Peleshi dhe Filo mashtrojnë Këshillin e Europës

953
Sigal

Historia e Korçës, e manipuluar edhe në faqen zyrtare të Bashkisë: Mosha e Pazarit të vjetër të Korçës, 150 apo 500-vjeçare?

KORÇË – Duket paksa si e çuditshme për të qenë e besueshme. Vërtet kryebashkiakët e Korçës nuk e dinë moshën e Pazarit të vjetër të Korçës, apo bëjnë sikur nuk e dinë? Përse u duhet të manipulojnë? Pazari i Korçës është më shumë se 500- vjeçar, atëherë përse ata e reduktojnë moshën e tij në vetëm 150 vjet? Çfarë të mire u sjell ky lloj mashtrimi? Të gjitha pyetjet mbeten pa përgjigje. Nuk mund të gjesh dot qoftë edhe një arsye të vetme për t’i dhënë ndonjë shpjegim. Institucionet shtetërore nuk mund të mashtrojnë. Atëherë, si është e mundur që ndodh kështu? Drejtuesit e Bashkisë kanë patur kurajën të mashtrojnë, jo vetëm opinionin qytetar të Korçës, por edhe Këshillin e Europës. Ky është vërtet një skandal i madh. Paturpësia e drejtuesve të institucioneve shqiptare shkon edhe më tej. Gënjeshtra e sajuar shkruhet edhe në faqe projektesh, pa patur asnjë drojë, me qëllimin e vetëm legjitimimin e asaj që nuk është aspak e vërtetë. Mashtrimin në fjalë e kemi evidentuar te një projekt që flet për restaurimin e Pazarit të Korçës, i hartuar në kuadër të Komisionit Europian në bashkëpunim me Bankën e Këshillit të Evropës. Në këtë projekt zinxhiri i mashtrimit shkon varg dhe merr përmasat e një skandali të frikshëm.

 Projekti i Pazarit të Korçës

Projekti i Pazarit të Korçës është vërtet madhor. Në të përfshihen projekte integruese të rehabilitimit dhe plan-analizat e trashëgimisë arkitekturore dhe arkeologjike, (IRPP/SAAH), të këtij Pazari. Ai është një projekt i përbashkët i BE/KiE për Europën Juglindore. Duke qenë një projekt i tillë, kaq i rëndësishëm, ai kërkonte doemos edhe vëmendjen, kujdesin dhe ndihmën e pushtetit vendor. Por, nëse duhej të ndodhte kështu, në realitet ka ndodhur e kundërta. Drejtuesit e Bashkisë së Korçës kanë manipuluar me të vërtetat. Pazarit të Korçës i janë zbritur nga jeta e tij, së paku, 350 vjet. Nëse do të kishte ndodhur e kundërta, (rritja e moshës së tregut), atëherë kjo gjë mund të merrej si një dëshirë pozitive e njerëzve të bashkisë, (edhe pse kjo gjë mund të konsiderohej si një punë kalamajsh), por e kundërta, (mohimi i viteve të Pazarit), flet për një ndjesi negative që nuk mund ta dimë nga buron dhe pse. Ne do të përpiqemi ta analizojmë dhe në fund të këtij shkrimi shpresojmë të kemi një përgjigje. Ndoshta me uljen e moshës së Pazarit është synuar të barabitet mosha e “Kasabasë”, (qytetit të Korçës), ku jetonin myslimanët me moshën e lagjeve të “Varoshit”, me atë të fshatit Peskëpi, ku jetonin ortodoksët, lagjet e të cilit nisën të merrnin jetë aty nga viti 1897, kur Korça u bë bashki. Pra, nëse është menduar kështu, synimi nuk ka qenë gjë tjetër veçse një përpjekje donkishoteske me mullinjtë e erës, pasi faktet historike nuk mund të fshihen kaq lehtë. Ne do t’i rendisim ato më poshtë njëra pas tjetrës.

Hartuesit e projektit

Projekti i rehabilitimit të Pazarit të Korçës është përgatitur nga ekspertët vendorë z. Bashkim Penxha dhe znj. Shpresa Prifti dhe është kryesuar nga znj. Kozeta Hoxha. Grupi i ekspertëve ka patur këtë përbërje: udhëheqës Dr. John Bold ( United Kingdom ), ekspertët: z. Martin Cherry ( United Kingdom ), Mr.David Johnson ( United Kingdom ), z. Friedrich Lüth (Gjermani) dhe z. Alkis Prepis (Greqi). Por, sigurisht, grupi i ekspertëve kishte për detyrë të shihte në vend gjendjen reale të tregut, të bënte vlerësime, llogaritje, analiza arkitektonike dhe arkeologjike, por nuk mund të kishte kurrsesi për detyrë historikun e Pazarit të Korçës; kur dhe si kishte lindur ai. Një ndihmesë e tillë duhej të ofrohej nga bashkia e Korçës dhe institucionet e tjera shqiptare, të cilat kanë qenë të përfshira në këtë projekt të madh. Nga projekti në fjalë mësojmë gjithashtu se vlerësimi paraprak teknik është miratuar nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë më 12 shtator 2006 dhe është rishikuar në korrik 2008, me qëllimin për të pasqyruar “Kriteret e Ljubljanës”. Më poshtë do të shohim gjithashtu sesi asnjë prej institucioneve shtetërore, (jo vetëm ato të pushtetit vendor, por edhe ato në qendër) nuk e vënë re që mosha e Pazarit të Korçës është e falsifikuar. Kjo gjë flet qartë për papërgjegjshmëri të institucioneve.

 Mosha e falsifikuar e Pazarit

Në projektin e përmendur më sipër thuhet: “Pazari i Korçës është një ansambël i tregtimit, artizanatit dhe banimit, me ndërtesa urbane-arkitekturale dhe vlera artistike, por, gjithashtu, gjatë leximit të tij, marrim edhe një informacion tjetër, tejet të falsifikuar, ku shkruhet se “Pazari i Korçës daton në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20”. Falsifikim më të pastër, më dashakeq, dhe më skandaloz nuk mund të gjesh dot askund. Pra, sipas këtij datimi, i bie që Pazari të jetë themeluar në kapërcyell të dy shekujve, gjë që do të thotë se mosha e Pazarit mund të jetë nga 150 deri në 100 vjet, por jo më shumë se kaq. Kjo tentativë të krijon idenë sikur autorët e falsifikimit kanë patur në mendjen e tyre si datë të krijimit të Pazarit të Korçës, vitin 1897; është viti kur Korça bëhet bashki. Gjithashtu, ky vit shënon rritjen dhe zgjerimin e lagjeve të “Varoshit” në fshatin Peskëpi, ku jetonin ortodoksët. Atëherë, mos vallë tentohet të barabitin “Kasabanë”, (qytetin 500- vjeçar të Korçës), ku jetonin myslimanët, me lagjet e ‘Varoshit’ të fshatit Peskëpi, ku jetonin ortodoksët, i cili ka moshën e 150 viteve? Mundet të jetë edhe kështu, por realizimi i qëllimit të tyre mbetet i pamundur. Historia nuk mund të shtrembërohet dot nga kryebashkiakët e Korçës. Vetëm ta mendosh është absurde. Për më keq akoma, ata tentojnë të mashtrojnë edhe institucionet e Bashkimit Europian.

 E vërteta e datëlindjes së Pazarit

E vërteta e moshës së Pazarit është krejt ndryshe. Pazari i Korçës është 500-vjeçar dhe këtë gjë nuk mund ta vërë në dyshim askush. Në një dokument mjaft të rëndësishëm thuhet se tregtarët voskopojarë i mësuan zanatet e tyre në Pazarin e Korçës. Këtë të vërtetë e sjell edhe Pirro Thomo në librin e tij “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, ku konkretisht shkruan: “Nga dokumentet e vitit 1762 mësojmë se banorët e Voskopojës kanë shkuar te mjeshtrit e kazasë së Korçës, kanë punuar dhe mësuar zejet e rrobaqepësisë, këpucarisë dhe të farkëtarisë”, pra, shpjegon Thomo, “duket qartë se në atë kohë zejet në këtë qytet ishin në lulëzim, përderisa banorët e Voskopojës, e cila kishte arritur një nivel të lartë si qendër e rëndësishme tregtare e kulturore, vinin këtu dhe mësonin zanat”. Edhe sikur të merrnim si datëlindje të Pazarit vitin 1762, sot Pazari i Korçës do të ishte më shumë se 350 vjet dhe jo 150 siç pretendojnë kryebashkiakët e Korçës. E, megjithatë, fakte të tjera ekzistojnë. Është sërish Studiuesi Pirro Thomo që te libri i tij “Korça, urbanistika dhe arkitektura”, thotë: “Nga një dokument i viteve 1647-1648, mësojmë se tregtarët elbasanas për të shkuar në Venedik në kohën e luftës Veneto-Turke (1644-1669), kur siç duket porti i Durrësit ishte i mbyllur, ndiqnin rrugën shumë të gjatë Elbasan – Korçë – Sajadhë – Korfuz – Venedik. Gjatë rrugës në tregun e Korçës ata blinin prodhime blegtorale (lëkurë, dyllë) prodhime zejtarie (mutafe, litarë, hararë) dhe shisnin prodhime manifakture (stofa e letër) të sjella nga Venediku”. Vetëm nga ky përshkrim historik që flet për vitet 1644-1669, kuptojmë se Pazari ka qenë një treg i rëndësishëm që nga viti 1600 dhe nëse do ta merrnim këtë vit, (1600), si datëlindjen e tij, atëherë Pazari i Korçës sot do të ishte 400 vjet dhe jo 150, siç pretendojnë kryebashkiakët e Korçës. E, megjithatë, Pazari i Korçës është 500 vjet

 Pazari nisi me ndërtimin e Xhamisë

Por e vërteta është se Pazari i Korçës është 500 vjet e pak më shumë. Ndërtimi i Pazarit nisi me ndërtimin e xhamisë së madhe që nga viti 1486. Ky fakt është i pamohueshëm, pasi Pazari përmendet edhe tek testamenti i themeluesit të Korçës, Iliaz bej Mirahori, ku midis të tjerash thuhet: “Ngriti dhe ndërtoi në katundin e përmendur më sipër (Gjorixhë- Korçë), një imaret të shenjtë e të hijshëm me të gjitha lokalet e nevojshme, kuzhinë, depo, han e të tjera dhe i caktoi si vakuf për gjithë ata që shkojnë e vijnë etj. dhe e pajisi këtë imaret me të gjitha mjetet, enët e komoditetet e nevojshme, pak a shumë qofshin …”. Pra, hani i parë është ndërtuar që në vitin 1500. Në testament përmenden edhe tavëhanet. Që nga vit 1496, kur përfundoi ndërtimi i xhamisë e në vijim, Pazari nuk reshti së zgjeruari, madje një nga porositë e themeluesit të Korçës, Iljaz bej Mirahori, që në të gjallë të tij ishte: Për fshatarët që vinin nga vendlindja e tij (Panariti) të kishin lehtësira në pagesën e ushqimit për kafshët dhe fjetjen në han. Pra, faktet tregojnë se dikush ka qenë dhe mbetet i interesuar edhe sot e kësaj dite të mohojë hershmërinë e Pazarit të Korçës. Ju do të çuditeni nëse u themi se ndërsa ishim duke kërkuar të vërteten e këtij falsifikimi, gjetëm të falsifikuar edhe historinë e qytetit të Korçës. Ku? – do të pyesni ju. Përgjigja: Në faqen zyrtare të Bashkisë. Në vijim do ta sjellim të plotë.

z. Friedrich Lüth

Shtrirja e Pazarit

Gjithnjë sipas planit të hartuar, në kuadër të Komisionit Europian/ Këshilli i Europës, mësojmë: “Kompleksi i ndërtesave në Pazarin e Korçës është një dëshmi për ekzistencën e mjeshtërive dhe tregtarëve, të cilët në atë kohë patën një ndikim të thellë në jetën ekonomike dhe sociale të qytetit. Sipërfaqja e përgjithshme e ansamblit të Pazarit është rreth 20.000 m². Sipërfaqja e përgjithshme e 138 shitoreve është 5.186 m2, bujtinat 2.154 m² dhe sipërfaqja e rrugëve dhe shesheve 12.660 m²”. Në vijim të këtij përshkrimi që i bëhet Pazarit të Korçës theksohet edhe një fakt tjetër: “Mungesa e fondeve deri më tani për mirëmbajtjen ka shkaktuar probleme të shumta. Për këtë arsye restaurimi tashmë është një domosdoshmëri urgjente”, thuhet në faqet e këtij projekti. Investimet për restaurimin e tij kanë qenë të pakta. Në vitin 2006 ishte investuar një fond prej 16.000 euro për restaurimin e “Hanit të Gjelit” dhe po kaq, ( 16.000 euro), në vitin 2008 për restaurimin e pjesëve të ndryshme të Çarshisë dhe “Hanit të Gjelit”. Në vitin 2009 pritej të investoheshin 40.000 euro nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, por aktualisht nuk kemi ndonjë informacion që këto fonde të jenë investuar. Vetë hartuesit e projektit vënë në dukje se “tërësia e ansamblit të Pazarit ka nevojë për një sasi shumë më të madhe fondesh. Disa fonde që janë dhënë nga Bashkia e Korçës për rrugica guri, shprehen ata, janë absolutisht të pamjaftueshme”. Pra, vini re, nëse të gjitha rrugët e lagjeve të “Varoshit”, të cilat nuk janë më shumë se 150 vjet, u shtruan me kalldrëm për të cilat u investuan miliarda lekë, për rrugët dhe rrugicat e Pazarit 500-vjeçar, fondet, siç theksohet nga hartuesit e projektit, “kanë qenë absolutisht të pamjaftueshme”. Pra, e gjitha kjo, do të thotë se edhe falsifikimi i datëlindjes së Pazarit ka synuar mohimin e vlerave të tij historike për të justifikuar fondet e pakta për investime.

 Fazat e restaurimit

Projekti i hartuar në kuadër të Komisionit Europian/ Këshilli i Europës, na bën me dije se rehabilitimi i Pazarit është parashikuar të kryhet në tri faza: Faza e parë, (faza emergjente) – rindërtimi i çative, parashikonte restaurimin e të gjitha çative të Pazarit, duke konsoliduar ndërtimet e vjetra me lëndë druri dhe duke zëvendësuar pllakat e dëmtuara, të cilat duhet të jenë të të njëjtit material dhe të të njëjtit stil, ashtu siç kanë qenë që në krye të herës. Gjatë kësaj faze do të bëhej e domosdoshme mbrojta e Pazarit nga shkatërrimi i mëtejshëm i tij nga kushtet e motit. Gjithashtu, do të kryhej studimi gjeologjik (topografi) dhe studimi arkeologjik, por ajo që nuk u realizua asnjëherë ishte mbrojta e Pazarit nga shkatërrimi i mëtejshëm. Ai u la në mëshirë ta fatit. Pse ndodhi kështu?! Do të përpiqemi të shkojmë drejt shpjegimit

 Dy fazat e tjera të restaurimit 

Faza e dytë, (faza e zgjidhjes së infrastrukturës), sipas hartuesve, ka rëndësi të madhe, sepse krijon mundësi për funksionimin normal të Pazarit, pasi do të bënte të mundur instalimi i kanaleve (tubove) të ujit dhe kanaleve të ujërave të zeza, instalimet elektrike (furnizimin me energji elektrike,vendosjen e linjave telefonike, të internetit, të videove të kontrollit etj), instalimin e makinerive (të ngrohjes dhe të gazit nëse do të ishte e mundur). Tashmë, vini re me kujdes: Gjatë fazës së dytë do t’i kushtohej rëndësi gjetjes së gjurmëve më të hershme arkeologjike të krijimit të Pazarit dhe Çarshisë, por deri më sot nuk është bërë asgjë, qoftë edhe për të korrigjuar datëlindjen e Pazarit të Korçës nga 150 vjet në 500 vjet, aq sa ç’është mosha e tij reale. Të gjithë bëjnë sikur nuk e vënë re falsifikimin. E habitshme! Gjithë drejtuesve të Bashkisë, datëlindja e Pazarit në kapërcyell të dy shekujve (19 dhe 20) u duket si një e vërtetë e padiskutueshme. Për këtë arsye do të na duhet ta shpjegojmë hap pas hapi deri në fund. Gjithsesi, vijojmë më tej: Faza e tretë (faza e rehabilitimit), përfshin punën për rehabilitimin e përgjithshëm të të gjithë Pazarit të Korçës. Për realizimin e të tri fazave projekti parashikon një fond prej më shumë se 20 milionë euro, ku përfshihen: a) Blloku i Pazarit që është i vendosur në krahun e djathtë të hyrjes Pazarit. b) Blloku qendror i Pazarit, që rrethohet nga dy rrugë, ose pjesa e përparme e Pazarit. c) Blloku i Pazarit që është i vendosur në fund të ansamblit, i ndarë nga dy anët me rrugë, por duke përfshirë dhe rrugët dhe sheshet. Pazari duhet të ruajë formën e vet origjinale dhe funksionin, vë në dukje projekti në fjalë, me mundësinë e mëtejshme për të përfshirë zyra, dyqane, hotele, muze, agjenci udhëtimi etj.. Pra, të gjitha këto tregojnë sa i rëndësishëm është Pazari i Korçës, ç’vlera të pallogaritshme mbart në vetvete ai, ç’risi do të sjellë në favor të turizmit dhe në lëvizjet turistike. E, megjithatë, edhe pse është kështu, Pazari i Korçës lihet pas dore dhe mohohen vlerat reale të tij.

 Çudia

Çudia bëhet edhe më e madhe, kur nga vetë projekti mësojmë se organet përgjegjëse për rehabilitimin e Pazarit të Korçës ishin dhe janë: Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Instituti i Monumenteve të Kulturës “Gani Strazimiri” (IMK), Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Korçë (DRKK) dhe Bashkia e Korçës. Dhe sërish askush prej drejtuesve të tyre nuk vë re që mosha e Pazarit është e pasaktë

 Pazari, në mëshirë të fatit

Gjithnjë sipas projektit në fjalë, “gjendja aktuale e Pazarit është shumë e keqe. Çatitë muret, tavanet, dyshemetë dhe elementet arkitektonike, dyer, dritare shkallë, dekorime etj. janë të përkeqësuara. Mungesa e mirëmbajtjes është arsyeja kryesore e përkeqësimit të përgjithshëm të ansamblit. Përkeqësimi është shkaktuar si nga faktorë të klimatikë dhe njerëzore”, thuhet në projekt. Sot, 100 dyqane janë ruajtur, por në kushte të dobëta, edhe pse ansambli i Pazarit është monument kulture i kategorisë së parë që nga viti 1973. Sipërfaqja e dyqaneve të Çarshisë merr 11.000 m², ndërsa ka 18 blloqe të dyqaneve, ndarë në bazë të artizanatit. Katet e para janë përdorur për të ekspozuar dhe shitur mallra, ndërsa katet e dyta janë përdorur si depo ose si zyra. Ka 8 bujtina (hane) të mbetur – një dëshmi që flet për numrin e madh të klientëve. Ato (hanet) janë të rrethuar me një oborr të brendshëm të hapur. Kati i parë është përdorur ose si depo, ose si strehimore për kuajt, ndërsa kati i dytë ka një korridor të hapur në oborr në pjesën e përparme dhe ambientet për të fjetur. Guri është përdorur për katet e para dhe tulla për katet e sipërme. Dyert dhe dritaret janë bërë prej druri, ndërsa strehimoret me mbrojtëse prej metali, të cilat mbulojnë në veçanti dyert e dyqaneve. Pra, gjithkush mund të kuptojë vlerat e mëdha e të pazëvendësueshme të Pazarit të Korçës, por, që çuditërisht nuk ka patur vlerësimin e duhur.

 180 familjet rome

Gjithashtu nga projekti i mësipërm mësojmë se pronarët e dyqaneve kanë qenë gjithnjë të gatshëm për përmirësimin e cilësisë së produkteve të ofruara dhe të akomodimit, si dhe për realizimin e një menaxhimi më të mirë. Projekti i propozuar parashikon që 40 % të kostos së rehabilitimit të një ndërtese duhet të paguhet nga pronari dhe 60 % nga sektori publik, por, nëse kjo do të ishte e mundur për dyqanet me pronarë, në të njëjtën kohë do të ishte e vështirë për banorët, po të kemi parasysh të ardhurat e tyre të ulëta. Veç kësaj, në Pazarin e Korçës ka një numër familjesh rome që banojnë brenda dhe rreth ndërtesave të Pazarit, për këtë arsye, sipas një projekti të Bashkisë Korçë, mbështetur nga Banka e Këshillit te Europës, duhej që në fund të prillit 2008 të ndërtonte 100 apartamente për këto familje dhe 80 të tjera më pas, por, edhe këto dy projekte nuk janë realizuar as sot e kësaj dite, gjë që do të thotë se rehabilitimi i Pazarit do të zvarritet pafundësisht. Që të gjitha këto të lenë të trishtuar kur mendon se pas restaurimit të bujtinave do të bëheshin të gjitha përpjekjet për riprodhimin e atmosferës origjinale të kohëve të vjetra, gjë që do t’i jepte turizmit një nxitje të madhe. Dhe, nëse deri më sot, është bërë shumë pak për rehabilitimin e Pazarit, nuk është ndaluar as dora e shkatërrimit të këtij tregu. Vetë ish-kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi, transformoi një han të vjetër në një dyqan modern të mbuluar me xham, duke nënshkruar kështu me dorën e tij shkatërrimin e vlerave historike. Lidhur me këtë akt të papërgjegjshëm, hartuesit e projektit porosisin: Ndërtime të tilla duhet të shmangen dhe çdo ndërhyrje të jetë nën kontroll të rreptë. Gjithsesi, tashmë jemi afër shpjegimit pse datëlindja e Pazarit është e falsifikuar,Çarshia

Njësitë kryesore të Çarshisë janë katrore, dyqane tregtimi, lokale, ndërtesa banimi dhe bujtina. Siç e kemi thënë edhe më sipër, ka 138 dyqane në 18 blloqe. Blloqet e dyqaneve janë të ndara sipas llojit të zanateve, ku vetëm një bllok përbëhet nga 27 dyqane. Në katet e sipërme tavanet e shtëpitë janë të pasura me elemente arkitektonike dekorative, me gëlqere dhe motive neo-klasike. Motivet janë gjetur në korniza, pilastër, gurë të gdhendur, balusters i hekurt i ballkoneve, etj.. “Kanë qenë 18 bujtina, thuhet në projekt, por sipas të gjitha gjasave numri i tyre duhet të ketë qenë shumë më i madh se kaq. Megjithatë, ne po rendisim 18 hanet që mbahen mend deri vonë: 1. Hani i Shuleve, 2. Hotel “Misiri”, 3. Hani i Kafesë, 4. Hani i Zallit ose i Devollinjve, 5. Hani i Elbasanit, 6. Hani i Manastirit, 7. Hani i Trebickallinjve, 8. Hani i Voskopojarëve, 9. Hani i Gjelit, 10. Hani i Vithkuqarëve, 11. Hani i Baba Aliut, 12. Hani i Kiços, 13. Hani i Kadillijve, 14. Hani i Peshkut, 15. Hani me dy porta, ose hani i avokatit Belul Lytfiut, ose hotel “Durrësi”. 16. Hani i Alo beut (Dishnices). 17. Hani i Orhan Pojanit. 18. Hani i Zeqirajve. Nga të gjitha këto bujtina, vetëm 4 prej tyre janë të ruajtur, ndërsa një është shkatërruar plotësisht, kurse një tjetër u transformua në dyqan modern nga vetë ish-kryetari i Bashkisë Niko Peleshi, siç e shpjeguam edhe më sipër. Numri i madh i bujtinave është një dëshmi e numrit të madh të klientëve që ka patur Çarshia. Bujtinat ishin ndërtuar afër shesheve tregtare apo dhe në rrugët kryesore. Ato zakonisht krijonin një mur, qendra e së cilës ishte e zënë nga një oborr i gjerë. Megjithatë na duhet të theksojmë se ansambli i Pazarit është unik nga ana urbane dhe ka një strukturë kompakte dhe shumë të mirë të rregullt gjeometrike. Ai ka një sistem të drejtë të rrugëve dhe të dyqaneve, të cilët janë të grupuara sipas zanateve. Tashmë do të japim shpjegimin e falsifikimit të datëlindjes së Pazarit të Korçës.

 Në faqen zyrtare të Bashkisë

Duke u përpjekur të gjenim një shpjegim për moshën e Pazarit të Korçës, na u desh të kërkonim mjaft në materiale të shkruara dhe në internet. Së fundi, konsultuam edhe faqen zyrtare të Bashkisë. Ja çfarë thuhet atje, ku flet për “lagjet e vjetra” të Korçës: “Gjenden në lindje të qytetit, mbrapa kishës “Ringjallja e Krishtit”, në hyrje të bulevardit “Republika” dhe atij “Shën Gjergji”. Pra, artikullshkruesi harron të thotë se qyteti i Korçës ishte “Kasabaja” dhe shtrihej në perëndim të Korçës së sotme, ndërsa në lindje nuk shtrihej qyteti, siç pretendohet në faqen zyrtare të Bashkisë, por fshati Peskëpi. Të jetë thjesht një lajthitje? Nuk e dimë. Artikullshkruesi vijon: “Në përgjithësi, shtëpitë e vjetra janë të mirëmbajtura dhe e meritojnë të vizitohen. Në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të XX me pasurimin e borgjezisë, kontrasti në mes të zonës së vjetër të qytetit, që shtrihej në lagjet Penço e Manço (zonat mbi monumentin e Luftëtarit Kombëtar) u bë mjaft i dukshëm…”. Dhe sërish shkruesi i këtij materiali përpiqet të falsifikojë historinë e Korçës. Zotëria përmend si zonë të vjetër të qytetit lagjen Penço, por ndoshta ai nuk e di që kjo lagje deri në vitin 1860 nuk ka ekzistuar. I themi atij që mund të konsultohet me gazetën “Adriatiku” të datës 9 shkurt 1917, ku flet për lagjet e vjetra të Korçës dhe aty do të mësojë bukur e mirë që as lagjet në hyrje të bulevardit “Republika” më të majtë të saj dhe as ato të “Shën Gjergjit”, nuk kanë ekzistuar para viteve 1860. Qyteti i vjetër i Korçës ishte “Kasabaja”, ndërsa fshati Peskëpi do t’i bashkohej realisht Korçës pas 400 vjetësh, kur nisi të krijohej Pazari i lagjeve të Varoshit, diku aty te sheshi i teatrit “Çajupi”. Megjithatë, faqja zyrtare e Bashkisë tregon qartë tentativën për falsifikimin e historisë së qytetit të vjetër të Korçës. Kjo i shpjegon të gjitha, edhe mohimin e vlerave të Pazarit të vjetër të Korçës.

Nga Vepror Hasani