Pensionistja, që u bë milionere nga i biri i dënuar në Angli

615
Sigal

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor të Fierit, në bashkëpunim me kolegët britanikë, zbulon rrugët e pastrimit të parave

Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka arritur të zbulojë një aktivitet kriminal të pastrimit të parave, ndërmjet një shtetasi shqiptar, i dënuar për trafikim droge në Britaninë e Madhe dhe familjarëve të tij në Fier. Nëpërmjet transaksioneve të dyshimta, familjarë të shtetasit Fatos Hamzaraj, i arrestuar aktualisht në Londër, kanë arritur të krijojnë pasuri të patundshme dhe llogari bankare, në shuma, qe nuk i justifikojnë me mjete efektive financiare. Vetëm në emër të nënës së Fatos Hamzaraj, me statusin pensioniste, janë regjistruar një pikë karburanti, lokal, palestër dhe apartament, të cilat janë në përdorim nga vëllezërit e personit të ndaluar në Angli, përkatësisht, Tani Hamzaraj dhe Arsen Hamzaraj. Gjithashtu, në emër të nënës së tyre, Teferi Hamzaraj, janë krijuar llogari bankare në tre banka të ndryshme, nëpërmjet të cilave janë qarkulluar shuma në disa qindra mijëra euro, të depozituara nga bashkëpunëtorë të djalit të saj në Angli. Nga provat e administruara rezulton se Fatos Hamzaraj ka sjellë vazhdimisht në Shqipëri para, që nuk i ka deklaruar me qëllim për të pastruar origjinën e tyre. Dyshohet se aktiviteti i tij i trafikimit të drogës ka vijuar dhe nga burgu ku ai ndodhet në izolim. Burimi i këtyre te ardhurave rezulton te jete trafikimi i lendeve narkotike.

Arrestimi i Fatos Hamzaraj

Fatos Hamzaraj është arrestuar në janar të vitit 2011 në Angli, si drejtuesi i një grupi të trafikut të kokainës nga Amerika e Jugut drejt Anglisë. Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, Hamzaraj prej tre vitesh kishte krijuar një organizatë të trafikut ndërkombëtar të drogës, të cilën e drejtonte vetë, ndërsa bashkëpunëtorët e tij ishin shtetas italianë, anglezë dhe kolumbianë. Menjëherë pas arrestimit të tij në Angli, me anë të një letër-porosie të mbërritur nga Britania e Madhe, nisi një hetim i përbashkët që kishte si qëllim parësor verifikimin e të gjitha transfertave bankare.

Hetime menjëherë pas arrestimit

Menjëherë pas arrestimit, grupi hetimor kaloi në “sitë” të gjitha transaksionet e kryera gjatë 3 viteve që Fatos Hamzaraj zhvillonte aktivitetin e trafikut të drogës dhe rezultoi që paratë niseshin në emër të nënës së tij, Teferi Hamzaraj dhe të vëllait Arsen Hamzaraj. Nga hetimet është arritur të dokumentohen të gjitha pronat që familja e Fatos Hamzarajt kishte ndërtuar me anë të parave të përfituara nga trafiku i kokainës. Të gjitha bizneset e ndërtuara gjatë tre viteve kur Hamzaraj drejtonte trafikun e kokainës në Angli dhe që administroheshin nga vëllai i tij Arseni dhe e ëma Teferi Hamzaraj, ishin përfituar nga të ardhurat e krimit të organizuar.  Gjatë hetimeve, vitet e kaluara ka rezultuar se Fatos Hamzaraj, për një periudhë prej rreth tre vjetësh, të ardhurat e përfituara në mënyrë të paligjshme nga trafiku i lëndëve narkotike i ka transferuar te familjarët e tij në Shqipëri. Gjithçka e ka kryer përmes transfertave bankare dhe kesh dhe këta të fundit kanë mundur t’i justifikojnë si para të ligjshme dhe t’i investojnë në biznese, bar-kafe, karburant, apartamente, palestër etj. Për të justifikuar si “të pastra”, bizneset në pronësi të tyre, familjarët e Hamzarajt kishin siguruar dokumente pronësie në formë trashëgimie, që dyshohet të jenë të falsifikuara. Fillimisht këto pasuri janë bllokuar nga Gjykata e Fierit, ndërsa tashmë çështja kaloi qe vitin e kaluar në Gjykatë dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda.