Pensionet rriten me 450 lekë, pagat e shtetarëve lokalë rriten sa 1-5 pensione mujore

305
Përparim HALILI
Përveç pagave, përfitojnë shtesa për funksionet, si dhe 2% shtesë page në muaj për çdo vit pune, po jo me tepër se për 25 vite
Për të përligjur zyrtarisht me vendim qeverie caktimin e pagës në nivel të lartë, drejtuesve lokalë, u lejohet të vetëvendosin pagat e tyre me nivel maksimal, duke e propozuar vetë rritjen e pagave të tyre! Dhe këshilltarët ua miratojnë kufirin maksimal të pagës, mbasi përfitojnë edhe vetë 10% të pagës mujore që merr kryetari i Bashkisë apo Qarkut 
Mbledhja e djeshme datë 8 mars 2017 e Këshillit të Ministrave, ka pasur si objekt rritjen e pagave edhe për drejtuesit e pushtetit lokalë të 61 bashkive, të drejtuesve kryesorë shtetërorë nëpër gjithë njësitë administrative (ish komuna e bashki të shkrira), por edhe të drejtuesve kryesorë në 12 Këshillat e Qarqeve. Po sipas këtij vendimi, që nis efektin e përfitimit financiar në paga, qysh nga data 1 mars 2017, përfitojnë edhe punonjësit e administratës të pushtetit lokal, të cilëve u rritet paga me 30%. Në vendimin e shpallur dje, janë publikuar edhe shifrat e rritjes së këtyre pagave për kryetarët, nënkryetarët, për punonjësit dhe nëpunësit e çdo sektori të administratave të qeverisjes së pushtetit vendor. Kjo rritje, sipas vendimit qeveritar, do të përballohet nga të ardhurat e bashkive dhe qarqeve. kryeministri, ka gjetur si “justifikim” sqarimin “nga të ardhurat e pushtetit vendor”, për të shmangur reagimin publik për këtë rritje favorizuese të pagave të shtetarëve. Në fakt, kjo rritje pagash 20-30 herë më tepër se rritja 2% e pensioneve, ka si burim taksat e qytetarëve dhe bizneseve, por edhe të ardhurat nga pronat shtetërore lokale (qira, shitje, koncesione etj.). Kryeministri ka menduar ta maskojë këtë rritje pagash për shtetarët, gjoja nga të ardhurat e pushtetit lokal, kur dihet që këto të ardhura janë taksa publike e jo financa private të kryetarëve e nënkryetarëve të bashkive, të kryetarëve të qarqeve, prefekturave, këshillave bashkiakë e nëpunësve të administrative që ata drejtojnë! Nuk jemi kundër rritjes së pagave të drejtuesve shtetërorë, por është skandal dhe turp, tallje dhe denigrim shtetëror, fakti që pagat e shtetarëve rriten me 30-40%, ndërsa pensionet e pleqërisë, invaliditetit, fermerëve, ndërtuesve, tekstilistëve, naftëtarëve, ish-ushtarakëve e jetimëve rriten vetëm me 3%! Sipas llogarisë së bërë, rezulton se pensionet e pleqërisë rriten me 350 lekë, deri në 450 lekë në muaj. ndërsa pagat e drejtuesve të bashkive e këshillave të qarqeve dhe të nëpunësve të qeverisjes lokale, rriten sa vlera e 1 deri në 5 pensione pleqërie në muaj! Për të përligjur zyrtarisht me vendim qeverie caktimin e pagës në nivel të lartë, drejtuesve lokalë, u lejohet të vetëvendosin pagat e tyre me nivel maksimal, duke e propozuar vetë rritjen e pagave të tyre! Dhe këshilltarët ua miratojnë kufirin maksimal të pagës, mbasi përfitojnë edhe vetë 10% të pagës mujore që merr kryetari i bashkisë apo qarkut! Më poshtë, po publikojmë tabelën e rritjes së pagave të shtetarëve lokalë me VKM e datës 8 mars 2017, krahasuar me pagat e vendosura 1 vit më parë, konkretisht me VKM Nr. 165, datë 2 mars 2016. 
Ja sa bëhen pagat e shtetarëve lokalë, nga data 1 mars 2017
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore nga 200 mijë e 1 banor, deri në 400 mijë banorë 
– Kryetari 130 000-162 750 lekë të reja
– Nënkryetari 100 000-138 000 lekë
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nga 100 mijë e 1 banor, deri në 200 mijë banorë
– Kryetari 110 000-150 000 lekë;
– Nënkryetari 70 000-125 725 lekë.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore nga 50 mijë e 1 banor, deri në 100 mijë banorë
– Kryetari 70 000-125 725 lekë
– Nënkryetari 60 000 -101 650 lekë
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore nga 20 mijë e 1 banor, deri në 50 mijë banorë
– Kryetari 60 000-101 650 lekë;
– Nënkryetari 45 000-86 100 lekë.
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore deri në 20 mijë banorë
– Kryetari 45 000- 86 100 lekë;
– Nënkryetari 28 300-75 500 lekë.
Për Këshillin e Qarkut
– Kryetari 87 000-150 000 lekë;
– Nënkryetari 57 600-101 650 lekë
Rritje të tjera
1. Kufiri maksimal i pagës për punonjësit e administratës lokale, nga 36 000 lekë që është aktualisht, bëhet 39 000 lekë në muaj 
2. Kufijtë e pagave bazë të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore bëhen nga 30 000 lekë që janë aktualisht, bëhen 39 000 lekë në muaj.
3. Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi do të përballohen nga të ardhurat e veta të organeve/njësive të vetëqeverisjes vendore.
4. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 mars 2017.
Ja sa ishin pagat e shtetarëve lokalë, deri në datën 28 shkurt 2017
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore nga 200 mijë e 1 banor, deri në 400 mijë 
– Kryetari 130 000–155 000 lekë;
– Nënkryetari 100 000–129 000 lekë
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore, nga 100 mijë e 1 banor, deri në 200 mijë banorë
– Kryetari 110 000–140 000 lekë
– Nënkryetari 70 000–117 500 lekë
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore nga 50 mijë e 1 banor, deri në 100 mijë banorë
– Kryetari 70 000–117 500 lekë 
– Nënkryetari 60 000–95 000 lekë
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore nga 20 mijë e 1 banor, deri në 50 mijë banorë
– Kryetari 60 000–95 000 lekë
– Nënkryetari 45 000-80 500 lekë
Për njësitë e vetëqeverisjes vendore deri në 20 mijë banorë
– Kryetari 45 000-80 500 lekë 
– Nënkryetari 28 300-70 500 lekë
Për Këshillin e Qarkut 
– Kryetari 87 000-140 000 lekë 
– Nënkryetari 57 600-95 000 lekë
Shtesa të tjera që përfitojnë shtetarët dhe zyrtarët lokalë, mbi pagat mujore
• Shtesa për vjetërsi në punë, jepet në masën 2% të pagës mujore për çdo vit pune të kryer e regjistruar sit ë kontribuar në sigurimet shoqërore, por jo më tepër se 25 vite pune, me përjashtim të viteve të sigurimit vullnetar, vetëpunësimit, shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit të lartë për femrat, si dhe periudha e trajtimit me pagesë papunësie. 
• Masa 2%, llogaritur mbi pagën e grupit të klasifikuar në tabelën e pagave sipas funksionit dhe punës që kryen. Për efekt të llogaritjes së kësaj shtese, vite pune do të konsiderohen vjetërsia e përgjithshme në punë, e dokumentuar në librezën e punës së çdo punonjësi, 
• Përfitojnë 7500 lekë shtesë mbi pagën mujore: nëpunësit e strukturave të TIK të Bashkisë Tiranë, të bashkive me mbi 400 000 banorë, të bashkive me 200 001-400 000 banorë dhe të bashkive me 100 001-200 000 banorë;
• Përfitojnë 5 000 (pesë mijë) lekë në muaj, nëpunësit e strukturave të TIK-ut, të bashkive me 50 001-100 000 banorë, të bashkive me 20 001- 50 000 banorë dhe të bashkive me deri në 20 000 banorë.
Përfitojnë 20-30% shtesë mbi pagën mujore, zyrtarët me këto funksione
1. Sekretar i Kryetarit të Bashkisë
2. Sekretar i Kryetarit të Këshillit të Qarkut
3. Drejtori i Kabinetit, në Bashki 
4. Sekretari i Këshillit Bashkiak 
5. Këshilltari i Kryetarit të Bashkisë 
6. Zëdhënësi i Kryetarit të Bashkisë 
7. Drejtori i Kabinetit i Këshillit të Qarkut 
8. Sekretari i Këshillit të Qarkut 
9. Këshilltari i Kryetarit të Këshillit të Qarkut 
10. Zëdhënësi i Kryetarit të Këshillit të Qarkut