Pedagogët: Do të kopjosh, më jep 500 euro

605
Sigal

Nga Maksim TUFA


Duket se nuk ndalen aferat korruptive, edhe pse dikasteret mundohen të paralajmërojnë, apo edhe të marrin gjoja masa, ndaj atyre që rëndom abuzojnë me detyrën edhe në rrethe. Edhe ky vit ka sjellë anomalitë e veta edhe në provimet e maturës shtetërore pothuajse në të gjitha shkollat e mesme të vendit. Pas skandalit me “publikimin e testit të matematikës” në Librazhd, duket se një tjetër hije skandali ka dalë dhe po qarkullon në rrethet e arsimtarëve, kësaj radhe në Elbasan dhe disa rrethe të tjera të vendit. Burime të besueshme nga disa protagonistë të provimeve të maturës në qarkun e Elbasanit i thanë “Telegraf” se “në dy provimet e para të maturës shtetërore në shkollat e mesme, ka plasur biznesi, i cili kishte vetëm një kusht, “të lë të kopjosh, por dua 500 euro”. Ky biznes i turpshëm është bërë në provimin e gjuhës së huaj, dhe atë të matematikës, dhe duket se ka funksionuar mirë. Në lojë janë mësues dhe prindër, por nuk kanë munguar edhe “të deleguarit” e MAS, mësues fshatrash, njerëz të lodhur ekonomikisht. Edhe ata kanë patur pjesën e kontributit të tyre dhe nuk kanë mbetur pa dorovitur. Të njëjtat burime deklaruan se “janë korruptuar mësues dhe të deleguarit e MAS në disa shkolla të mesme të qytetit dhe fshatrave, madje ekziston edhe një video ku janë filmuar personat duke dhënë dhe duke marrë paratë, në këmbim të tolerancës për t’i lejuar kopjimin”. Në qytetin e Elbasanit paratë janë marrë paralelisht dhe brenda kohës së privimit nga personat e tretë, në një prej lokaleve në qendër të qytetit, kurse në shkollat e tjera të fshatrave, ato janë dhënë dhe janë marrë brenda në makinë, pasi ishte frika e zbulimit. 
Sekserët e provimeve
Personat e implikuar në këtë aferë korruptive, ishin kryesisht edhe ata mësues në zonat e ndryshme të qyteteve të tjera, por që MAS i kishte caktuar si “kompetentë” për të mbikëqyrur mësuesit e caktuar si roje, në klasat ku zhvillohej provimi gjuhës së huaj dhe ai i matematikës. Gjithçka fillimisht ishte dukur se do të ishte e pamundur të kishte rrjedhje informacioni apo më e keqja e mundshme, kopjimi. Por ja që kjo e fundit u krye madje me metoda të sofistikuara, nën hundën e disa “kompetentëve” që pasi pranuan ofertën, ( e cila ndihmonte mjaft rrogën e tyre) u bënë si pula, dhe nuk hapën gojë deri në mbarimin e kohës së caktuar të provimit. Kjo gjë është përdorur në të paktën 10 raste, por ajo që vlen të theksohet është fakti se, MAS duhet ta dijë se jo gjithçka, dhe jo kudo situata ishte brenda kushteve ligjore dhe brenda kontrollit. Nga burimet mësohet se nuk ka qenë vetëm Elbasani ku janë përdorur të tilla forma dhe metoda korruptive në dy provimet e para të maturës shtetërore, pasi ka patur raste të ngjashme edhe në rrethe të tjera, si Durrësi, Korça, etj. Kryesisht para të tilla kanë dhënë prindër “pasanikë”, dhe janë pikërisht fëmijët e tyre që përgjatë gjithë vitit, kanë qenë edhe nxënësit nën mesataren e nivelit që kërkon matura, dhe që notat gjatë gjithë vitit shkollor nga 8 tek 10 i kanë blerë. 
Afera korruptive edhe me futjen e mesatares
Edhe futja e mesatares nga MAS këtë vit shkollor për maturantët, duket se nuk ka sjellë ndonjë risi dhe nuk ka mundur të fshijë aferat korruptive të vlerësimit edhe tek ata nxënës që në 30 ditë mësim përgjatë muajit, kanë vajtur në shkollë vetëm 5 herë. Raportet fiktive mjekësore, dhe justifikimet e tjera të këtij lloji, kanë qenë dhe mbeten format më korruptive, të cilat e kanë gërryer keq sistemin shkollor vitet e fundit. Pavarësisht se zonja Malaj deklaroi se “nuk ka rrjedhje, nuk ka nxjerrje sekreti, nuk ka ndotje të procesit të provimeve të maturës, ata që e deklarojnë janë dashakeqës”, ndoshta i duhet thënë se, “po zonja zv/ministre, ka patur rrjedhje, ka patur nxjerrje sekreti, ka patur ndotje të procesit të provimeve të maturës, ashtu siç ka patur edhe mungesë totale të kontrollit nga ju, të situatës edhe në rrethe”. Së fundi, ndoshta do të ishte mirë që MAS të shqyrtonte një variant tjetër të zhvillimit dhe vlerësimit të këtyre “provimeve të maturës shtetërore”, për t’i mbyllur rrugën abuzimit dhe korruptimit. Mendimi i specialistëve nuk ka munguar, mjafton t’i pranosh, t’i dëgjosh ata që trokasin në dikaster me dosje në duar, me propozime konkrete dhe strategji afatgjata, për të nisur një kapitull të ri vlerësimi, në të kundërtën lëreni sistemin arsimor të bjerë në batak.