Për 1.6 milionë shqiptarë bllokuan Minimumin Jetik, për vete rritën në maksimum pagat, dietat, shpërblimet dhe pensionet

770
Përparim HALILI
Ministri i Financave urdhëroi deputetët “Rilindës” me një “copë pusullë”, që të mos e miratonin dhe ata votuan kundër këtij drafti anti-varfëri
Pagesa e Minimumit Jetik është kuota financiare minimale, që i duhet një personi pa të ardhura e në varfëri ekstreme, për të mbajtur frymën gjallë, vlerë që tashmë është përcaktuar 1 mijë lekë të reja më pak, se tarifa mujore që çdo deputeti i paguhet për telefonin celular
Në vitin 2011, studiuesi i mirënjohur Kiço Ziso, përllogariti minimumin jetik në vlerën 15 mijë e 072 lekë në muaj për person, por kjo përllogaritje jo vetëm që nuk është përfillur, por përcaktimi i bërë në Kodin e Punës të vitit 1995 për detyrimin e pagesës së Minimumit Jetik, u zhduk edhe nga Kodi i Punës dhe nuk ekziston më, skandal që ndodh vetëm në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë
Katër ditë më parë, Komisioni Parlamentar “Për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë”, nuk miratoi projektin social-ekonomik anti-varfëri, me objekt “Përcaktimi i minimumit jetik për personat e papunë, në vlerën 16 mijë lekë të reja në muaj”. Ky vendim kundër minimumit jetik, që u votua në “bllok” vetëm prej anëtarëve të komisionit deputetë të “rilindjes”, nuk u bë publik siç trumbetohen ekraneve, rastet kur kryeministri dhuron ndonjë arkë pula në azilet e pleqve! Sipas projekt-draftit, trajtim financiar me minimum jetik do të përfitonin 437 mijë shqiptarë të regjistruar si të papunë për ndonjë rimbursim ilaçesh, mbasi realisht, në Shqipëri janë mbi 1.6 milionë shqiptarë që duhen futur në skemën e trajtimit shtetëror me pagesë mujore të minimumit jetik, kryefamiljarë, pjesëtarë familjesh dhe individë që jetojnë të vetëm. Mjafton të kujtojmë, që vetëm me ndihmë ekonomike, trajtohen 45 mijë e 589 persona dhe 84 mijë e 352 familje, numri i anëtarëve të të cilave minimalisht është me 2 pjesëtarë, ndërsa numri maksimal arrin deri në 5, 7, 8 e mbi 10 pjesëtarë! Nuk po pyesim, se për çfarë motivi nuk e miratuan minimumin jetik anëtarët “rilindës” të këtij komisioni, por po kujtojmë premtimin e bërë prej kryeministrit në fushatën e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013, që sipas “Programit rilindës anti-varfëri”, përcaktimi dhe zbatimi i Minimumit Jetik, do të bëhej brenda vitit 2016. Por ja që edhe pse u paraqit për miratim, komisionerët parlamentar të ‘rilindjes” nuk e miratuan këtë skemë anti-varfëri! Sipas informacionit, mos miratimi i Minimumit Jetik, u dirigjua prej ministrit të Financave me “depo miliardash” të mbushur nga biznese të pista, i cili i urdhëroi deputetët “rilindës” me një “copë pusullë”, që të mos e miratonin dhe ata, të future në “rresht” nga frika e nxjerrjes nga lista e kandidatëve për deputetë të 18 qershorit 2017, votuan kundër këtij drafti anti-varfëri! Kujtojmë, që vlera e minimumit jetik që nuk u miratua me urdhër të ministrit të Financave, miliarderit Arben Ahmetaj është përcaktuar vetëm 16 mijë lekë të reja në muaj, aq sa një personi të zhytur në varfëri ekstreme i duhen dhënë për të mbajtur frymën gjallë, vlerë që është 1 mijë lekë të reja më pak, se tarifa mujore që çdo deputeti, i paguhet nga taksat e shqiptarëve për telefonin celular.
Të “majmurit”, nuk u miratuan minimumin jetik, atyre që ulërijnë për bukën e gojës
Në Shqipëri ka një shkallëzim social e ndarje shtresash shoqërore, që nuk ndodh në asnjë vend tjetër të rajonit, të BE e të Botës. Afro 95% e shqiptarëve vuajnë varfërinë ekstreme, ndërkohë që pasuritë dhe financat kombëtare janë nën kthetrat e 5% të individëve që kanë pasur e që kanë lidhje me pushtetin e këtyre 25 viteve dhe me krimin ekonomik që është bërë e vazhdon të bëhet prej tyre në bashkëveprim. Edhe sikur të mendosh që ata kanë pasuri, vetëm ato që deklarojnë tek “defter-bakallët” e ILKPD, përsëri rezultojnë shumë të pasur. Kanë pasuri e llogari bankare brenda dhe jashtë Shqipërisë, kanë toka bujqësore në sipërfaqe të mëdha, kanë troje, shkolla e universitete private, kanë biznese të çdo lloji, kanë apartamente luksoze, kanë rezidenca në bregdetin shqiptar e në plazhet luksoze të botës deri në SHBA, kanë fshatra turistikë, kanë HEC-e, fabrika, komplekse pishinash verore, vjeshtore e dimërore, kanë ferma bujqësore e industri agro-industrialë, kanë biznese ushqimore importi, kanë linja transporti tokësore, detare e ajrore dhe gjithçka. Pikërisht këta të dhjamosur nga pagat dhe të tejngopur nga parajsa të cilën e kanë krijuar me taksat e shqiptarëve dhe pasuritë kombëtare që kanë zhvatur në 25 vite tranzicion të lënë qëllimisht “peng” mbi supet dhe shpirtin e shqiptarëve, nuk miratuan Minimumin Jetik me vlerë 16 mijë lekë të reja në muaj, për ata njerëz që vuajnë vërtetë ekonomikisht e që nuk e kanë mbushur qoftë edhe një ditë “barkun me bukë” jo se janë dembelë, jo se nuk e duan punën, por sepse u është mohuar dhe u është shkatërruar çdo mundësi për punësim qoftë edhe si hamej në bizneset e shtetarëve dhe politikanëve, ku edhe ata që janë punësuar, shfrytëzohen si skllevër me paga të ulëta nën kuotën e minimumit jetik dhe pa asnjë figuracion dhe pa asnjë ditë pushimi, madje edhe duke u kërcënuar për përzënie nga puna nëse reagojnë…
Edhe pensionet e pleqërisë së tyre, i kanë vendosur sa 7 minimume jetike
Ndërkohë që kanë zhytur popullin në varfëria ekstreme, shtetarët kanë marrë vendim, që përveç pagave të tyre të larta sa 30 pensione minimale ose sa 17 paga minimale, të rrisin edhe pensionet e pleqërisë së tyre, të cilat i kanë bërë sa 7 pensione pleqërie mësuesi, naftëtari, minatori, ndërtuesi, shoferi, pastruesi, gjeologu, sharruari etj…! Më saktë, kryeministri, ministrat dhe deputetët, i kanë përcaktuar pensionet e tyre të pleqërisë, sa 7 minimume jetike! Ky privilegj është bërë ligj, me VKM Nr. 548, datë 27. 07. 2016 “Për miratimin e kritereve, rregullave dhe të procedurave për përfitimin e pensioneve shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, publikuar në “Fletore Zyrtare” 147, datë 5 gusht 2016. Sipas këtij vendimi përcaktohen vitet e shërbimit në funksione zyrtare, mosha dhe masa e përfitimit të pensionit bazë të pleqërisë dhe të pensionit suplementar. Si vite shërbimi, për efekt të përfitimeve sipas këtij ligji, për “personelin specialist” dhe “personat e barazuar me ta në funksion”, do të njihen vitet e punës të kryera në një nga institucionet qendrore buxhetore, sipas listës së institucioneve të përcaktuara si të përfshira në këtë vendim, ku kryesojnë presidenca, kryeministria, parlamenti, ministritë, agjencitë e shërbimeve publike, inspektoratet e larta etj. 
Llogaritja e Minimumit Jetik në Shqipëri, në vitet 1989-2016
Tabela e llogaritjes së minimumit jetik për shkak të varfërisë prej papunësisë, apo paaftësive fizike të shtetasve është bërë edhe nga ish-pushteti i përpara vitit 1992, ku shteti akordonte pagesa mujore për persona invalid të plotë, por edhe punësonte fiktivisht në punë, pra fuste në bordero individët me invaliditet të pjesshëm, duke u llogaritur pagesë sociale në nivelin e pagës minimale në sektorët e shërbimeve publike! Në vitin 1995, studiuesi Luan Shahollari përcaktoi minimumin jetik, sipas të cilit varianti optimal ishte në vlerën 4543 lekë të reja në muaj për një familje me 4 anëtarë. Në vitin 1998, Profesori Ilia Telo, llogariti minimumin jetik në vlerën 9058 lekë të reja në muaj për person. Në vitin 2011, studiuesi i mirënjohur, eksperti Kiço Ziso, llogariti minimumin jetik në vlerën 15 mijë e 072 lekë në muaj për person. Këto përllogaritje, jo vetëm që nuk janë përfillur nga asnjë qeverisje, por as janë pranuar të arkivohen, madje përcaktimi i bërë në Kodin e Punës të vitit 1995 për detyrimin e pagesës së Minimumit Jetik, pas vitit 1998 u zhduk edhe nga Kodi i Punës dhe në ekziston më, skandal që ndodh vetëm në Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë
1. Në vitin 1989: Kuota 450 lekë në muaj për çdo familje 
2. Në vitin 1991: Kuota 870 lekë në muaj për çdo familje 
3. Në vitin 1994: Kuota 1345 lekë në muaj për çdo person 
4. Në vitin 1996: Kuota 3087 lekë në muaj për çdo person
5. Në vitin 1998: Kuota 3960 lekë në muaj për çdo person
6. Në vitin 2001: Kuota 4100 lekë në muaj për çdo person
7. Në vitin 2002: Kuota 4891 lekë në muaj për çdo person
8. Në vitin 2005: Kuota 5272 lekë në muaj për çdo person
9. Në vitin 2008: Kuota 5722 lekë në muaj për çdo person
10. Në vitin 2009: Kuota 6047 lekë në muaj për çdo person
11. Në vitin 2010: Kuota 6647 lekë në muaj për çdo person
12. Në vitin 2011: Kuota 7808 lekë në muaj për çdo person
13. Në vitin 2012: Kuota 8910 lekë në muaj për çdo person
14. Në vitin 2013: Kuota 10435 lekë në muaj për çdo person
15. Në vitin 2014: Kuota 12989 lekë në muaj për çdo person
16. Në vitin 2015: Kuota 13788 lekë në muaj për çdo person
17. Në vitin 2016: Kuota 16000 lekë në muaj për çdo person
Ja sa lekë paguajnë shqiptarët çdo muaj, për çdo deputet
1. Paga bazë mujore: 156 mijë e 750 lekë të reja 
2. Pagesë komisionet: 24 mijë lekë të reja
3. Dieta për shërbime: 75 mijë e 252 lekë të reja
4. Hotel jashtë Tirane: 36 mijë lekë të reja
5. Pagesë për telefon: 17 mijë lekë të reja
6. Pagesë qira banimi: 35 mijë lekë të reja
7. Pagesë karburanti: 35 mijë lekë të reja 
Ja sa u shtuan pensionet e popullit, nga 1 gushti 2016 
1. Pensioni minimal në qytet 
2. Është 12 mijë e 264 lekë, shtohet 180 lekë
3. Pensioni maksimal në qytet 
4. Është 24 mijë e 528 lekë/ muaj, shtohet 360 lekë
5. Pensioni minimal në fshat 
6. Është 8398 lekë/muaj, shtohet 120 lekë 
7. Pensioni maksimal në fshat 
8. Është 12 mijë e 264 lekë/muaj, shtohet me 180 lekë
9. Pensionet e ish-kooperativave 
10. Është 12 mijë e 264 lekë, shtohet 180 lekë
Minimumi jetik 1
Minimumi Jetik mujor, pagesë me Euro për çdo person, në disa prej vendeve të BE
Paga Minimale mujore me Euro, në disa nga vendet e BE
Minimumi Jetik mujor me Euro, në vendet e Ballkanit Perëndimor
“Shporta” e ushqimeve të përcaktuara në Minimumin Jetik 
Sigal