Pedagogët kanë dorëzuar notat e provimeve të studentëve, por ato… zhduken nga regjistri!

964
Skandal tjetër i turpshëm ka shpërthyer këto ditë dhe është ende në veprim në universitetet shtetërore shqiptare, ku bëhet batërdia me çdo lloj abuzimi. Siç dihet, universitetet shtetërore janë kthyer prej vitesh në “çerdhe” nepotike, korrupsioni e industri analfabetizmi me produkt falsitetin në diplomime dhe nota mesatare të shkollës së lartë. Por një skandal me përmasa të paimagjinueshme është shpikur, organizuar e po realizohet në universitet. Studentë të shumtë, kanë denoncuar faktin e rëndë e të turpshëm me përmbajtje të plotë “krim administrativ shtetëror në arsim”, lidhur me provimet dhe notat që ata kanë fituar në provimet e sezonit aktual. Sipas informacioneve që kanë ardhur në redaksi nga universitete e fakultete të shumta të universitetit shtetëror, studentët po përballen këto ditë me një abuzim që bie “erë e qelbur” korrupsioni, falsifikimi, fiktiviteti e abuzimi me notat e provimeve që kanë dhënë studentët në këtë sezon. Konkretisht, ka ndodhur e po ndodh kështu: Studentët në fakultetet e universiteteve në Tiranë, kanë dhënë provimet e sezonit, duke iu nënshtruar gjithë procesit të regjistrimit e deri tek vlerësimi faktik që u është bërë testeve të tyre prej komisioneve të përbërë nga pedagogë të lëndëve përkatëse. 

Pas përfundimit të provimeve, studentët kanë kërkuar të njihen me notat që kanë fituar në provimet me shkrim e me gojë, duke paraqitur edhe librezat e notave për të shënuar notat, siç është rregulli dhe detyrimi ligjor në sistemin universitar, ku pas çdo provimi studentit i shënohet nota me emër e firmë nga anëtarët e komisionit të provimit. Kjo nuk ka ndodhur, mbasi pedagogët pas çdo provimi me shkrim, madje edhe vetëm me gojë, nuk deklarojnë e nuk regjistrojnë notat në librezat e studentëve. Por me atë prepotencën e tyre prej “agallarësh” pas çdo provimi të çdo lënde, i dorëzojnë procesverbalet e provimeve në sekretaritë e fakulteteve përkatës, madje jo në momentin që kanë korrigjuar testet, por edhe disa ditë me vonesë, duke lënë në ankth e duke vërdallisur e stresuar studentët, ndoshta me vonesat e qëllimta, për të përdorur notat si biznes fitim-prurës (siç thonë studentët). Të gjendur përballë kësaj parregullsie të pedagogëve dhe indiferencës së drejtuesve të fakulteteve e universiteteve që e dinë mirë këtë shkelje procedure, studentët vërsulen e dynden nëpër sekretaritë e fakulteteve, ose rendin pas pedagogëve për t’u njohur me notat e provimeve që kanë dhënë, Sipas rregullit, pas çdo provimi të testuar me gojë e të korrigjuar me shkrim, pedagogët kanë detyrim t’u deklarojnë notën studentëve. Një tjetër detyrim institucional e kanë edhe sekretaritë, të cilat kanë detyrë të publikojnë notat e provimeve të çdo lënde, duke i afishuar notat në mjediset e fakulteteve. Kjo nuk ka ndodhur as në këtë sezon provimesh në universitetin shtetëror në Tiranë.

 Studentët kanë shkuar të njihen me notat që kanë fituar në provimet që kanë dhënë, por janë shtangur kur janë gjendur përballë deklarimeve të sekretarive, se “notat e provimeve janë zhdukur”. Sekretaret janë justifikuar se “kjo zhdukje ka ndodhur mbasi sistemi nuk i ka mbajtur në ruajtje në regjistrin elektronik”. Duke e konsideruar si “përtesë” të sekretareve të fakulteteve (që ndodh shpesh), studentët kanë kërkuar në faqet zyrtare të fakulteteve (Database), por as aty nuk i kanë gjetur dot notat e provimeve që kanë dhënë! Të alarmuar, ata i janë drejtuar me mesazhe drejtuesve të fakulteteve dhe Rektoratit të UT. Por edhe prej andej, kanë marrë të njëjtën përgjigje: “Notat janë zhdukur për shkak se sistemi nuk e ka përballuar dot volumin e madh të lëndëve e të emrave të studentëve që kanë dhënë provim”. Sikur të mos ketë ndodhur asgjë, ose më saktë sikur të ketë humbur një biletë urbani, drejtuesit e fakulteteve dhe të rektoratit të UT, u kanë dhënë studentëve si zgjedhje të etem këtë kusht të detyrueshëm: Të përsëritet provimet për lëndët që u janë zhdukur notat, ndryshe studentët që nuk pranojnë quhen sikur nuk janë futur në provim”! Nga investigimi që bëri gazeta “Telegraf” lidhur me këtë skandal, “gjurmët” na çojën tek një krim shtetëror në universitete, që ka lidhje me falsifikimin e të dhënave të regjistrit të notave dhe emrave të studentëve. konkretisht, rezulton se ka zhdukje notash të provimeve të studentëve që janë futur në provim.

 Kjo është bërë me qëllimin për të mbushur regjistrat me nota që u vihen individëve që ndodhen jashtë Shqipërisë të janë regjistruar si studentë nëpër fakultete e degë të ndryshme universitare, por që nuk paraqiten në provime. Sipas informacioneve, mendohet se ky cikël i mbyllur krimi me zhdukjen e notave të atyre që japin provime realisht, me falsitetin e notave të provimeve dhe pajisja me nota e atyre që nuk e dinë se ku është dera e fakultetit e se cili është pedagogu i lëndës, realizohet në bashkëveprim midis sekretarive të fakulteteve dhe sekretarisë së rektoratit universitar. ndryshe nuk ka si ndodh, që ky krim miratohet dhe drejtuesit u kërkojnë studentëve të përsërisin provimin, për një provim që e kanë dhënë e janë vlerësuar! Pyetja shtohet: “Mirë të dhënat që u zhdukën nga Database nga ngarkesa”, po procesverbalet e provimeve që kanë dhënë studentët e që janë dorëzuar me shkrim e me vulë nga pedagogët e lëndëve, ku janë?! Pikërisht këtu mendojmë se duhet të nis urgjent një hetim nga sektori i anti-krimit ekonomik dhe nga prokuroria, për të zbardhur këtë skandal të rëndë që ka ndodhur edhe më parë në universitetin shtetëror.
Sigal