Peqin/ E paralizuan me lëng, si i grabitën 60 mijë euro tregtarit. Familjarët: Një grua e futi në kurth

982
Sigal

Një 76-vjeçar në qytetin e Peqinit ka rënë pre e grabitjes nga një çift. Ata, pasi i kanë dhënë një lëng për t’i “paralizuar” kujtesën, i kanë vjedhur banesën.

Ngjarja ka ndodhur mbasditen e së martës, ku sipas deklaratave të të moshuarit Skënder Zeqiri, një çift bashkëshortësh rreth të 50-ve kanë trokitur në banesën e tij dhe i kanë kërkuar që zonja të hyjë në tualet për të kryer nevojat personale.

76-vjeçari i ka pranuar të hyjnë brenda, por sapo ka mbyllur derën, çifti i ka ofruar një pije. Pasi ka pirë lëngun, i moshuari nuk ka mundur të bëjë asnjë lëvizje, sepse e ka paralizuar përkohësisht. Pavarësisht kësaj, i moshuari është përpjekur që të bëjë rezistencë. Kjo i ka detyruar autorët që ta lidhin.

Më pas, çifti ka nisur të kontrollojë në banesë dhe kanë gjetur e marrë bizhuteri me vlerë, si edhe dyshohet se i kanë marrë edhe një sasi prej rreth 60 mijë eurosh. 76-vjeçari ishte tregtar rrobash në Peqin dhe paratë i kishte të ardhurat nga aktiviteti prej shumë vitesh.

Dy autorët, pasi kanë përvetësuar shumën e parave, janë larguar duke humbur çdo gjurmë. Kur i ka ardhur kujtesa, i moshuari ka nisur të bërtasë dhe kanë qenë fqinjët ata që kanë hyrë në banesë, duke mësuar për ngjarjen dhe më pas kanë lajmëruar Policinë. Kjo e fundit ka dalë në një deklaratë për mediat 24 orë pas ngjarjes. Policia shpreson që të arrijë në identifikimin e autorëve përmes shenjave të gishtërinjve që mund të kenë lënë në banesë apo të ndonjë dëshmitari që mund t’i ketë parë duke hyrë apo duke u larguar nga banesa e 76- vjeçarit.

“Në datën 08.05.2019, rreth orës 14:00, Policia u njoftua se në lagjen ‘Xhami’ të Bashkisë Peqin, është vjedhur një banesë. Menjëherë u ngrit grupi hetimor dhe u shkua në banesën që ishte e vjedhur dhe i përkiste shtetasit Skënder Zeqiri, 76 vjeç.

Nga veprimet paraprake të kryera, rezulton se rreth orëve të paradites, te shtëpia e tij ka shkuar një çift, me pretendimin se gruaja kishte nevoja personale.

Ata dyshohet se i ka dhënë për të pirë një shishe me lëng të moshuarit, duke i paralizuar kujtesën. Dy shtetasit ende të paidentifikuar kanë marrë një shumë parash dhe janë larguar pa ushtruar dhunë ndaj të zotit të banesës, i cili tashmë ndodhet në spital për ndihmë mjekësore, si pasojë e pijes së konsumuar.

Grupi hetimor ka kryer të gjitha veprimet, duke grumbulluar çdo provë të mundshme që do çonte në identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Njëkohësisht, shtetasit i është marrë mostër gjaku për të përcaktuar nëse ka elemente toksikologjike si pasojë e konsumimit të lëngut. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë për veprën penale të “Vjedhjes”.