Pensionet, Flet eksperti Fadil Kepi/ Minatorët , si trajton legjislacioni emigrantët dhe leja e barrëlindjes me pagesë

698
Si trajton legjislacioni emigrantët shqiptarë, njehsimi i viteve të punës, sigurimet vullnetare; minatorët dhe mosha për pension të plotë e leja e lindjes e paguar
Sa vite pune duhen për pension të plotë, vetësigurimet
Pyetje
Fermeri Gjon Sherifi nga Vlora në letrën e tij shkruan: Kam lindur më 12.06.1953 dhe kam 35 vjet punë të siguruara, përfshi dhe periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune të siguruara duhen për pension të plotë, a mund të bëj sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi dhe sa duhet të paguaj?
Pyetja e dytë: Bashkëshortja është e datëlindjes 5.03.1958 dhe ajo ka punuar e siguruar 34 vjet. Po ajo, kur del në pension të plotë? Sa vite pune i duhen dhe a mund të bëjmë të dy sigurime si të vetëpunësuar në bujqësi? 
Përgjigje
Ju do të dilni në pension 65 vjeç në 12.06. 2018 dhe për pension të plotë do tu kërkohen 36 vjet e 4 muaj. Për një vit e 4 muaj që ju duhen mund të bëni sigurime vullnetare si i vetëpunësuar në bujqësi para moshës së pensionit duke paguar 42,168 lekë në vit, ose 3,514 lekë në muaj. Bashkëshortja do të dalë në pension 60 vjeçe e 8 muaj më 5.11.2018 dhe për pension të plotë do ti kërkohen 36 vjet e 4 muaj. Edhe ajo ka të drejtë para plotësimit të moshës së pensionit të bëjë sigurime si e vetëpunësuar në bujqësi me të njëjta kuota vjetore kontributesh si ju. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në Drejtorinë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Vlorë. 
Minatorët dhe mosha për pension të plotë
Pyetje 
Pensionisti Astrit Guri nga Tepelena ka drejtuar dy pyetje: Jam i datëlindjes 10.04.1956 dhe pasi punova 18 vjet në minierë në nëntokë në vitin 1995 dola në pension të parakohshëm me 60% të pagës. Pyes, kur e plotësoj moshën për pension të plotë? 
Pyetja e dytë: Bashkëshortja ka lindur më 13.11.1958 dhe gjithsej ka punuar 29 vjet e siguruar. Po ajo, kur del në pension dhe sa vite i duhen për pension të plotë? 
Përgjigje
Sipas ligjit 104.2014 ju do të merrni pension të plotë në moshën 62 vjeç e 6 muaj më 10 tetor 2018. Para plotësimit të moshës së mësipërme do të bëni kërkesë në agjencinë e sigurimeve shoqërore Tepelenë duke paraqitur kartën e identitetit dhe fotokopjen e librezës së pensionit të parakohshëm me 60% të pagës. Bashkëshortja do të dalë në pension 60 vjeçe e 10 muaj më 13 shtator 2019 dhe për pension të plotë do ti duhen 36 vjet e 8 muaj punë të siguruara. Me 29 vjet punë që ka do të përfitojë pension të pjesshëm në masën 79% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës që ka me 36 vjet e 8 muaj që duhen për pension të plotë. Para plotësimit të moshës së pensionit ajo mund të bëjë sigurime vullnetare duke paguar 5,184 lekë në muaj ose 62,208 lekë në vit. Nëse keni tokë sipas ligjit mund të bëni sigurime si i vetëpunësuar në bujqësi duke paguar 33,168 lekë në vit ose 2,764 lekë në muaj. 
Si trajton legjislacioni emigrantët shqiptarë
Pyetje
Znj. Najada Kamba nga Tirana me banim në Itali në letrën e saj trajton këtë problem: Jam e datëlindjes 20.06.1961. Pasi mbarova UT ditën, punova 7 vjet e siguruar përfshi dhe 1 vit stazh që kam punuar pas mbarimit të shkollës së mesme. Pyes, kur i plotësoj kushtet për të përfituar pension në Shqipëri dhe a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës, e cilat janë procedurat që duhet të ndjek?
Përgjigje
Ju në vendin tonë do të merrni pension në moshën 61 vjeçe e 4 muaj më 20.10.2022 nëse do të keni 15 deri në 37 vjet e 8 muaj punë të siguruar në Shqipëri. Vite pune për pension quhen nga mosha 16 vjeç përfshi dhe një vit që keni punuar para fillimit të studimeve të larta. Gjithashtu ju njihen periudhë pune për pension edhe koha e studimeve të larta ditën. Gjithsej deri këtë vit ju keni 11 vjet punë të siguruara. Nëse keni nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi para plotësimit të moshës së pensionit mund të bëni sigurime vullnetare duke paguar 62,208 lekë në vit për të plotësuar të paktën minimumin e domosdoshëm për të marrë pension prej 15 vjet punë. Po të paguani paradhënie këtë vit për vitin 2018 shumës vjetore i bëhet ulje 6% baras me 3,732 lekë. Mendoj kështu të veproni edhe vitin e ardhshëm duke paguar për vitin 2019 e me radhë në vitin 2021 për vitin 2022 duke kursyer 19,000 lekë gjithsej. Po të siguroheni për vitet e kaluara 2016, 2015 etj nuk bëhet ulje për pagesën e kontributeve. Shtetasit shqiptarë kur plotësojnë moshën e pensionit nuk kanë 15 vjet punë, nuk përfitojnë pension pleqërie por sipas nenit 5.1 të ligjit 104.2014 marrin pension në moshën 70 vjeç pavarësisht nga gjinia kur 5 vitet e fundit banojnë në Shqipëri të dokumentuar me certifikatën e gjendjen familjare.
Njehsimi i viteve të punës të emigrantëve dhe sigurimet vullnetare
Pyetje
Zonja Manjola nga Greqia në letrën e saj shkruan: jam e datëlindjes 1 shkurt 1964 dhe mbasi mbarova ditën Universitetin e Tiranës, punova 18 vjet e siguruar në Shqipëri. Pyes, kur e plotësoj moshën e pensionit, sa vite pune duhen të siguruara, a mund të bëj sigurime vullnetare për të shtuar vitet e punës, a njehsohen vitet e punuara të siguruara në Greqi ato të punuara në vendin tonë, sa duhet të paguaj në muaj apo në vit për të bërë sigurime vullnetare dhe cilat janë procedurat që duhet të ndjek?
Përgjigje
Ju moshën e pensionit në Shqipëri e plotësoni në moshën 61 vjeçe e 10 muaj më 1 dhjetor 2025 dhe për pension të plotë duhen 38 vjet e 8 muaj përfshi dhe periudhën e studimeve të larta ditën të dokumentuar me kopjen e diplomës së noterizuar, mbasi femrave që dalin në pension pleqërie deri më 31 dhjetor të vitit 2032 periudha e studimeve të larta ditën brenda ose jashtë vendit me ose pa bursë do t’u njihet vjetërsi pune për pension pleqërie deri në 6 vjet duke e dokumentuar me fotokopjen e diplomës së noterizuar. Ju aktualisht keni 22 vjet punë të siguruara (18 vjet plus 4 vitet e shkollës lartë). Me këto vite pune kur të plotësoni moshën e pensionit do të merrni pension të pjesshëm në masën 57% të pensionit të plotë që llogaritet duke pjesëtuar vitet e punës të siguruara që keni më 38 vjet e 8 muaj që duhen për pension të plotë. Nëse keni nënshtetësi shqiptare ose dy nënshtetësi, mund të bëni sigurime vullnetare duke paguar 62.208 lekë në vit, baras me 5.184 lekë në muaj. Për çdo vit të siguruar pensioni shtohet rreth 2,6%. Kur pagesa bëhet paradhënie për vitet e ardhshme shumës vjetore i bëhet ulje 6%. Për shembull, këtë vit po të siguroheni për 2018 ju bëhet zbritje 6% ose 3.732 lekë më pak pra, do të paguani 58.476 lekë (62.208-3.732), po kështu mund të veproni vitin e ardhshëm për vitin 2019 dhe në vitin 2024 për vitin 2025, për 7 vjet do të kurseni 26.124 lekë. Ndërsa po të paguani për vitet e kaluara, 2016,2015, nuk bëhet ulje. Për të bërë sigurimet vullnetare si më sipër ju vetë ose një i afërmi juaj i autorizuar nga ju duhet të paraqitet çdo vit në agjencinë e sigurimeve shoqërore të bëni aktmarrëveshje për periudhën që do të siguroheni dhe pastaj kryeni pagesën në një bankë të nivelit të dytë. Banka ju pajis me një kopje të mandat pagesës të cilin duhet ta ruani e t’ia bashkëngjitni librezën së punës, një kopje tjetër të mandatit banka ia dërgon sigurimeve shoqërore. Për periudhat që punoni e siguruar në Greqi do të përfitoni pension sipas legjislacionit grek të sigurimeve shoqërore. Pensionet në vendin tonë paguhen një herë në muaj në lekë. Sa herë shtohen pensionet në Shqipëri me vendim Qeverie, rriten edhe pensionet e emigrantëve pa qenë e nevojshme të bëni dokumente shtese. Pensionet tërhiqen brenda 3 vjetëve. Ju mund të vini ta merrni vetë pensionin në pikat e pagesave të pensionit ose të autorizoni persona të tjerë me prokurë të noterizuar. Me dëshirën tuaj mund të autorizoni sigurimet shoqërore që pensioni mujor të depozitohet në bankë. Shërbimi për pagesën e pensionit është falas dhe nuk paguani asnjë komision. Për kohën që pensionet qëndrojnë të pa tërhequra sigurimet shoqërore nuk paguajnë interesa bankare. 
Si të përfitosh lejen e lindjes të paguar
Pyetje, 
Në letrën që sapo nga erdhi nga Ballshi lexojmë: mbasi mbarova studimet e larta ditën punova 7 muaj e siguruar dhe në nëndor të këtij viti pres të filloj lejen e paralindjes. Pyes, a më takon me pagesë leja e barrëlindjes ?
Përgjigje 
Sipas legjislacionit të sigurimeve shoqërore:”E ardhura për barrëlindje i paguhet gruas së siguruar kur ajo plotëson 2 kushte njëkohësisht, të ketë 12 muaj punë e siguruar gjithsej me ose pa ndërprerje para fillimit të lejes së lindjes dhe gjatë shtatzënisë të ketë së paku një muaj punë e siguruar në sektor shtetëror, privat ose të ketë bërë sigurime si e vetëpunësuar në bujqësi”. Periudha e studimeve të larta ditën quhet vjetërsi pune vetëm për efekte të pensionit të pleqërisë për femrat që dalin në pension deri më 31.12.2032 dhe jo për të përfituar me pagesë lejen e lindjes. Meqenëse juve nuk ju bëhen 12 muaj punë e siguruar para fillimit të lejes së paralindjes nuk e përfitoni lejen e lindjes me pagesë. Leja e lindjes është 365 ditë kalendarike kur lind një fëmijë e cila ndahet 35 ditë para lindjes dhe 330 ditë pas lindjes dhe 390 ditë kalendarike kur lind më shumë se një fëmijë, nga e cila 60 para lindjes dhe 330 pas lindjes. Leje e detyrueshme për të dy rastet është ajo e paralindjes dhe 63 ditë pas lindjes. Periudha e paralindjes dhe 150 ditë pas lindjes paguhen me 80% të pagës mesatare neto ditore dhe pjesa tjetër deri në përfundim të lejes të lindjes me 50% të pagës më mësipërme. Mbas 63 ditëve të drejtën e lejes për kujdes ndaj fëmijes e ka edhe babai i fëmijës nëse ka punuar i siguruar 12 muaj. Shpërblimi i lindjes është 12 mijë lekë dhe paguhet me fondet e sigurimeve shoqërore dhe 5 mijë lekë i merr në bashki kur regjistrohet fëmija në gjendjen civile. Të njëjtat kushte duhen plotësuar për çdo fëmijë të lindur. Deri në 12 muaj fëmija I përfiton barnat mjekësore falas duke paraqitur në farmaci recetën e mjekut dhe certifikatën e lindjes së fëmijës. Sqarime më të hollësishme mund të merrni në drejtorinë rajonale të sigurimeve shoqërore Fier. 
-Box-
Kushtet, dokumentet dhe procedurat që duhen ndjekur për të përfituar pensione emigrantët shqiptarë për periudhat e siguruara në vendin tonë 
– Dokumentet që duhen të plotësojnë emigrantët për të përfituar pension në vendin tonë janë: kërkesa për pension e cila merret e gatshme në agjencitë e sigurimeve shoqërore ku keni vendbanimin tuaj në vendin tonë, libreza e punës, fotokopje e kartës së ID, certifikata e gjendjes familjare, certifikatë martese vetëm për femrat, vërtetimi i pagës bruto nga 1.01.1994, fotokopje e noterizuar së shkollës së lartë ditën vetëm për femra, vërtetim I degës ushtarake për kryerjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak vetëm për meshkujt.
– Dokumentet e mësipërme për pension dorëzohen në agjencinë e sigurimeve shoqërore dy tre muaj para plotësimit të moshës së pensionit dhe deri në 10 muaj kalendarikë pas plotësimit të moshës së pensionit dhe pagesa e pensionit fillon nga dita e lindjes të së drejtës për pension. Në rastet kur dokumentet e pensionit dorëzohen në agjencitë e sigurimeve shoqërore pas 12 muajve kalendarike pas lindjes të së drejtës për pension pleqërie pensioni paguhet nga dita e dorëzimit të dokumenteve. Sigurimet shoqërore për verifikimin, kontrollin e dokumentacionit dhe llogaritjen e pensionit i mbajnë 42- 60 ditë kalendarike. Pas kalimit të këtij afati sigurimet shoqërore janë të detyruar ta pajisin pensionistin me librezë pensioni ose t’i kthejnë dokumentet e dorëzuara duke argumentuar zyrtarisht shkaqet pse nuk u është caktuar pensioni. 
– Nëse personat nuk binden me masën e pensionit, datën e fillimit, vitet e punës të siguruara, etj sipas nenit 86 të ligjit të sigurimeve shoqërore kanë të drejtë të ankohen me shkrim sipas kësaj procedure: së pari ti bëjnë ankesë me shkrim Komisionit të Ankimit në Drejtorinë Rajonale të sigurimeve shoqërore. Ankesa e mësipërme plotësohet në agjencinë e sigurimeve shqoërore duke parashtruar pretendimet që ka emigranti ose pensionisti që banon në Shqipëri. Komisioni I mësipërm I Ankimit është I detyruar ti përgjigjet me shkrim të interesuarit brenda 30 ditëve kalendarike. Së dyti nëse pensionisti nuk bindet me përgjigjen e marrë, ka të drejtë të bëjë ankesë tjetër me shkrim Komisionit Qendror të Ankimit në Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe së fundmi t’i drejtohet Gjykatës Administrative. 
– Pensionistët që kanë punuar në institucione buxhetore e që ndërpresin marrëdhëniet e punës për shkak të daljes në pension pleqërie përfitojnë sipas vendimit të qeverisë 493 dt 06.07.2011 deri në një rrogë shpërblim. Pensionistët që kanë punuar në sektor privat dhe ndërpresin marrëdhëniet financiare për shkak se dalin në pension dhënia e shpërblimit është në kompetencë të qendrës të punës.
– Para daljes në pension sipas Kodit të Punës punonjësve u paguhet leja e zakonshme e pamarrë deri në 3 vjet. Pensionistët përfitojnë barnat mjekësore të rimbursueshme dhe shërbimin shëndetësor tek mjeku I familjes, mjekët e specialiteteve falas.
– Pensionistët që banojnë në emigracion ose në vendin tonë në fund të vitit përfitojnë shpërblime sipas vendimit të qeverisë që kanë në kompetencë. 
Sigal