Për çfarë nuk flasin deputetët në parlament?

572
Vjollca KUTA
Nga 4210 Ligje, VKM e urdhëresa të miratuara në 20 vitet e fundit, 80% janë për interesat, pagat, familjarët dhe bizneset e shtetarëve 
Parlamenti shqiptar është tjetërsuar në një arenë “cirku”, ku të gjithë bëjnë akrobacitë dhe klounizmin e ngarkuar prej “regjisorëve” të tyre, duke aktruar me lojëra false pozitë-opozitë, por që në fakt, janë e njëjta një trupë aktoriale e ndarë në grupe! Çdo ditë të enjte, deputetët flasin në parlament. Po çfarë thonë? Përse çfarë flasin? Për çfarë nuk flasin deputetët shqiptarë të enjteve? Për çfarë duhet të flasin këta 140 persona të “stiluar” me veshje luksi, të cilët “hanë” nga 5 milionë lekë taksa publike në muaj secili, si bordero për paga, dieta udhëtimi brenda e jashtë shtetit, pagesa fjetje e ushqimi, karburante, vetura, pagesë telefoni, pagesë shtesë për çdo mbledhje komisioni parlamentar, qira banesash, punësime për familjarët, të drejtë blerjeje makine pa tarifë doganore, të drejtë strehimi me kredi me interes të paguar nga shteti, të drejtë mos kontrolli të automjetit dhe të banesës e deri pagesë për kafet që pinë në kafenenë e parlamentit? Ata, flasin për gjithçka që ka lidhje me interesat, bizneset, familjet, fiset, horrllëqet, klanet, ortakëritë dhe miliardat e tyre, madje edhe bëjnë sikur përleshen me njeri-tjetrin e në grupe, pas çdo akuze zbardhin dhëmbët, shkojnë së bashku nëpër restorante e rikthehen përsëri çdo ditë enjte, për teatrin e radhës! Por nuk flasin për problemet që shqetësojnë familjet, komunitetet dhe shtresat në nevojë. Pra, deputetë flasin, por për çfarë nuk flasin? 

1. Nuk flasin për pensionet dhe pagesat e ndaluara të pensioneve të ushtarakëve, duke lejuar e nxitur denigrimin e tyre social-ekonomik. Deputetët, që kanë miratuar ligjin e pensioneve të ushtarakëve të nxjerr në lirim prej tyre, heshtin kur bëhet fjalë për të drejtat e ushtarakëve, duke i braktisur ata. Kjo braktisje vazhdon prej 25 vitesh, qysh kur shteti dhe qeveria nisën sulmin e shfrenuar denigrues ndaj tyre. 

2. Deputetët nuk flasin për pagesat e pashlyera të policëve të shtetit, të cilët punojnë mes sakrificash dhe rrezikut për jetën. Policëve nuk u jepen pagesat sipas statusit ligjor. Nuk u paguhen orët e shërbimeve shtesë pas orarit zyrtar të punës, nuk u jepen pagesat e orëve të natës, nuk u jepen pagesat e pjesëmarrjes në aksione të cilësuara “speciale” e po kështu, nuk u jepet trajtimi ligjor, fëmijëve të policive të rënë në krye të detyrës!

3. Deputetët nuk flasin për pensionet e ulëta të pleqërisë, të cilat prej 25 vitesh i shtojnë nga 1 e 2%, me vlera financiare lëmoshë. Nuk flasin, mbasi i kanë miratuar në mirëkuptim me njeri-tjetrin, duke lënë 635 mijë pensionistët me jetë nën nivelin e varfërisë ekstreme, me vlerë pensionesh minimale, sa për 10 ditë ushqim sa për të mbijetuar!

4. Deputetët nuk flasin, për ndihmën ekonomike mujore të familjeve dhe personave pa të ardhura financiare, të cilëve u kanë caktuar nga 60-100 lekë pagesë në ditë, me të cilën duhet të përballojnë ushqimin dhe shërbimet e tjera dhe këtë tallje të bërë me ligjin e miratuar prej deputetëve, po e provojnë 88 mijë e 973 familje shqiptare! 

5. Deputetët që janë në punë me 5 milionë lekë paga e trajtime në muaj dhe që kanë gjithë familjarët e tyre në 2-13 punë zyrash e biznesesh me paga milionëshe, nuk flasin për papunësinë e shkaktuar prej politikave të tyre që kanë shkatërruar ekonominë, duke lënë pa punë afro 1 milion shqiptarë, 60% e të cilëve të rinj!

6. Deputetët, ngaqë i kanë fëmijët e tyre në punë shteti, në universitetet e shtrenjta të botës dhe me biznese të shumtë, nuk flasin për fëmijët e rrugës, të cilët detyrohen të lypin për të çuar pakëz bukë në familje. Nuk flasin për fëmijët e mitur, që detyrohen të punësohen edhe në punë të rënda e trajtohen si skllevër, me paga minimale dhe kushte pune mizërie.

Realitet i hidhur, për të cilin heshtin deputetët
1. Heshtin për të moshuarit e braktisur e pa pension që enden rrugëve.
2. Heshtin për Minimumin Jetik, duke bllokuar atë prej 20 vitesh.
3. Heshtin për mos dhenien e shpërblimit dhe pagës së 13-të në fund të vitit.
4. Heshtin për braktisjen e shkolis prej 20% të fëmijëve.
5. Heshtin për punësimin e të miturve dhe punësimin e të rriturve në të zezë.
6. Heshtin për pagën minimale e cila është 40% më ulët se vlera e Minimumit Jetik, llogaritur për një person në Shqipëri.
7. Heshtin për Statusin e Minatorit.
8. Heshtin për moszbatimin e ligjit për Statusin e Naftëtarit.
9. Heshtin për kërkesat e invalidëve dhe jetimëve.
10. Heshtin kur policët grekë grisin pasaportat e shqiptarëve në kufi. 
11. Heshtin kur emigrantët shqiptarë nëpër botë vriten, humbasin, denigrohen, keqtrajtohen. 
12. Heshtin për monopolet në shërbimet publike.
13. Heshtin për çmimin e lartë të biletave të transportit ajror në Rinas.
14. Heshtin për biletat e shtrenjta të transportit detar në portet shqiptare.
15. Heshtin për pasigurinë ushqimore.
16. Heshtin për policët që dhunojnë qytetarët.
17. Heshtin për varfërinë ekstreme të 60% të popullsisë.
18. Heshtin për mbetjen stok të prodhimit agro-ushqimor vendas në fshat, për shkak të importeve në masën 90% të sasisë që ka tregu shqiptar.
19. Heshtin për mungesën e shërbimit mjekësor në 90% të fshatrave dhe në 40% të bashkive të vogla.
20. Heshtin për bukën që prodhohet me grurë kancerogjen serbo-rus.
21. Heshtin për plehrat e importit deh koncesionet e tyre, që paguhen nga taksat publike
22. Heshtin për mungesën e ujit të pijshëm në 20 orë të ditës në qytet dhe të mungesës së plotë, në 70% të zonave rurale e periferike.
23. Heshtin për mjekësinë që po “vret” njerëz dhe për korrupsionin në këtë shërbim.
24. Heshtin për universitetet që kanë ulur nivelin e mësimdhënies në analfabetizëm masiv.
25. Heshtin për çmimet e larta të ilaçeve dhe për ilaçet e skaduara.
26. Heshtin për lidhjet korruptive të mjekëve shtetërorë me spitalet private.
27. Heshtin për shkatërrimin e lumenjve.
28. Heshtin për shkatërrimin e pyjeve.
29. Heshtin për familjet që shkatërrohen prej varfërisë ekstreme.
30. Heshtin për vjedhjen dhe shkatërrimin e naftës, bakrit dhe kromit pasuri shqiptare.
Sigal