Për demarkacionin, më mirë vonë se kurrë…!

540
Sigal

Prof. Dr. Lisen Bashkurti

Më në fund Besim Çollaku, ish – ministri
i Integrimit Europian në Qeverinë e Kosovës u deklarua se nuk duhet lëshuar
asnjë pëllëmbe toke për hir të liberalizimit të vizave. Pavarësisht se çfarë
mund të mendojë e të deklarojë dikush apo shumëkush unë jam i mendimit se është
më mirë të reagosh vonë sesa të mos reflektosh kurrë. Reflektimi është i mirë.
Teologjikisht edhe në librat e shenjtë thuhet se kushdo mund të bëjë gabim.
Theksohet gjithashtu se të gjithë janë mëkatar në këtë botë. Dallimi midis
njerëzve të mirë dhe të këqij qëndron në faktin se njerëzit e mirë e pranojnë
gabimin dhe heqin dorë nga e keqja. Ndërsa njerëzit e këqij nuk e pranojnë
gabimin dhe nuk heqin kurrë dorë nga e keqja. Në termat politike kjo përkthehet
që politikanë të mirë janë ato që i pranojnë gabimet e tyre dhe për konsekuencë
i pranojnë dhe i ndalojnë ato. Politikanët e këqij nuk i pranojnë gabimet e
tyre dhe për pasojë nuk i pranojnë dhe nuk i ndalojnë ato. Deklarata e Besim
Çollakut tregon se ai është djalë me aftësi reflektuese. Ai di të pranojë
gabimin publikisht dhe të distancohet prej tij. Ai është njeri dhe politikan i
mirë. Mos reflektimi është faj i rëndë Ndërkohë teknicienët injorantë të
Komisionit Shtetëror të demarkacionit, firmëtarët e papërgjegjshëm e të kapur
dhe pushtetarët vijues të Jugosllavisë “bradstvo e dinstvo” vazhdojnë
as të mos e pranojnë gabimin publikisht, as të ndalojnë atë. Këto janë vërtetë
politikanë të këqij dhe pa të ardhme në Kosovë.

 

Koha për veprim

 

Tanimë draft-demarkacioni aktual
ra për të mos u ngritur më. Bashkë me të kanë rënë moralisht dhe politikisht
edhe firmëtarët dhe pushtetarët e tij. Pra është koha jo për manipulim apo
shfajësim, por vetëm për veprim. Lypet të ngrihet komision tjetër shtetëror për
draftimin e ri të demarkacionit. Në komision të përfshihen ekspertë të së
drejtës ndërkombëtare, të sigurisë, të ekonomisë, të hartografisë, të
popullsisë kufitare, të pozitës dhe opozitës. Në krye të komisionit të ri të
vihen përfaqësues të opozitës.

 

Diplomacia të zgjohet nga gjumi

 

Pavarësisht debateve e
kundërshtive brenda Kosovës si dhe pavarësisht nga rënia në Kuvend e
ratifikimit të demarkacionit, definimi përfundimtar i demarkacionit nuk
zgjidhet njëanshmërisht, por vetëm e vetëm bilateralisht, midis Kosovës dhe
Malit të Zi. Diplomacia e Malit të Zi po punon çdo ditë në Podgoricë, në
Bruksel, në Uashington, madje në mënyrë konspirative edhe në Rusi. Mali i Zi
vazhdon diplomacinë e “Krushkut të Evropës”. Diplomacia e Malit të Zi
është mirë me Perëndimin, por nuk është keq me Lindjen. Në këtë diplomaci
bivektoriale Mali i Zi punon në mënyrë permanente. Në Podgoricë politika ndjek
diplomacinë. Ajo ka fleksibilitet përtej politikës. Diplomacia e Kosovës nuk ka
kurrfarë strategjie lidhur me rinegociatat me Malin e Zi për demarkacionin.
Diplomacia e Kosovës nuk punon në mënyrë kontinuitive negociuese me Malin e Zi.
Diplomacia e Prishtinës nuk është as Perëndimore dhe as Lindore. Në Kosovë
diplomacia ndjek verbërisht politikën. E meqenëse politika drejtuese dështoi,
diplomacia e politizuar kosovare heshtë. Ajo ka kokëfortësi politike.
Diplomacia e Tiranës me sindromë daun. Dhe në këtë kakofoni diplomatike të
Kosovës, për mjerimin e filozofisë politike e diplomatike të saj, Tirana
zyrtare heshtë. Kjo heshtje mjerane “arsyetohet” me mos ndërhyrje në
punët e brendshme të Kosovës. Në fakt, në një Ballkan ku fusin hundët të gjithë
nga Perëndimi e Lindja, nga larg dhe nga afër, nga Fuqitë e Mëdha e vendet e
vogla, teza politiko-diplomatike e Tiranës për “mos ndërhyrje në punët e
brendshme të Kosovës” dëshmon se aktualisht diplomacia zyrtare e
Shqipërisë është me sindromë daun. Ndërkohë dihet e pranohet nga të gjithë në
mbarë botën se territori është kauzë e madhe përtej suazave politike-është
kauzë kombëtare. Kjo nuk bën përjashtim as për kombin shqiptar që është më i
vjetri, më Europiani dhe më Perëndimori në Ballkanin Perëndimor.