Për të tretin vit radhazi KLSH organizon Muajin e Hapur për Qytetarët

806
Sigal

Nga Amantja Patozi, KLSH

Ata që duan të dinë më shumë për Raportet e Auditimit të atyre që kontrollojnë shtetin në çdo cep të tij e kanë tashmë këtë mundësi. Ndoshta jo në çdo ditë të vitit, por edhe një muaj nuk është pak për të njohur dhe mësuar më shumë për institucionin hijerëndë, që prodhon raportet e auditimit për dhjetëra dhe qindra shkeljet dhe abuzimet e administratës sonë publike.

Sivjet është viti i tretë radhazi që Kontrolli i Lartë i Shtetit organizon “Muajin e Hapur” dhe kjo tashmë mund të konsiderohet si një traditë instistucionale. Moto “KLSH shërbestar i Qytetarit” udhëheq Kontrollin e Lartë të Shtetit në të gjitha qëllimet dhe objektivat institucionale. Eksperienca e përfituar dhe zhvillimet e projektuara kanë konfirmuar se procesi i modernizimit të institucionit të auditimit të jashtëm publik në Shqipëri përbën një të mirë publike si dhe një vlerë për sistemin e institucioneve publike, i cili synon të jetë një organizatë model që udhëheq nëpërmjet shembullit. Transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga treguesit kryesorë të modernizimit të institucionit dhe të komunikimit të tij shumë dimensional. Qasjen e komunikimit të pandërprerë me qytetarët, KLSH e ka parë në këto gjashtë vjet, kryesisht nëpërmjet bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe me median, si dhe nëpërmjet përgjigjeve ndaj letrave të qytetarëve. Mbështetur në sa më sipër dhe në standardin ndërkombëtar të Institucioneve Supreme të Auditimit, ISSAI 12, “Vlerat dhe dobitë e Institucioneve Supreme të Auditimit- të bësh ndryshimin në jetën e qytetarëve”, KLSH organizon Muajin e Hapur për Qytetarët, në datat 25 Tetor -14 Dhjetor 2018. Nisur tre vite më parë si një Jave e Hapur për KLSH, në dy vitet e fundit është kthyer në traditën e Muajit të Hapur për qytetaret mbështetur dhe në Strategjinë e Komunikimit të KLSH 2017-2019. Gjatë muajit nëntor –dhjetor 2018, qytetarët do të kenë mundësinë të vizitojnë mjediset e Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe të njihen me historikun dhe arritjet e institucionit në 93 vitet e ekzistencës së tij nëpërmjet mini-muzeut, në katin e parë të Institucioni, i cili tashmë ndodhet në një godinë të re dhe moderne në qendër të qytetit, të takohen me punonjës, auditues dhe ekspertë të ndryshëm të institucionit, duke marrë të gjithë informacionin që kanë kërkuar dhe duke adresuar pyetje të ndryshme me interes për ta. Stafi i përgatitur i KLSH-së do të jetë në dispozicion të qytetarëve gjatë gjithë kësaj periudhe. Bashkëpunimi me profesoratin dhe akademikët ka qenë i frytshëm gjatë këtyre viteve . Ky muaj filloi në datën 25 tetor me leksionin shkencor “ Burimet, Kategoria, Projekti, Zhvillimi”, nga Prof. Dr. Skënder Osmani dhe Dr. Bujar Leskaj. Ky aktivitet u lançua nga Kryetari i KLSH-së z. Leskaj, i cili theksoi se nëpërmjet aktiviteteve që do të zhvillohen gjatë këtij muaji qytetarët dhe publiku i gjerë do të kenë mundësi të njihen me aktivitetin auditues të kryer gjatë vitit 2018, raportet e auditimit, të cilat KLSH ia ka paraqitur Kuvendit, të tilla si raporti i Performancës së KLSH dhe Raporti i Buxhetit Faktik, bashkëpunimin e KLSH me institucionet e tjera shtetërore dhe shoqërinë civile dhe botimet e publikuara gjatë vitit 2018. Në leksionin e tij Prof. Osmani theksoi fillimisht rëndësinë që ka marrë në 10 vitet e fundit teoria e kategorisë matematike, e cila ka lindur qysh në vitin 1945 dhe evidentoi faktin që ky leksion do të fokusohet në kategorinë matematike, në këndvështrimin e burimeve dhe projekteve të tyre. Në teorinë e kategorisë matematike dhe atë të menaxhimit këto tre elementë janë të përgjithshëm. Studimi i çdo veprimtarie njerëzore nuk është i plotë nëse nuk strukturoret në kategori dhe në modelin përkatës të optimizmit; në kuptimin më të gjerë jeta është projekt, kategori. Teoria e kategorisë matematike është me rëndësi, veçanërisht në fakultetet e matematikës, inxhinierisë, ekonomisë, shkencave politike, sociale, etj. Teoria e kategorive ka gjithashtu një rëndësi të posaçme edhe për strategjinë kombëtare të zhvillimit të një vendi, buxhetin e shtetit, reformat kombëtare, koncesionet, prokurimet, etj. Në 30 – 31 Tetor 2018 në Tiranë, Organizata Evropiane e Institucioneve Supreme të Auditimit, EUROSAI-t dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit zhvilluan me sukses punimet e takimit mbi një prej drejtimeve kryesore të Planit Strategjik të EUROSAI-t 2017-2023, për mbështetjen e auditimeve efektive, inovative dhe adekuate përmes promovimit dhe ndërmjetësimit të bashkëpunimit profesional. KLSH ishte SAI organizator i këtej takimi në të cilin morën pjesë SAI-e nga Rajoni dhe Evropa.

Një aktivitet shumë i rëndësishëm që do të zhvillohet gjatë Muajit të hapur në datën 12-13 dhjetor është Konferenca e VII-të Shkencore e KLSH-së , “Auditimi publik, vlerë e shtuar për një qeverisje efektive”. Në gjurmë të Konferencave të mëparshme të organizuara nga KLSH, edhe në këtë Konferencë janë të ftuar të marrin pjesë përfaqësues të SAI-ve partnere, personalitete të njohura dhe me eksperiencë nga Institucionet Supreme të Auditimit nga vende të Evropës, përfaqësues të institucioneve donatore, shtetërore, botës akademike dhe shoqërisë civile. Gjatë muajit të hapur do të zhvillohen aktivitete të ndryshme si takime mes Departamenteve të ndryshme të auditimit me qëllim shkëmbimin e eksperiencave; takime me gazetarë; prezantime të botimeve të KLSH-së; pjesëmarrje në Panairin e librit 2018; prezantimin e botimeve të KLSH në bibliotekat publike të qytetit të Vlorës dhe Shkodër, takime dhe leksione me akademikë, profesorë të fushave të ndryshme; aktivitete kulturore, promovimi i pjesëmarrjes së KLSH-së në aktivitete të ndryshme ndërkombëtare, Konferenca Shkencore e KLSH, “Performanca Junior ”, ku auditues të rinj do të ndajnë eksperiencën dhe vizionin e tyre për të ardhmen e departamentit, Akademia në performacë një takim me të ftuar nga bota akademike për kontributin e auditimeve të performances në mirëqenie, transparencë dhe kërkim shkencor. Aksesi i lirë ndaj informacionit luan një rol kyç në promovimin e transparencës dhe në parandalimin e korrupsionit, dhe si i tillë institucionet shtetërore duhet ta ofrojnë atë në kohë dhe në mënyrë të plotë për qytetarët, me qëllim që të garantojnë një përdorim sa më efektiv të tij. Informimi i publikut dhe sfida më e madhe në vazhdim është konvertimi i KLSH në një burim të rregullt informacioni me interes për shoqërinë. Në kuadër të Muajti të Hapur KLSH do te organizoje një tryeze pune me gazetaret e mediave të te shkruar dhe vizive, kryesisht ata qe mbulojnë çështjet ekonomike. Duke vlerësuar misionin e tij si agjent i publikut dhe i Kuvendit, për përdorimin me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të burimeve dhe fondeve publike, KLSH synon forcimin e besimit të qytetarit dhe publikut në tërësi, nëpërmjet njohjes më nga afër të veprimtarisë se tij, auditimeve dhe rezultateve të auditimeve, si dhe partneritetet që ka krijuar brenda dhe jashtë vendit për te përmirësuar qeverisjen publike, duke u përpjekur të luftojë korrupsionin. Drejtoria e Komunikimit ne KLSH me qellim njohjen më të plotë dhe të drejtpërdrejtë të veprimtarisë së Institucionit nga qytetarët, si edhe në kuadër të transparencës dhe njohjes së ndërsjellë të punës mes Departamenteve të auditimit në institucion, bashkëpunimit me Organizatat e Shoqërisë Civile dhe Organizatat Partnere ka organizuar Muajin e Hapur në tre vitet e fundit(2016-2018), nga një javë që organizonte në vitet 2012-2015. Një institucion modern i auditimit më të lartë publik, një SAI, do të ishte i mangët dhe i izoluar, pa njohjen e plotë të veprimtarisë së tij nga qytetari dhe mbështetjen prej publikut dhe qytetarëve, duke cituar një shprehje të Abraham Linkoln që «Institucionet tona nuk do të jenë kurrë të tilla(pra publike), nëse nuk krijojnë mundësitë të njihen plotësisht, madje edhe të vizitohen apo preken fizikisht nga qytetari pagues taksash».

Shënim: Programi i plotë i Muajit të Hapur ndodhet në WEB-in e KLSH-së