Për 3 vite 25 vjedhje në Gjermani, kapet dibrani i shumëkërkuar

152

Policia e Shtetit në bashkëpunim me autoritetet gjermane ka arrestuar një 27-vjeçar nga Dibra të akuzuar për dhjetëra vjedhje në një zonë në Gjermani.

Pas një pune të mirëorganizuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë dhe Task Forca “Anti – Skifter” në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale si dhe Komisariatin e Policisë Durrës, u bë identifikimi, kapja dhe ndalimi i shtetasit shqiptar, A.L, 27 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Durrës.

Ky shtetas ishte person i shpallur person në kërkim europian, i dënuar më parë për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave apo i vizave”, person nën hetim, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, kryer në kuadrin e “Grupit të strukturuar kriminal” parashikuar nga legjislacioni gjerman dhe nga nenet 287/1, 134/3 dhe 333/a të Kodit Penal Shqiptar.

Ndalimi u bë në zbatim të lëtër-porosisë së organeve ligjzbatuese Gjermane, pasi u regjistrua procedimi penal nr. 39/ viti 2019, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.

Ky shtetas në bashkëpunim me persona të tjerë ka kryer rreth 25 vjedhje banesash në rajonin Bochum, Gjermani, ku kanë përvetësuar sasi të konsiderueshme parash, bizhuteri, orë të markave të shtrenjta, paisje elektronike etj.

Gjatë kontrollit të banesës së tij, iu sekuestruan disa dokumenta për transferta parash nga Gjermania në Shqipëri, orë të markave të shtrenjta, telefona celularë, bizhuteri si dhe një automjet.

Në bashkërendim me organet ligjzbatuese të rajonit të Bochumit, Gjermani, Task Forca “Anti – Skifter” dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, po vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi të strukturuar, ku deri tani është provuar se ka kryer 25 vjedhje banesash, por dyshohet se ka kryer edhe vjedhje të tjera në këtë rajon.

Aktiviteti kriminal i këtij grupi shtrihet në periudhën kohore 2015-2018 në dhjetë rajone në Gjemani. Policia Gjermane ka bashkëpunuar me Task Forcën “Anti – Skifter” dhe më pas nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ku dhe është regjistruar procedimi penal.

Theksojme faktin se në muajin tetor të vitit 2018, pas bashkëpunimit të sukseshëm të organeve ligjzbatuese të Gjermanisë me Policinë Shqiptare u bë e mundur të identifikohet dhe të arrestohet shtetasi shqiptar G.SH, si pjesëtar i këtij grupi kriminal.

Në fillim të muajit maj 2019 në Prokurorinë e Bochum, Gjermani është zhvilluar një takim pune ndërkomëtar ndërmjet organeve ligjzbatuese të prokurorive dhe policive respektive të dy vendeve, ku u përcaktuan detyra të përbashkëta policore dhe procedurale me qëllim dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të gjithë anëtarëve të këtij grupi dhe sidomos të shtetasit shqiptar A.L. i cili kishte mundur të largohej nga Gjermania.

Goditja e këtij grupi kriminal u publikua edhe në mediat Gjermane, duke cituar prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore Gjermane, se Shqipëria prej disa vjetësh po vepron me forcë kundër krimit të organizuar dhe sidomos krimit të organizuar kundër pronës.

Operacioni “Anti – Skifter” vazhdon në bashkëpunim me organet ligjzbatuese të Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së.