“Pedagogia na ofron cigare hashashi edhe falas”

1133
Sigal

Lindita MALO

Rrëfimi rrëqethës i studentes/ Futja e hashashit në universitetet e vendit, po pasohet nga futja e saj edhe në shkollat e mesme

Hashashi duket se ka prodhimtari të madhe dhe vlera e tij ka rënë disi, derisa një pedagoge në Universitetin e Elbasanit, u ofron studentëve cigare “bar” edhe falas. Një dëshmi sa rrëqethëse aq edhe e turpshme e një studenteje nga ky qytet, tregon se ku ka degjeneruar sistemi universitar në këtë vend, se ku ka arritur shthurja edhe nga vetë disa pedagogë që kanë nisur të kthehen edhe në shitës të hashashit. Para disa ditësh një studente nga Elbasani i tha “Telegraf”, se “kemi gjetur belanë me një pedagoge, e cila pavarësisht se është e paaftë, pavarësisht se është konfliktuale me të gjithë si kolegë ashtu edhe studentët e saj, së fundi ka nisur të na joshë edhe me cigare hashashi. Një ngjarje e tillë (dhe nuk mbetet e vetmja) ka ndodhur në një nga ditët e javës së shkuar kur, si zakonisht kemi festuar një ditëlindje, dhe gjatë saj kjo pedagoge, na ka ofruar cigare hashashi, duke na thënë se “tani do t’ju qeras falas me diçka të veçantë, besoj se do t’ju pëlqejë, sepse pëlqehet nga të rinjtë, mos e merrni me frikë kush e ka për herën e parë”, dhe nxjerr një paketë të zakonshme “Marlboro”, e cila kishte brenda jo cigare të asaj marke, por cigare të bëra hollë, ndërkohë që nisi ta tymoste e para vetë, pastaj duke ia kaluar edhe dy shoqeve të mia”. Duke vazhduar rrëfimin e saj studentja tha se “fillimisht u shokuam, dhe menduam se ishin cigare të zakonshme, por konstatova se, nuk ishte hera e parë që ajo pedagoge e shkrehur, e bënte me nja dy vajza që janë bashkë me mua, gjithçka u konsiderua si diçka normale, por unë për veten time u tmerrova”. Studentja nga Elbasani tha, se “kisha dëgjuar fjalë për atë pedagoge, edhe më parë, ndaj qysh nga ai moment u largova nga tavolina ku ndodhej ajo, që kishte grumbulluar rreth vetes disa vajza dhe djem, me të cilët nuk e di çfarë ndodhi, sepse pas 10 minutash ika nga festa drejt e në banesë”. Vajza tha, se “unë e di, se ka shumë raste që kjo gjë ndodh të paktën jashtë mureve të universitetit, nga persona të jashtëm, por të ndodhte nga një pedagoge nuk do ta besoja, gjithçka ua kam treguar prindërve dhe përgjigja e tyre ishte e prerë “mbylle gojën, sepse e pëson, ajo mund të hakmerret me provimet dhe na gjen belaja pastaj”. Dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe, pasi edhe kur janë denoncuar raste të tilla, ka pasur incidente mes të rinjve apo edhe dhunë psikologjike dhe fizike ndaj atyre që janë ankuar dhe denoncuar raste të tilla, duke i ngelur në provime disa herë. Ky rrëfim rrëqethës vjen nga një vajzë studente, e cila aktualisht është në vitin e fundit, por tregon në dritën e diellit, se ku ka arritur të futet hashashi, se ku kanë arritur të rekrutojnë deri pedagoge të universiteteve, ata që e kultivojnë dhe trafikojnë hashashin. Burime nga Antidroga e Elbasanit thanë, se “kemi pasur raste denoncimesh, por jemi në fazën e evidentimeve, për rastin konkret nuk kemi denoncim, vajza le të raportojë rastin tek Rektorati dhe tek organet kompetente, që ta ndjekim ne.” Por e keqja më e madhe qëndron në faktin se, edhe kur ka pasur raste denoncimesh, ato ose janë dekonspiruar, ose janë trajtuar si raste të “mbyllura për mungesë provash”. Futja e hashashit në universitetet e vendit, po pasohet nga futja e saj edhe në shkollat e mesme dhe, pse jo edhe në klasat e larta të shkollave 9 vjeçare. Ky fenomen , duket se po degradon gjithçka të bukur që ofron jeta për të rinjtë, për studentët dhe nxënësit, të cilët prindërit i nisin nga shtëpia me mendimin dhe besimin për të mësuar, për t’u formuar dhe shkolluar në institucionet e dijes. Ky ndoshta mbetet një rast i veçuar për momentin, por jo i fundit, sepse raportohet mbi një situatë alarmante e shqetëson pothuajse çdo ditë personelin e fakulteteve apo shkollave dhe prindërit e nxënësve. Raportimet nga disa shkolla të larta të vendit dhe shkolla të mesme, thonë se “stafet nuk janë të fuqishëm të ndalin tymosjen e hashashit ”, ndërkohë që duhet të besojmë, se kaq të pafuqishëm janë edhe në rastet kur një pedagoge del hapur dhe u “fal” studenteve cigare të tilla jashtë mureve të institucionit”. Mësohet se denoncime ka pasur edhe për ata që janë kthyer në kodoshë të drogës dhe, që fatkeqësisht, quhen “pedagogë”, por që deri sot asnjë prej tyre nuk është ndjekur penalisht.