” dhe Kuvendi i V i Shoqatës “Labëria”, ku ra në sy një pjesëmarrje tejet masive e qytetarëve gjirokastrit të të gjitha moshave. Ky Kuvend sipas të gjitha mediave dhe të pranishmëve ishte një Kuvend model, për nga organizimi, numri i aktiviteteve, mënyra e diskutimeve, gjeografi-shtrirja e pjesëmarrësve,  numri i madh i personaliteteve, dhe atmosfera e pritjes së popullit Gjirokastrit. E veçantë ishte pjesëmarrja në këtë Kuvend e Akademikut Rexhep Qosja, deputetit të Kuvendit të Kosovës z. V Berat Luzha, e vajzës së tij Labërie Luzha (emri i së cilës u prit me duartrokitje të gjata), e ish -Presidentit Moisiu, por dhe e shumë akademikëve, profesorëve dhe intelektualëve të të gjitha fushave. Dita e parë përpos Raportit të Kryetarit Nezha vazhdoi me një koncert të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të qytetit të Gjirokastrës, i cili gjatë gjithë kohës së zhvillimit u shoqërua me duartrokitje të fuqishme. Në ditën e dytë të punimeve Kuvendi zhvilloi zgjedhjet e reja për një mandat të ri 5-vjeçar. Në fund të zgjedhjeve Kryetar u rizgjodh Prof. Ago Nezha, Sekretar i Përgjithshëm z. Petrit Ruka, ndërsa nënkryetarë z. Gafur Duda, Lavdie Nanaj, Agim Çiraku, Sejmen Gjokoli.  Në fund të zgjedhjeve u bë dhe një takim përshëndetës me të gjithë pjesëmarrësit, ku ndër të tjerët ishin Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës z. Flamur Bimo dhe ish-Presidenti Moisiu. Të gjithë të pranishmit i pritën me interes fjalët e tyre, pasi Kryetari Bimo, bëri një pritje dhe organizim të përsosur të Kuvendit, ndërsa ish -Presidenti Moisiu qëndroi aktiv në të dy ditët e zhvillimit të Kuvendit të V të Shoqatës “Labëria”. Në fjalën e tij z. Bimo theksoi se, këto dy ditë, Gjirokastra ka ndjerë një emocion të veçantë. Ishte privilegj që ky Kuvend u zhvillua në qytetin e vëllezërve Topulli, Kadaresë, e shumë intelektualëve të tjerë. Sipas tij,  Kuvendi i V i shoqatës “Labëria”  ishte një Kuvend model, Gjirokastra u ndje e nderuar. Ndërsa ish- Presidenti Moisiu theksoi se, këto dy ditë ishin si dy orë, për vetë ritmin e punimeve, aktiviteteve dhe angazhimeve. Jam ndjerë tepër i privilegjuar për ftesën respektin dhe mënyrën perfekte të organizmit të Kuvendit, që asnjë shoqatë tjetër nuk mund ta realizojë të tillë. Sipas tij, Labëria ka historinë më të lavdishme të trojeve shqiptare. Gjatë gjithë takimit nuk mungoi kënga e bukur labe, e cila ishte si një fllad i freskët, për t’i dhënë një frymëmarrje të re të gjithë të zgjedhurve në strukturat drejtuese të Shoqatës më aktive për çështjen kombëtare në Shqipëri.

Raporti i kryesisë së shoqatës kulturore atdhetare “Labëria” mbajtur në Gjirokastër më 24-25 maj 2014

Të nderuar delegatë dhe të ftuar

I nderuar Kryetar i Nderit të Shoqatës “Labëria” Prof. Dr. Rexhep Qosja

I nderuar President Moisiu

I nderuar Kryetar i Bashkisë së Gjirokastër, z. Flamur Bimo

Të nderuar Ministra, Deputet, Drejtues të pushtetit vendor,Personalitete të Labërisë, njerëz të artit e të shkencës

Jemi mbledhur sot këtu në zëmër të Labërisë në Gjirokastër, në kryeqendrën e kulturës labe, për të promovuar një ngjarje historike siç është edhe Kuvendi i Pestë i Labërisë, që ka një rëndësi  primare, jo vetëm për shoqatën po se po, por për gjithë trevën e Labërisë dhe më gjerë. Më lejoni qysh në fillim që në emër të shoqatës Labëria të falënderoj të zotët e shtëpisë, Kryetarin e Bashkisë z. Flamur Bimo dhe stafin e tij, Kryetarin e Degës së Labërisë Gjirokastër z. Ylli Muho dhe kryesin e saj, për mirëkuptimin, gatishmërinë e shprehur, vlerësimin dhe impenjimin maksimal që treguan për të realizuar një veprimtari dinjitoze siç është Kuvendi i 5-të i Shoqatës kulturore Atdhetare “Labëria”, që do mbetet gjatë në memorien e të pranishmëve, si një eveniment që ngjalli emocione të bukura.

Po të bëjmë shkurtimisht pak histori, rrugëtimi i shoqatës “Labëria”, për të ardhur në Kuvendin e V-të të saj në Gjirokastër, ka qenë i gjatë, por i larmishëm, duke ngjitur pesë shkallë të mundimshme suksesi. Vetë bilanci pesë shifror, flet shumë për një organizëm shoqëror që ka kaluar kufirin e dy dekadave e mbushur me një veprimtari të pasur atdhetare-kulturore, historike, e shkencore, që flasin për një performancë me nivel të lartë organizimi e drejtimi, në qendër dhe në bazë. Shoqata e ka nisur maratonën e saj duke startuar nga Kuvendi i parë që u mbajt në Tiranë më 5 Qershor 1998, duke vazhduar me Kuvendin e 2-të më 19 Maj 2001, në Vlorën e flamurit, duke zbritur buzë Jonit në Himarë, ku  zhvilloi punimet Kuvendi i 3-të, më 7 Maj 2005, jo pa qëllim dhe rastësisht për romantizëm bregdetar, por për t’ju kujtuar autorëve dhe aktorëve me mentalitet helen, që donin ta bojkotonin edhe Kuvendin duke vendosur parulla greqisht: Poshtë Labëria, Himara s’është Labëri, etj., e për t’u thënë se dallgët e Jonit mos t’i përplasin në murin e Labërisë, se nuk ja tronditin dot themelet dhe njëkohësisht për t’u freskuar kujtesën banorëve të bregdetit me nostalgjinë,  se Himara ka qenë dikur Kryeqendra e Labërisë.

 Nisur nga historia e Labërisë u vijua me Kuvendin e 4-rt në Kuç që u mbajt në 21 nëntor 2009, duke lënë detin Jon dhe ngjitur malit jo thjesht për të marrë aromën e flladin e malit e për të pirë ujë në buronjat e Kuçit, por për një fakt kuptimplotë, se aty 90 vjet më parë 28 Nëntor- 4 Dhjetor, me pjesëmarrjen e 300 delegatëve, jo vetëm nga trevat e Labërisë, por nga gjithë Shqipëria natyrore, përfshirë këtu edhe delegatë nga Kosova e Çamëria, zhvilluan Kuvendin e Labërisë për gjashtë ditë rresht, duke u strehuar në krahinën e Kurveleshit, ku trajtuan  problemet shqetësuese të kohës, si gjakmarrja, emancipimi i gruas, heqja e fejesave në djep, dhuna e ushtruar mbi gratë, arsimimi dhe zhdukja e analfabetizmit etj., fenomene këto që pjesërisht janë edhe sot prezent në shoqërinë shqiptare. Në këtë Kuvend do të merrte pjesë dhe Noli e Bajram Curri që mbërritën në Vlorë, por nuk u sosën dot në Kuç, pasi nisën trazirat që shkaktoi revolucionit Demokratiko- Borgjez dhe në këto kushte dërguan të deleguar Abdyl Kuçin. Me largpamësinë e kohës, ky Kuvend vitin tjetër do mbahesh në Orosh të Mirditës, për të shëruar këto plagë shoqërore, por u pengua nga situata e rëndë politike që pllakosi. Këto episode e të tjera, tregojnë qartë se Labëria historikisht ka mbajtur mbi supe peshën e ngjarjeve më kruciale të kombit.

Zonja dhe zotërinj

Kuvendi i 5-të, u bë arenë kërkesash konkurruese midis Fierit, Patosit dhe Tepelenës, por u gjykua që i kemi një borxh të munguar Gjirokastrës dhe ja sot jemi këtu në qytetin e patriotëve të shquar Bajo e Çerçiz Topulli, të Bule Naipit e Persefoni Kokëdhimës, të njerëzve të shquar të letrave Eqrem Çabejit dhe Ismail Kadaresë, për të bërë analizën e  periudhës midis dy Kuvendeve dhe për të shpalosur së bashku problematikat e shoqatës së “Labërisë” për të ardhmen duke ecur të karikuar për veprimtari  të reja në jubileun e 70- vjetorit të Çlirimit të vendit.

I. ROLI I FORUMIT DHE DEGËVE NË MBARËVAJTEN DHE FUNKSIONIMIN E  SHOQATËS

Të nderuar pjesëmarrës:

Shoqata Labëria, ka bërë kujdes që të udhëhiqet nga dokumenti i saj kryesor Statuti që është udhërrëfyes në tërë veprimtarinë e saj

Ajo, ka funksionuar si një organ kolegjial vertikalisht nëpërmjet kryesisë së shoqatës dhe horizontalisht sipas degëve, nën degëve dhe seksioneve që janë ngritur në zona dhe fshatra labe. Synimi dhe përpjekja e Kryesisë ka qenë për ti bërë sa më vetëvepruese degët, për të ezauruar ato problematika specifike që ka pasur interes për komunitete të veçanta. Komunikimi i degëve me forumin ka qenë dinamik dhe tepër intensiv jo vetëm me informacion të ndërsjellët, por edhe me pjesëmarrje konkrete me të deleguar në ato veprimtari që kanë qenë përfaqësuese. Forumi është mbledhur rregullisht, duke kapërcyer edhe normat e statutit, për problem që i kanë  diktuar situata konkrete. Mbledhjet e Kryesisë janë thirrur një e dy herë në vit, ku pjesëmarrja e rretheve ka qenë e kufizuar, pa përjashtuar ndonjë mungesë edhe nga Tirana. Vërejmë se është rritur spektri i shtrirjes së degëve në njësi më të vogla si në komuna e sektor të ndryshëm. Përvojat janë nga më të ndryshmet brenda natyrës së degëve. Mjafton të prezantojmë disa prej tyre që kanë pasur efikasitet real. PSH. Dega e Vlorës, me kryetar Ahmet Demën duke qenë etnikisht e pastër e banuar nga lebër, ka vendosur lidhje me seksione nëpërmjet komunave, gjë që ka bërë të rritet intensiteti i veprimtarive të saj. Kjo ka rritur interesimin dhe vëmendjen e strukturave rajonale për të qenë në kohezion të plotë me tërë veprimtaritë që realizon dega e qytetit. Një përvojë e veçantë që sjellë kjo degë është kombinimi i veprimtarive me degët e fshatrave, duke  inkluduar ato për veprimtaritë kryesore në kuadrin e Labërisë. Dega e Fierit me Kryetar Pasho Zhupën, duke mos qenë krahinë e Labërisë ka një përvojë tjetër që lidhet me zonat dhe rajonet ku ka enklava të komunitetit Lab. Ajo ka ngritur minidegë në Levan, Frakull, Mbrostar, etj.. Dega e Patosit, nën drejtimin e Mersin Balilit ka promovuar vlerat më të spikatura të anëtarësisë sipas krahinave që përfaqësojnë. Këto dy degë kanë një traditë të mirë që çdo vit organizojnë pelegrinazh familjar në zonat e Labërisë nga kanë vendorigjinën me raste ngjarjesh apo ceremoni të komunitetit të zonës. Një veprim i tillë ju ngjall dashurinë për të parët e tyre dhe brezit të ri që kanë lindur në Myzeqe. Dega e Fierit dhe Patosit janë të vetmet degë që sigurojnë të ardhura edhe nga kuatitacionet dhe derdhin rregullisht lekët nga shitja e gazetës çdo muaj, shembull që duhet përgjithësuar. Dega e Sarandës e drejtuar nga Aris Mëma, meqenëse qyteti ka prurje nga trevat e Labërisë jugore duke filluar nga Vlora, Tepelena dhe Gjirokastra, mbi bazën e kësaj veçorie ka bërë një organizim origjinal duke krijuar seksione mbi bazë rrethesh që kanë strukturat e tyre drejtues dhe përfaqësimin në shkallë rrethi. Ndërsa Dega e Gjirokastrës, e drejtuar për disa vjet nga Skënder Kokurti dhe aktualisht nga Ylli Muho, ka një lëvizje mjaft interesante, që çdo familje të ketë një anëtar në shoqatën Labëria dhe ka nisur shtrirjen në të gjitha komunat e rrethit. Kjo degë ka dhënë shkëndijat e para për kremtimin e ngjarjeve në kuadrin e 70 -vjetorit të Çlirimit, duke organizuar 100- vjetorin e luftës së Cepos, Hormovës dhe Skerficës, veprimtari të ditëve të fundit që i kemi të freskëta në kujtesën tonë. Degët kanë pasur individualitetin e tyre me një aktivitet multikolor, përfshirë këtu edhe Degën e Tepelenës me Kryetar Qemal Danaj, të Orikumit, me kryetar Neki Haskoçelën dhe të Himarës me Kryetar Lefter Dedën. Ndërsa në Degën e Tiranës me kryetar Bashkim Qelin, dallohen nën degët “Kombinat” dhe “Rruga e Elbasanit”, ku janë përfshirë me pjesëmarrjen e tyre në veprimtaritë që ka organizuar Forumi qendror i shoqatës. këto risi që janë shfaqur me individualitetin e vetë, kanë bërë që të kemi një ansambël degësh  aktive dhe dinamike, me një format të ri që ndryshe nga më parë, kanë rritur shkallën e shoqërizimit jashtë përkatësive politike. Me përpjekjen dhe kontributin e kryetarëve të degëve Sarandë dhe Patos, është arritur që të sigurohet dhe një ambient zyre e mobiluar dhe dekoruar bukur, ku ndikon për të rritur  shkallën e komunikimit midis anëtarësisë dhe drejtuesve të shoqatës. Këtë mangësi ne e kemi pengesë në forumin qendror në Tiranë, edhe pse aty janë të përqendruar potencialet më të mëdha intelektuale, politike dhe bizneset më të fuqishme, por mungon totalisht vëmendja dhe interesimi i tyre, për këtë aset të vyer të Labërisë, siç është shoqata.

Analizat zgjedhore që u realizuan në të gjitha degët, evidentuan dukshëm arritjet por edhe të metat që shfaqen në veprimtarinë e tyre. Një dukuri që duhet të korrigjohet se ka të bëjë me vazhdimësinë e shoqatës, është pjesëmarrja e ulët e të rinjve dhe grave në jetën e shoqatës. Kjo situatë kritike nuk korrigjohet me deklarime e konstatime, por me shembullin personal të forumeve të shoqatës duke ofruar në veprimtaritë që organizojnë degët, fëmijët dhe gratë e tyre. Vërehet një fenomen tek të rinjtë kohët e fundit që ndryshe nga më parë tani kanë filluar ti drejtohen fesë, por kanë reagim të ngadaltë për në Shoqatë. Në rast se Shoqata nuk do kombinojë  në mënyrë harmonike brezat, nuk do jetë e largët dita që Shoqata do shuhet siç ka ndodhur me shumë Shoqata në rrethe të ndryshme të vendit. Kjo nuk është përgjegjësi thjesht e forumeve, por e gjithë anëtarëve të shoqatës. Në Labëri ndodh një dukuri disi e veçantë që anëtarët e shoqatës vijnë në mbledhje të mbushur me kritika e vërejtje si t’i kenë të zgjedhurit raja të tyre. Filozofia që duhet të mbisundojë çdo anëtar duhet të jetë që kur të vijë në mbledhjen e shoqatës të mos thotë çfarë ke bërë ti, por çfarë kam bërë unë për mbarëvajtjen e punëve në shoqatë. Në shoqatë të vijmë për të dhënë llogari, e jo për të kërkuar llogari, vetëm atëherë do ta quajmë komunitetin lab të emancipuar në frymën shoqërore…  Fryma e kontributeve pa diktat, vërehet te disa anëtar Kryesie si: Profesor Pëllumb Xhufi, Pajtim Bello, Bardhosh Gaçe etj.. Për forcimin dhe mirëfunksionimin e shoqatës në zbatim me korrektesë të statutit, një rol të veçantë ka luajtur Sekretari i Përgjithshëm zoti Xhemil Çeli me korrektesën dhe prudencën e tij intelektuale. Aktivizimi i kryesisë dhe nënkryetarëve  nëpër rrethe si i pa përtuari dhe i pa kursyeri  fizikisht e materialisht Gafurr Duda, zonja Lavdie Gjika, Kastriot Zoto, Sejmen Gjokoli dhe Sekretari Organizativ Petrit Ruka, kanë pasur ndikim të dukshëm në forcimin organizativ të degëve në rrethe. Fushata zgjedhore e degëve që i parapriu kuvendit të V-të të saj nëpërmjet analizave, debatit dhe reflektimit për një ecuri më të mirë, tregoi për rritjen e saj jo vetëm në aspektin sasior, duke u shtrirë në shumë fshatra e komuna të trevës së Labërisë, por edhe për një rritje cilësore të nivelit të veprimtarive dhe për një tematikë të larmishme dhe gjithë përfshirëse. Shoqata “Labëria”, tashmë është bërë një zë i fuqishëm për probleme madhore të vendit që gumëzhin si koshere blete nga veprimtaritë në qendër e në  rrethe dhe që shumë intelektualë të shquar jo Labë si: Profesor Servet Pëllumbi, ish-Presidenti Moisiu,  ish-Presidenti Meidani, e shumë të tjerë kanë pohuar se, “ju e keni kthyer shoqatën në një institucion që po konkurron dhe institucionet shtetërore dhe me kënaqësi  ndjekin aktivitetet e saj.   Kjo situatë e re, ka krijuar një imazh pozitiv për rolin e shoqatës dhe është një garanci  e plotë për përsosjen e veprimtarisë së saj në të ardhmen”.

KRYESIA E SHOQATËS KULTURORE ATDHETARE “LABËRIA

  1. Prof. Dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh”, publicist, gazetar dhe shkrimtar, personalitet i shquar i “Labërisë” dhe personalitet i shquar i Qarkut të Vlorës dhe “Nderi i Qarkut Gjirokastër”.
  2. Xhemil Çeli, personalitet i shquar i Labërisë, “Nderi i Qarkut Gjirokastër”.
  3. Gafur Duda, mirënjohje e shoqatës “Labëria”, biznesmen, president i universitetit “Marin Barleti.
  4. Lavdie Nanaj, “Mirënjohje e shoqatës “Labëria”
  5. Petrit Ruka, personalitet i shquar i Labërisë, poet dhe shkrimtar.
  6. Sejmen Gjokoli, personalitet i shquar i Labërisë.
  7. Albert Zholi, gazetar dhe shkrimtar.
  8. Daut Gumeni, personalitet i shquar i Labërisë, poet, publicist dhe shkrimtar.
  9. Prof. Dr. Pëllumb Xhufi, personalitet i shquar i Labërisë, historian
  10. Prof. Dr. Rami Memushi, personalitet i shquar i Labërisë, gjuhëtar
  11. Prof. Dr. Bilal Shkurti, personalitet i shquar i Labërisë, biolog
  12.  Amet Dema, kryetar i shoqatës  “Labëria” dega  Vlorë
  13. Enton Abileka, drejtor në “New 24”
  14.  Neki Haskoçela, kryetar i shoqatës “Labëria”, dega Orikum.
  15.  Flora Malaj, mirënjohje e Labërisë, biznesmene
  16. Prof. Asoc. Benard Zotaj, kryetar i shoqatës “Labëria” dega Tiranë, “Mirënjohje e shoqatës “Labëria”
  17.  Agim Rrapi, Kryetar i Entit Kombëtar Rural
  18.  Ylli Muho, kryetar i shoqatës “Labëria”, dega Gjirokastër
  19.  Dr. Robert Çelo, sekretar i shoqatës “Labëria”, dega Gjirokastër.
  20. Flora Çekani nën/kryetare degës Gjirokastër
  21.  Lefter Deda, kryetar i degës “Labëria” dega Himarë
  22.  Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh, personalitet i shquar i shoqatës “Labëria”, personalitet i shquar i Qarkut Vlorë, poet dhe shkrimtar.
  23.  Dr. Bujar leskaj, personalitet i shquar i “Labërisë’.
  24.  Prof. Dr. Makbule Çeço, jurisprudencë
  25.  Kastriot Muço, gjuhëtar
  26.  Bashkim Qeli, Mirënjohje e shoqatës “Labëria”
  27.  Pasho Zhupa, kryetar i shoqatës “Labëria”, Mirënjohje e Labërisë
  28.  Engjëll Shameti, veprimtar i dalluar i shoqatës “Labëria”
  29.  Hasan Seferi, “Mirënjohje e Labërisë”
  30.  Skënder Kamberi, “Piktor i Popullit”
  31.  Agim Mero, Kryetar i Forumit për Mbrojtjen e Vlerave Kulturore të Gjirokastrës.
  32.  Bejkush Birçe, “Mjeshtër Sporti”
  33. Muntaz Dhrami, “Skulptor i Popullit”
  34.  Agim Çiraku, personalitet i shquar i Labërisë, President i gazetës “Telegraf”, biznesmen
  35.  Dr. Neki Dredha, personalitet i shquar i ‘Labërisë”
  36.  Prof. Dr. Sherif Lusho, shkencëtar, personalitet i shquar i “Labërisë”
  37.  Prof. Dr. Natasha Hodo, kryetare e administrimit të UB.
  38. Henrieta Shehaj, magjistër në jurisprudencë
  39. Mersin Balili, kryetar i shoqatës “Labëria” “Mirënjohje e Labërisë”
  40. Myfyt Mema, anëtar i kryesisë, mirënjohje e shoqatës “Labëria”
  41.  Perlat Muço, veprimtar i shoqatës “Labëria”
  42. Hasan Hoxha, sekretar i degës së Tiranës
  43.  Dr. Nimet Balili,  “Mirënjohje e Labërisë”
  44.  Qemal Danaj, kryetar i shoqatës “Labëria” dega Tepelenë, “Mirënjohje e Labërisë”
  45. Aris Mema, kryetar i degës, Sarandë
  46. Baftjar Duka, dega Sarandë
  47.  Axhem Gjoni, veprimtar i shquar i shoqatës kulturore “Labëria”
  48. Marsel Lila, sektori i artit
  49. Bashkim Asllani, jurist i shoqatës
  50. Dilaver Goxhaj oficer në lirim

REZOLUTË E KUVENDIT TË V-të TË SHOQATËS KULTURORE ATDHETARE   “LABËRIA”

Kuvendi i V-të i Shoqatës Kulturore Atdhetare Labëria, që zhvilloi punimet në Gjirokastër, më 24-25 maj 2014, pasi dëgjoi raportin mbi veprimtarinë e kryesisë së shoqatës kulturore  atdhetare “Labëria”, mbajtur nga kryetari i kësaj shoqate Prof. Dr. Ago Nezha, ku diskutuan gjerësisht përfaqësues të gjitha degëve, për çështjet e shtruara në raport, miratuan raportin dhe zgjodhën organet drejtuese. Si sintezë e punës së kryer, diskutimeve dhe dokumenteve të miratuara, Kuvendi aprovoi këtë rezolucion.

  1. Gjatë periudhës katër vjeçare është rritur dhe forcuar vetëfunksionimi i degëve në rrethe, duke zgjeruar dhe shtrirë në shumë nën degë rajonale.
  2. Spektri i problematikave që janë trajtuar në qendër dhe në bazë ka qenë shumë i gjerë duke përfshirë tematika me karakter patriotik, kulturor dhe social.
  3. Një nga veprimtaritë kryesore ka qenë denoncimi i “Marrëveshjes famëkeqe të shitjes së detit fqinjit tonë Greqisë, ku Shoqata Labëria duke përfshirë edhe rreth 70 shoqata të tjera, përfshirë këtu edhe shoqatën Kosova dhe Çamëria, pasi diskutuam, firmosëm një peticion drejtuar organeve të larta të legjislativit dhe ekzekutivit, si dhe mediave të shkruara dhe elektronike.
  4. Qëndrime të forta reaguese ka pasur për problemin e regjistrimit të popullsisë sipas etnisë dhe fesë.
  5. Një qëndrim kritik është mbajtur ndaj shkatërrimit të mjedisit në pyllin e sodës në Vlorë, ku Shoqata Labëria organizoi në Tiranë një tubim me praninë e 60 shoqatave me moton: “Vlora në rrezik”
  6. Qëndrimet inferiore të qeverisë shqiptare ndaj qeverisë së Greqisë për çështjen e minoriteteve, të dhunimit të varrezave në Korçë dhe Përmet, hapjen e shkollave greke, për mohimin e pronave të çamëve etj, kanë qenë objekt trajtimi në dinamikë nga forumi dhe Kryesia e shoqatës.
  7. Situata kritike e rrugës së lumit të Vlorës, ku përfshihen rreth 52 fshatra, ka qenë një prioritet i trajtimit nëpërmjet shtypit të shoqatës të gazetës “Labëria” si dhe i deklaratave drejtuar organeve të larta të shtetit.
  8. Veprimtari të shumta u organizuan në kuadër të 100- vjetorit të Pavarësisë, në qendër dhe në bazë me sesione shkencore, takime, ringritje lapidarësh, bustesh, obeliskë, muzesh etj.
  9. Shoqata KA “Labëria” përjeton me dhimbje boshatisjen e trevave të Labërisë si rrjedhojë e mungesës së infrastrukturës, si rrugë, uji, telefon, shkolla, qendra shëndetësore, spitale etj.
  10.  Shoqata KA “Labëria” vëren një dukuri që duhet korrigjuar lidhur me pjesëmarrjen e ulët të brezit të ri dhe të grave. Ky fenomen e atrofizon dhje e plak shoqatën duke ulur interesin e veprimtarisë së saj.
  11.  Gjallërimi dhe rritja e rolit të shoqatës në të ardhmen kërkon një bashkëveprim të shoqatës Labëria në degë me shoqatat e fshatrave të veçantë.
  12.  Shoqata KA “Labëria,  i kërkon Qeverisë që të drejtoi sytë nga fshatrat e Labërisë që janë lënë në harresë nga qeveritë e mëparshme dhe të vendosi ura komunikimi me zonat urbane duke investuar në sektorët prioritar siç është bujqësia.
  13. Shoqata “Labëria” edhe në të ardhmen do udhëhiqet nga idealet kombëtare, patriotike dhe do organizoi veprimtari në kuadrin e 70 -vjetorit të Çlirimit të Atdheut dhe do bëhet promotor për të rinovuar historinë e varrosur në këto 24 vjet duke rehabilituar lapidarët, bustet, muzetë dhe veprat e kultit, ku janë shkatërruar.