Pëllumb Zaimi: Vetting-u të nisë nga Zaganjori, bashkimi i ushtarakëve mund të sabotohet

717
Dy janë problemet me të cilat po përballen tashmë ish-ushtarakët. Zgjidhja e çështjes së pensioneve në Gjykatën Kushtetuese dhe përpjekja për t’u bashkuar 
Ish-ushtarakët janë aktualisht në një betejë në Gjykatën Kushtetues e për të fituar të drejtën e pensioneve. Kjo “luftë” ka nisur një vit më parë, kur Gjykata e lartë me një vendim unifikues u hoqi të drejtën e fitimit të pensioneve shtesë, duke i hapur rrugë sigurimeve shoqërore të detyrojnë përmes vendimeve të gjykatave ushtarakët, të kthejnë një sasi të lekëve. Një tjetër debat i nisur ditët e fundit është edhe ai për bashkimin e të gjitha shoqatave të ish-ushtarakëve në një Federatë Kombëtare. Për të dyja problemet disa nga njohësit e mirë të tyre, kolonelë dhe ushtarakë të vjetër janë pesimistë. Ish-Kolonel Pëllumb Zaimi e konsideron të pashpresë përpjekjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa akuzon hapur kryetarin e Gjykatës së Lartë. Ndërsa lidhur me bashkimin e shoqatave ai shprehet, se ndonëse është pro, ka frikën e sabotimeve brenda radhëve të ish-ushtarakëve. Të njëjtin mendim me Zaimin lidhur me procesin në Gjykatën Kushtetuese ka edhe ish-ushtaraku Kadri Muka. Ky i fundit shprehet se Kushtetuesja ka detyrimin tashmë të rregullojë një gabim të bërë në vitin 2013 për ish-ushtarakët. 
Pëllumb Zaimi: Kësaj radhe nuk pres një vendim të Gjykatës Kushtetuese në favor të ushtarakëve, sepse në këtë rast Gjykata Kushtetuese e minon një vendim a kushedi se çfarë është i kobures Politiko-juridike të kreut të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ky vendim hedh në erë, mbështetjen ligjore në kushtetuese. E vutë re sesi Zaganjori doli pak më përpara, për t’i shërbyer politikës me aktin që politika po ndërmerr në vijim. Zaganjori shpalli një vendim unifikues, a nuk e di sesi quhet në gjuhën udbashe me të cilin Zaganjori flet dhe pas pak ditësh politika qeveritare goditi pensionet suplementare të ushtarakëve. Zaganjori juridik iu shërben me të njëjtin përkushtim të dy bandave politike PD dhe PS, kur vjen puna për të goditur parimin e të drejtave të fituara dhe të sigurisë juridike të ushtarakëve. Prandaj ushtarakët duhet të organizojnë një tubim para strukturës përkatëse të Vettingut, për të kërkuar fillimin e procesit të Vettingut me Zaganjorin. Shoqatat duhet t’i paraqesin strukturës së Vettingut një listë shkeljesh të rënda ligjore të kryera me frymëzimin e Zaganjorit. 

Po lidhur me bashkimin e shoqatave çfarë mendoni, a do të ketë finalizim ashtu si edhe është parashikuar?
Për sa i përket çështjes së bashkimit të shoqatave të ushtarakëve,jam i ngrohtë për qëllimin për të cilin luftojmë, por jam i ftohtë ngaqë mendoj se politika ka shumë fije për t’i përdorur disa elemente të drejtimit të shoqatave si sabotues të veprimit operacional, domethënë të realizimit të kërkesave të tyre. Më troç them se ka disa grevëthyes brenda formacioneve të bashkuara. Do të gëzohesha shumë që të mos jetë kështu, por e vërteta është se kam dyshime serioze. Mendoj gjithashtu se ky bashkim, jo vetëm është i vonuar por atij i mungon energjia e ushtarakëve të rinj të liruar në këto vite nga reformat. Ka pak pjesëtarë nga radhët e tyre në shoqata. Kanë ikur në emigracion sepse politika i la me të drejta qesharake. Nuk ka xhep ushtaraku ku politika 27-vjeçare dhe kjo e tanishme, të mos ketë futur duart për ta vjedhur. Duke mos trajtuar njerëzit e sigurisë e të mbrojtjes, politika ka marrë tipare të theksuara antikombëtare, antishqiptare dhe antiushtarake, sepse “ka vrarë frymën luftarake që duhet të ketë një mbrojtës i atdheut:. Ju them me bindje së nëse ne, nesër sulmohemi ushtria jonë ia mbathe para, sepse ushtarakut i janë vrarë e masakruar interesat që e lidhin me Atdheun. 
Sigal